Kërko

 Papa i Nderit, Benedikti XVI Papa i Nderit, Benedikti XVI 

92 vjetët e Benediktit dhe “udha pendestare”, që i bashkon dy papnitë

Ditëlindja e Papës së Nderit sivjet shoqërohet me debate rreth shkrimit të tij kushtuar abuzimeve. Lexojmë, me këtë rast, tre dokumente, që i bashkojnë dy Ipeshkvijtë e Romës, në betejën kundër kësaj plage.

R. SH. - Vatikan

Papa i nderit arrin cakun e 92 vjetëve. E këtë herë ditëlindja e tij shoqërohet me një debat të fortë rreth një shkrimi - a disa vërejtjeve - siç i quajti ai vetë - kushtuar temës së shpërdorimeve mbi të miturit. Në këtë tekst, Benedikti XVI, duke kërkuar përgjigje të drejta për plagën e shpërdorimeve, shkruan: “Ilaçi për sëmundjen, që na kërcënon ne e botën mbarë kohët e fundit, nuk mund të  jetë tjetër, veçse lëshimi i plotë në dorë të dashurisë së Zotit. Nuk mund të pritet kurrfarë shprese nga një Kishë e bërë nga ne, e ndërtuar nga duar njerëzore, që beson në aftësitë e veta. Nëse reflektojmë mbi çka duhet bërë, “është e qartë se nuk kemi nevojë për një Kishë tjetër, të shpikur nga ne”. Sot, “Kisha shikohet  kryesisht si një lloj aparati politik” e “kriza, e shkaktuar prej shumë rasteve të abuzimeve nga ana e meshtarëve, të nxit të arrish deri në atë pikë, sa ta konsiderosh si diçka të parealizuar, që duhet ta marrim në dorë ne vetë e ta formojmë në një mënyrë të re. Por mbi një Kishë, të bërë prej nesh, nuk mund të mbështetet kurrfarë shprese!”.

Mund të jetë e nevojshme të nënvizojmë, duke kremtuar ditëlindjen e Joseph Ratzinger, qëndrimin e mbajtur si nga Benedikti XVI, ashtu edhe pasardhësi i tij, Françesku, përballë shkandujve dhe abuzimeve mbi të miturit. Përgjigje pak mediatike e pak potermadhe, që nuk synon të shndërrohet në slogan.

Është përgjigje, që nuk mbështetet mbi strukturat (ndonëse të nevojshme), mbi normat e reja të emergjencës (po aq të nevojshme), ose mbi protokollet gjithnjë më të hollësishme për të garantuar mbrojtjen e sigurt të  fëmijëve (edhe këto të domosdoshme): të gjitha, mjete të nevojshme, tashmë të përcaktuara ose në rrugë përcaktimi. Kjo e Benediktit XVI më parë, e pastaj edhe ajo e Françeskut, është përgjigje thjeshtësisht e krishterë. Për ta kuptuar, mjafton të rilexosh tre dokumente. Tri letra, drejtuar popullit të Zotit: në Irlandë, në Kili e në mbarë botën, që dy Papët i shkruan në çastet e tensioneve më të mprehta, shkaktuar nga shkandujt.

Duke u shkruar besimtarëve të Irlandës, në mars të vitit 2010, Papa Ratzinger shpjegonte se “masat që duhen marrë në mënyrë të drejtë për krimet e veçanta, janë themelore, por gjithsesi, të pamjaftueshme", sepse: “duhet një vizion i ri, që t’i frymëzojë breznitë e sotme e edhe ato të  ardhshme,  ta çmojnë dhuratën e fesë sonë të përbashkët”.

Benedikti XVI i ftonte të gjithë “t’ia kushtonin pendesën e së premtes, për një vit të tërë, që prej çastit të ftesës e deri në vitin 2011, këtij qëllimi”. “Ju kërkoj ta ofroni agjërimin tuaj, lutjen tuaj, leximin tuaj të Shkrimit Shenjt dhe veprat tuaja të mëshirës, për të nxjerrë hirin e shërimit  e të përtëritjes për Kishën e Irlandës. Ju inkurajoj  ta rizbuloni Sakramentin e Pajtimit e të përfitoni  gjithnjë më shpesh nga forca shndërruese e hirit të tij”.

“Vëmendje të posaçme - shtonte Papa - i duhet kushtuar adhurimit eukaristik. Lutjes, adhurimit, agjërimit e pendesës. “Kisha nuk akuzon armiq të jashtëm”. Është e vetëdijshme se sulmi më i rreptë i vjen nga armiq të brendshëm e nga mëkati në Kishë. E ilaçi i propozuar është rizbulimi i  asaj, që është themelore për fenë dhe për një Kishe pendestare, e cila e ndjen fort nevojën e faljes e të ndihmës nga Lart. Zemra e mesazhit, mbruajtur me përvujtëri, dhimbje, turp e pendesë, por njëkohësisht edhe me shpresë, është vështrimi i krishterë, ungjillor.

Tetë vjet më pas, më 1 qershor 2018, u publikua një Letër tjetër e Papës, drejtuar të krishterëve të një vendi të goditur nga shkandulli i pedofilisë, Ishte ajo, që Françesku ua drejtonte kilianëve. “Thirrja që ju drejtova, për t’ju kërkuar lutje - shkruante - nuk ishte kërkesë funksionale e, aq më pak, gjest i vullnetit të mirë, por, ‘përkundrazi', desha të vë theksin, atje ku duhet vënë: mbi gjendjen e popullit të Zotit… Përtëritja e hjerarkisë kishtare në vetvete nuk e krijon shndërrimin, drejt të cilit na shtyn Shpirti Shenjt. Jemi të thirrur ta promovojmë së bashku shndërrimin kishtar, që i përfshin të gjithë".

Papa Bergoglio ngulmon mbi faktin se Kisha nuk ndërtohet nga vetvetja, nuk beson në vetveten: “Një Kishë me plagë, nuk e vë veten në qendër, nuk e mban veten të përkryer, nuk kërkon ta mbulojë ose ta fshehë të keqen, por vë aty të Vetmin, që mund t’i shërojë plagët e që ka një emër: “Jezu Krisht”.

15 prill 2019, 18:30