Papa u flet besimtarëve nga tremja e Shenjtërores Papa u flet besimtarëve nga tremja e Shenjtërores 

Papa: me shembullin e Marisë, ta çojmë Ungjillin e Paqes në botën e përhumbur

Përjashta Shenjtërores të Shtëpisë së Shenjtë të Loretos, Françesku u foli të rinjve, duke i nxitur të ecin në udhën e paqes e të vëllazërimit; familjeve, të cilat i quajti “shenjtërore e dashurisë” e të sëmurëve, duke i siguruar se Virgjëra Mari u sjell të gjithëve mëshirën e Zotit. Pastaj citoi titullin e Nxitjes pas-sinodale, “Christus vivit - Krishti jeton”, duke shprehur edhe dëshirën për t’i dhënë hov të ri qendrës “Gjon Pali II” dhe për zgjatjen e orarit të hapjes së Bazilikës së Shtëpisë së Shenjtë deri në muzg.

R. SH. - Vatikan

“Jam një nga besimtarët e shumtë të cilët vijnë, plot devocion për t’u lutur përballë Shtëpisë së Marisë, që ruhet këtu, muret e së cilës - sipas traditës -  erdhën nga Nazareti, ku Virgjëra shqiptoi atë ‘po”, duke u bërë nëna e Jezusit” - Kështu iu paraqit Papa rreth 10 mijë besimtarëve të mbledhur në tremen e Shenjtërores, pasi kremtoi Eukaristinë në Shtëpinë e Shenjtë dhe nënshkroi Letrën pas-Sinodale të të rinjve.

Në Shkollën e Marisë

Në Festën e Lajmërimit të Zojës, Françesku i shikoi me entuziazëm të rinjtë, familjet, të sëmurët e, në përgjithësi, të gjithë ata, që lidhen shpirtërisht me Shenjtëroren e, të gjithëve u kujtoi: “Zoti, përmes Marisë, ju beson një mision në këtë kohën tonë”:

“T’ua çoni Ungjillin e paqes e të jetës bashkëkohasve shpesh të hutuar, të përhumbur, të kapërthyer nga interesat tokësore a të rrethuar nga një klimë thatësie shpirtërore. Na duhen njerëz të thjeshtë e të urtë, të përvuajtur e guximtarë, të varfër e bujarë. Me një fjalë, njerëz që, në Shkollën e Marisë, e pranojnë pa asnjë ngurrim Ungjillin në jetën e tyre. Kështu, përmes shenjtërisë së popullit të Zotit, të vijojmë të përhapim nga ky vend, në Itali, në Evropë e në botë, dëshmi shenjtërie në çdo situatë jetësore, për ta rinuar Kishën e për ta gjallëruar shoqërinë me tharmin e Mbretërisë së Zotit”.

 

25 mars 2019, 13:49