Kërko

Ushtrimet shpirtërore të Papës dhe të Kuries Romake në Ariccia Ushtrimet shpirtërore të Papës dhe të Kuries Romake në Ariccia 

Ushtrimet shpirtërore të Papës në Ariccia: mikpritja si shkollë

Dita e parafundit e ushtrimeve shpirtërore të Papës dhe të Kuries Romake në Shtëpinë e Mësyesit Hyjnor në Ariccia. Meditimi i paradites, mbajtur nga abati Bernardo Francesco Maria Gianni, u përqendrua mbi temën “Flamujt e paqes e të miqësisë” dhe vuri në pah nevojën e mikpritjes.

R.SH. - Vatikan

Nga ushtrimet shpirtërore të Papës e të Kuries Romake në Ariccia ngrihet një thirrje e fuqishme për mikpritje. Zëdhënës për të u bë abati Bernardo Francesco Maria Gianni, predikatari i zgjedhur nga Ati i Shenjtë për meditimet e këtyre ushtrimeve, që do të përfundojnë nesër.

         Reflektimi i abatit u përqendrua në dyert e hapura, përshkruar në Librin e Isaisë profet: “Kaloni, kaloni nëpër dyer, hapjani rrugën popullit”. “Është e bukur – nënvizoi abati – figura e portave të hapura dykanatësh që krejt njerëzimi, më në fund, të hyjë përmes tyre e ta takojë, ta prekë me dorë premtimin e madh të Zotit, që bëhet realitet; të ardhmen, e cila bëhet prani drite, dashurie, paqeje dhe drejtësie për të gjithë ata, që ecin drejt fytyrës së Zotit, udhëhequr nga Fjala e Tij. E kundërt me këtë perspektivë, ndërtimi i çdo muri, i çdo pengese, i çdo baluardi, i cili nuk ka në vetvete një portë mikpritëse, që të fton”.

         “Ati i Shenjtë – kujtoi më pas abati i Shën Miniatit, në Firence – na ka paralajmëruar se po jetojmë një Luftë të tretë Botërore pjesë-pjesë, me fragmente të përzishme në shumë anë të planetit. E është e bukur, profetike, por edhe thellësisht aktuale, thirrja e kryetarit të bashkisë (Giorgio La Pira) për ta kthyer Firencen - por, në të vërtetë, çdo qytet - në vend mikpritës, nga ku të përtërihet një mesazh paqeje e shprese. Kjo është detyrë që Giorgio La Pira ia atribuon shërbimit të tij si njeri i politikës, por është shërbim, që Kisha nuk mund të mos e përkrahë, dëshirojë, propozojë e dëshmojë me fakte për kryetarët e bashkisë e politikanët e gjithë botës, në kohën e sotme. Që qyteti të ribëhet vërtet, sipas perspektivës që na bën të ëndërrojmë Isaia, ‘flamur për gjithë popujt’”.

14 mars 2019, 17:45