Kërko

Rrugë në kryeqytetin e Burkina Fasos, gjatë një operacioni antiterrorist Rrugë në kryeqytetin e Burkina Fasos, gjatë një operacioni antiterrorist 

Burkina Faso: sulm kundër Kishës protestante. Papa lutet për viktimat

Gjashtë viktimat e atentatit. Vritet pastori protestant dhe dy fëmijët e tij, pikërisht gjatë kremtimit të kultit ungjillor. Muajt e fundit, sulmet e grupeve radikale islamike në Burkina Faso janë rritur tej mase.

R.SH. - Vatikan

“Ati i Shenjtë mori vesh me dhimbje lajmin e sulmit të ri kundër një kishe në Burkina Faso”: kështu njofton drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Alessandro Gisotti, i cili shton se Ati i Shenjtë “lutet për viktimat, për familjarët e tyre dhe për të gjithë bashkësinë e krishterë të vendit”.

         Në atentatin e së dielës kundër një kishe protestante në Burkina Faso humbën jetën 6 vetë. Sulmi u krye në Silgaxhi, rreth 160 km larg nga Uagadugu, kryeqyteti i vendit. Viktimat janë pastori, i cili po kremtonte kultin ungjillor, dy fëmijtë e tij dhe tre besimtarë.

Shkallëzim i ri i dhunës

Sulmuesit iu afruan kishës me motorr dhe synonin të largoheshin për në Mali, pas atentatit, i cili bën pjesë në një atmosferë tensioni në rritje. Të premten pasdite, gjashtë vetë, përfshirë edhe pesë mësues, u vranë nga një dyzinë xhihadistësh në Majtagu, në rajonin qendroro-lindor. Gazeta italiane kishtare “Avvenire” njofton edhe për një sulm tjetër, më 5 prill, kundër një fshati në Dioqezën e Dorit, gjatë Udhës së Kryqit. Në atë rast, njerëz të armatosur hynë në kishën katolike dhe hapën zjarr kundër besimtarëve, duke vrarë katër vetë. Para se të largoheshin, banditët plaçkitën fshatin.

Përgënjeshtrohet gjetja e trupit të një meshtari

Po në dioqezën e Dorit, të dielën, më 17 mars, u zhduk famullitari i Xhibos, don Joel Jugbarè. Në një njoftim për agjencinë kishtare Fides, ipeshkvi, imzot Laurent Dabir, përgënjeshtroi lajmin e disa organeve të shtypit, sipas të cilave ishte gjetur kufoma e meshtarit.

Dhunë e grupeve islamike radikale

Që prej vitit 2015, në Burkina Faso, veprojnë disa grupe terroriste, ndër të cilat “Ansarul Islam” dhe “Grupi për afirmimin e Islamit dhe të myslimanëve”, degë të al-Kaedës për Magrebin Islamik. Sulmet e tyre kanë shkaktuar mbi 250 viktima në katër vjet, e, vetëm në kryeqytet, ky numër e kapërcen 60-shin.

30 prill 2019, 12:51