Kërko

 Kisha romake e  Shën Krispinos nga Viterbo Kisha romake e Shën Krispinos nga Viterbo 

Sot Papa viziton famullinë romake të Shën Krispinos nga Viterbo

E presin me padurim besimtarët romakë, arritjen e Papës. Në program, takimi me të rinjtë, të pastrehët, të sëmurët e të gjymtuarit. Zemra e vizitës, Mesha. Famullitari: për ne kjo është një e papritur e paharrueshme.

R. SH. - Vatikan

Sot pasdite Papa Françesku do të vizitojë përsëri një famulli romake. Kësaj here do të takohet me bashkësinë e Kishës së Rrugës Offanengo 6, në Labaro, sektori verior i Romës. Është fjala për famullinë e Shën Krispinos nga Viterbo.

Etapa e takimit dhe përgatitja

Papa Françesku do të arrijë rreth orës 16.00 e do të pritet nga kardinali Angelo De Donatis; nga ipeshkvi-ndihmës i sektorit verior, imzot Guerino Di Tora; famullitari, don Luciano Cacciamani; zëvendës-famullitari, don Andrea Lamonaca dhe nga të gjithë meshtarët, që shërbejnë në Shën Krispino. Papa Bergoglio do të takohet së pari me fëmijët, që përgatiten të marrin Kungimin dhe Krezmimin e me të rinjtë e grupeve të pas-Krezmimit dhe të oratorit.  Më pas, takimi me prindërit e fëmijëve, që kanë marrë ose do ta marrin Sakramentin e Pagëzimit, pasuar nga një takim tjetër, të cilin Papa e ka shumë për zemër: ai me të pastrehët, që ndihmohen nga Karitasi famullitar dhe Bashkësia e Shën Egjidit.

Kulmi i të gjithave, pas rrëfimit të disa besimtarëve, do të jetë kremtimi i Meshës.

Emocioni i famullitarit

E papritur e madhe, ardhja e Papës mes nesh. Nuk kisha bërë ndonjë kërkesë, sepse prisja ta njihja më mirë realitetin tonë, mbasi isha famullitar vetëm prej dy vjetësh e gjysëm. Po Papa, me bujari të madhe, më parapriu - kështu famullitari i Shën Krispinos nga Viterbo, don Luciano Cacciamani,  i përshkruan emocionet e tij e të bashkësisë së tij në këto orë, në prag të takimit me Papën Françesku: “Për ne - shton -  do të jetë shenjë  me vlerë të madhe. Famullia jonë është e vogël, periferike: të  kemi Papën mes nesh, do të thotë të kemi ndihmë e ngushëllim!”.

Shën Krispino, bashkësi plot gjallëri e vëmendje për të fundmit

Famullitari tregon se famullia, e cila sot do të përqafojë Papën: “Nuk është shumë e madhe, por shumë aktive. Ka shumë njerëz që kalojnë çaste të vështira ekonomike, shumë të pastrehë, por edhe më shumë besimtarë të famullisë, që i ndihmojnë me veprimtari nga më të ndyshmet, e me shumë bujari. Jemi me të vërtetë një familje e madhe”.

Një zemër e pastër, për të pritur Papën

Për ta pritur Papën, bashkësia ka përgatitur së pari zemrën. “Është e vërtetë - pohon famullitari - organizuam takime lutjeje, një adhurim eukaristik, një drekë famullitare me disa të pastrehë dhe një shpërndarje të jashtëzakonshme ushqimesh e veshmbathjesh për nevojtarët. Çka të bie më shumë në sy, janë shtuar shumë këto ditë edhe rrëfimet. Njerëzit e kanë kuptuar se një ngjarje e tillë, kaq e madhe, duhej pritur me zemër të lirë, të hapur, të pastër!”.

03 mars 2019, 12:03