Kërko

Papa në Sheshin e Shën Pjetrit Papa në Sheshin e Shën Pjetrit 

Veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës

Papa Françesku do të shkojë në Loreto, nesër, më 25 mars, festa e Lajmërimit të Zojës e lajme të tjera nga veprimtaria e tij dhe e Kishës Katolike.

Papa Françesku do të shkojë në Loreto, nesër, më 25 mars, festa e Lajmërimit të Zojës. Dy janë ngjarjet më të rëndësishme e historike të kësaj vizite: mesha private e Bergoglios në Shtëpinë Shenjte të Loretos, pas 162 vjetësh, dhe nënshkrimi i Nxitjes Apostolike pas-sinodale kushtuar të rinjve.

E gjithë Loreto, por edhe vendet përreth, presin me padurim Papën, i cili do ta fillojë vizitën pikërisht me meshën e kremtuar në shtëpinë, ku ka banuar shën Maria. Kanë kaluar 162 vjet nga mesha e fundit e një pape (Piu IX) në këtë Shtëpi të Shenjtë të Nazaretit. Sipas një tradite të lashtë, një pjesë e shtëpisë së Zojës ruhet pikërisht në shenjtëroren ndërkombëtare të Loretos. Kjo shtëpi ndahej në dy zona: një shpellë e gërmuar në shkëmb, e cila nderohet edhe sot në bazilikën e Lajmërimit të Zojës në Nazaret, si edhe një dhomë, që me tri muret e saj prej guri, mbyllte shpellën. Gjithnjë sipas traditës, në vitin 1292, kur kryqtarët u përzunë përfundimisht nga Palestina, muret e kësaj pjese të shtëpisë u transportuan nga engjëjt, së pari në Iliri (në Trsat, Kroacia e sotme) e pastaj, në Loreto (10 dhjetor 1294). Sot, mbi bazën e dokumenteve të reja, të gërmimeve arkeologjike e të studimeve filologjike e ikonografike, konfirmohet gjithnjë e më tepër hipoteza, sipas së cilës, gurët e shtëpisë së Zojës janë transportuar me anije, me nismën e familjes fisnike Angeli, që mbretëronte në Epir.

Pas kremtimit të meshës në këtë vend të shenjtë, Papa Françesku do të nënshkruajë Nxitjen Apostolike pas-sinodale për të rinjtë, e cila do të botohet më vonë. Gjithashtu, do të përshëndesë të sëmurët dhe do t’u flasë besimtarëve të mbledhur në tremen e shenjtërores, me të cilët do të thotë edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot. Kjo lutje përmbledh misterin e mishërimit të Zotit e merr kuptim të veçantë në Solemnitetin e Lajmërimit të Zojës. Në orën 12.00, kambanat do të bien për festë në të gjitha famullitë e Loretos e të rajonit të Markeve, për të kujtuar kështu lajmin që i jep Zojës shën Gabrieli kryeengjëll, duke njoftuar mishërimin e Jezu Krishtit. Por kambanat do të përshëndesin edhe Atin e Shenjtë e do t’i urojnë mirëseardhjen në tokën markixhane.

Papa Françesku për “Scholas Occurrentes”: të rinj, jo vetëm protesta. Duhet ndërtuar

E pati thënë në Panama, gjatë Ditës Botërore të Rinisë. Papa Françesku e përsëriti të enjten, gjatë një vizite në selinë e “Scholas occurrentes” në Pallatin e Shën Kalistit, në Romë: “Të rinjtë nuk janë e ardhmja, janë e sotmja. Janë e tanishmja e Zotit. Po të mendojmë se janë e ardhmja, ua pakësojmë forcën dhe i zbusim”. Por atyre u duhen krijuar kushtet, që u japin mundësi ta dëshmojnë se janë e sotmja. Prandaj, pikërisht të rinjve, Papa Françesku u tha të flasin gjithnjë me të moshuarit dhe, krah për krah me protestën e tyre, që nganjëherë mund të jetë e domosdoshme, të përdorin krijimtarinë. “Nuk duhet vetëm protesta”, pohoi Papa. “Nuk duhet vetëm të protestojmë, por edhe të ndërtojmë”.

