Papa Françesku dhe Greta Thunberg Papa Françesku dhe Greta Thunberg 

Aktivistja e re, Greta, falenderon Papën për mbrojtjen e gjithësisë

Papa inkurajoi Gretën në përkushtimin e saj për mbrojtjen e mjedisit. Të premten, aktivistja e re do të marrë pjesë në manifestimin e studentëve italianë, që kërkojnë të ndërhyhet për të ndalur ndryshimet e klimës.

R.SH. - Vatikan

“Ati i Shenjtë e falenderoi dhe e inkurajoi Gretën Thunberg për angazhimin e saj në mbrojtjen e mjedisit, ndërsa Greta, e cila e pati kërkuar këtë takim, e falënderoi Atin e Shenjtë për impenjimin e tij të fuqishëm në mbrojtje të gjithësisë”. Kështu u tha gazetarëve, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, për takimin e shkurtër ndërmjet Papës dhe aktivistes së re suedeze, që lufton për klimën. Ata u përshëndetën sot paradite në Vatikan, në fund të audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit. Greta - vajza suedeze 16 vjeçare, e cila është bërë shumë e njohur, duke i dhënë jetë lëvizjes ndërkombëtare të të rinjve në favor të klimës - me pantallona të zeza, atlete blu e vjollcë dhe triko gri, nga parmaku para të cilit kalonte Papa, i tregoi Atit të Shenjtë, një kartelë të bardhë me mbishkrimin “Bashkohuni me grevën për klimën”.

Takimet e Gretës në Romë

         Aktivistja e re ka shumë takime në Itali. Nesër, 18 prill, do të pritet në Senat nga kryetarja e tij, Elisabetta Casellati, ndërsa të premten, më 19 prill, do të marrë pjesë si relatore në “grevën për klimën”, organizuar nga aktivistët romakë të #FridaysFor Future (Të premtet për të ardhmen), nga ora 10 deri në orën 15. Ajo, së bashku me studentët, do të manifestojë për t’u kërkuar qeveritarëve të bëjnë ç’është e mundur për t’i ndalur ndryshimet e klimës.

Roli i të rinjve në mbrojtjen e ambientit

“Ka shumë gjëra - tha sot Greta - që të rinjtë mund të bëjnë për ta përmirësuar gjendjen: sidomos, mund të bëjnë presion mbi njerëzit e pushtetit dhe mbi të rriturit, sepse ata kanë më shumë ndikim. Por ka edhe gjëra, që mund të bëhen edhe në nivel individual, duke ndryshuar zakonet, duke u përpjekur të emetohet sa më pak dioksid karboni. Ka rëndësi që të rinjtë ta kuptojnë sa peshon kjo gjendje, çfarë po ndodh dhe pse duhet të luftojnë për ta ndalur çka po ndodh. Në planin personal – pohoi aktivistja e re - jam e lumtur që po bëj diçka të rëndësishme e të nevojshme”.

17 prill 2019, 16:21