Papa shkoi në selinë romake të “Scholas Occurrentes” rreth orës 16, për të përuruar projektin ndërkombëtar “Programimi për Paqen”, së bashku me ekspertët e informatikës. Qëllimi i nismës, sipas një komunikate të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, “është t’u japë mundësi miliona të rinjve të mësojnë si të programojnë dhe të përdorin teknologjitë e reja me një perspektivë etike, si edhe si të angazhohen për paqen”. Gjatë takimit, Papa Bergoglio përuroi, në videokonferencë, “Qendrën e Teknologjisë Scholas” në selinë e re të Panamasë.

Papa: Revizorët kanë “rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit”

“Roli i rëndësishëm që luajnë gjykatësit për bashkësinë, në veçanti në luftën e pandërprerë kundër korrupsionit”: këtë theksoi Papa Françesku të hënën, më 18 mars, gjatë audiencës me zyrtarët e Gjykatës italiane të Revizorëve apo Auditorëve. Korrupsioni, nënvizoi Ati i Shenjtë, është “një nga plagët e indit shoqëror, që pikon më tepër gjak, sepse e dëmton rëndë atë, si në planin etik, ashtu edhe në atë ekonomik: me iluzionin e fitimeve të shpejta e të lehta, në të vërtetë, varfëron të gjithë”. Prandaj, nga ana e tyre, “administratorët publikë duhet ta ndiejnë gjithnjë e më shumë përgjegjësinë për të vepruar me transparencë dhe ndershmëri, duke favorizuar kështu marrëdhënie besimi ndërmjet qytetarit dhe institucioneve, shpërbërja e të cilave është një nga manifestimet më serioze të krizës së demokracisë”.

Përvjetori i gjashtë i papnisë së Françeskut

Më 19 mars, ditën e martë, u përkujtua përvjetori i gjashtë i fillimit të papnisë së Françeskut. Me atë rast, personalitete nga e gjithë bota shprehën mirënjohjen e tyre të thellë për mesazhet e paqes, të dashurisë, të vëllazërisë, të mikpritjes dhe të solidaritetit, me të cilat Ati i Shenjtë e interpreton çdo ditë papninë e tij. Françesku u zgjodh Papë më 13 mars 2013 dhe e filloi papninë, me meshën e përurimit, më 19 mars të po atij viti.

Kardinali Parolin, në 150-vjetorin e spitalit pediatrik “Bambino Gesù”

Më 19 mars, filluan kremtimet për 150-vjetorin e spitalit pediatrik të Selisë së Shenjtë “Bambino Gesù”. Në ceremoninë e përurimit ishte i pranishëm Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Në fjalën e tij, ai theksoi punën e spitalit për ta vënë të sëmurin në qendër të çdo veprimtarie, gjë që kërkon kujdes jo vetëm për sëmundjen, por kryesisht për njeriun e sëmurë, duke e rrethuar atë me një botë plot dashuri, marrëdhënie, vëmendje psikologjike dhe shpirtërore.

Gjatë historisë së tij, vuri në dukje kardinali, spitali i Krishtit Fëmijë, ku kurohen edhe shumë shqiptarë, “ka dhënë kontribut të madh në përmirësimin e shëndetësisë italiane, duke garantuar vazhdimisht mundësinë për t’u kuruar dhe duke u angazhuar në punën kërkimore-shkencore, deri sa u njoh si Institut mjekësor për kurim e për kërkim shkencor (Irccs), në vitin 1985”. Sot, ky spital është një nga më të mirët në Evropë dhe në botë. Trajtimi mjekësor, pranoi kard. Parolin, duke ripohuar impenjimin e Selisë së Shenjtë për spitalin e saj të vetëm, “kalon domosdoshmërisht përmes punës kërkimore, e cila ka nevojë për investime të konsiderueshme në struktura, teknologji dhe burime njerëzore. Është thelbësore të investohet për risimin shkencor që t’u përgjigjemi sfidave të së ardhmes”.

24 mars 2019, 09:23