Kërko

Çasti i zgjedhjes së Papës Françesku në fronin e Shën Pjetrit Çasti i zgjedhjes së Papës Françesku në fronin e Shën Pjetrit  Editorial

Përvjetori i papnisë së Françeskut e thelbi i saj

Papa Françesku ka përjetuar e po përjeton muaj interesantë, ndërmjet udhëtimeve dhe Sinodeve. Viti i gjashtë i papnisë së tij u karakterizua nga plaga e abuzimeve dhe nga vuajtja për disa sulme të brendshme: përgjigjja e Atit të Shenjtë ishte ftesa për t’iu kthyer zemrës së fesë. Në një editorial, drejtori ynë Andrea Tornielli, përkujton etapat më të rëndësishme të këtij viti, një ditë para përvjetorit të zgjedhjes së Jorge Mario Bergoglio-s në krye të Kishës Katolike universale, si papa i 266-të i saj.

(R.SH. - Vatikan)

Andrea Tornielli

         Përvjetori i gjashtë i zgjedhjes së Papës Françesku e gjen Atin e Shenjtë të angazhuar në një vit plot me udhëtime të rëndësishme ndërkombëtare, shenjuar, në fillim dhe në fund, nga dy ngjarje “sinodale”: takimi për mbrojtjen e të miturve në Vatikan, shkurtin e kaluar, me pjesëmarrjen e kryetarëve të Konferencave Ipeshkvnore të gjithë botës dhe Sinodi i veçantë për Amazonën, që do të mbahet - sërish në Vatikan - tetorin e ardhshëm. Me rëndësi të madhe, udhëtimi i fundit në Emiratet e Bashkuara Arabe, gjatë të cilit ipeshkvi i Romës nënshkroi një deklaratë të përbashkët me Imamin e Madh të Al-Azharit. Dokument, që shpresohet të sjellë rezultate në fushën e lirisë fetare. Tema ekumenike do të mbizotërojë në udhëtimet e ardhshme në Bullgari e pastaj, në Rumani, ndërsa udhëtimi i dëshiruar, por akoma jo i formalizuar në Japoni, mund të ndihmojë për të kujtuar shkatërrimin e shkaktuar nga armët bërthamore - paralajmërim për të tashmen dhe për të ardhmen e njerëzimit, që po provon “Luftën e tretë Botërore pjesë-pjesë”, për të cilën flet shpesh Papa.

Por një vështrim mbi vitin e kaluar nuk mund të injorojë rishfaqjen e shkandullit të abuzimit dhe të ndarjeve të brendshme, që e detyruan gushtin e kaluar ish-nuncin Carlo Maria Viganò - ndërsa Papa Françesku kremtonte Eukaristinë me mijëra familje në Dublin duke propozuar bukurinë dhe vlerën e martesës së krishterë - të kërkonte publikisht dorëheqjen e Atit të Shenjtë për mënyrën e trajtimit të rastit McCarrick. Përballë këtyre situatave, ipeshkvi i Romës u kërkoi gjithë besimtarëve të botës të luteshin çdo ditë, gjatë gjithë muajit marian të tetorit 2018, për t’u mbledhur “në bashkim e pendesë, si popull i Zotit, e për t’i kërkuar Nënës Shenjte të Hyjit dhe Shën Mëhillit Kryeengjëll ta mbrojnë Kishën nga djalli, i cili gjithmonë synon të na ndajë nga Zoti e të na përçajë”. Një kërkesë kaq e detajuar nuk ka precedent në historinë moderne të Kishës. Me fjalët dhe me thirrjen drejtuar popullit të Zotit që të lutet për ta mbajtur Kishën të bashkuar, Papa Françesku na bëri të kuptojmë sa e rëndë ishte gjendja e, njëkohësisht, shprehu vetëdijen e krishterë se nuk ka mjete njerëzore të afta për të siguruar rrugëdaljen.

Edhe një herë, Papa bëri thirrje për t’u kthyer tek e domosdoshmja: Kisha nuk përbëhet nga super-heronj (madje as nga superpapë) dhe nuk ecën përpara për hir të njerëzve e të strategjive të saj. E di se i ligu është i pranishëm në botë, se ekziston mëkati i rrjedhshëm dhe se kemi nevojë për ndihmë nga Lart që të shpëtojmë. Theksimi i kësaj nuk nënkupton pakësimin e përgjegjësive personale të individëve e madje, edhe të institucioneve, por vendosjen në kuadrin e tyre të vërtetë.

“Me këtë kërkesë ndërmjetësimi” shkruhej në komunikatën e Vatikanit, që përmbante lutjen e Papës për të thënë Rruzaren, tetorin e kaluar, “Ati i Shenjtë u kërkon besimtarëve të gjithë botës të luten që Nëna Shenjtë e Zotit ta mbajë Kishën nën mantelin e saj mbrojtës: për ta ruajtur nga sulmet e të ligut, të akuzuesit të madh, e njëkohësisht, për ta bërë atë gjithnjë e më të vetëdijshme për abuzimet dhe gabimet e kryera në të tashmen dhe në të kaluarën”.

Në të tashmen dhe në të kaluarën, sepse do të ishte gabim të “fajësonim” ata, që erdhën para nesh e të paraqitemi si “të pastër”. Edhe sot Kisha duhet t’i kërkojë Dikujt tjetër të çlirohet nga e keqja. Realitet ky, që Papa e ka kujtuar vazhdimisht, së bashku me paraardhësit e vet.

Kisha nuk shëlbehet vetë nga të këqijat që e mundojnë. Edhe nga humnera e tmerrshme e abuzimeve seksuale, kryer nga disa anëtarë të klerit, nuk dilet me anë të proceseve të vetëpastrimit e as përmes besimit në ata, që janë ngarkuar me detyrën e purifikuesit. Norma më të frytshme, përgjegjësia dhe transparenca, janë të nevojshme, madje të domosdoshme, por nuk do të jenë kurrë të mjaftueshme. Sepse Kisha, na kujton sot Papa Françesku, nuk është e pavarur dhe e dëshmon Ungjillin për shumë burra dhe gra të plagosura të kohës sonë pikërisht, ngaqë e di se duhet ta lypë shërimin, se ka nevojë për mëshirën dhe faljen e Zotit. Ndoshta kurrë më shumë se në vitin e trazuar, që sapo kaloi, i gjashti i papnisë, Papa, i cili paraqitet si “mëkatar i falur”, duke ndjekur mësimet e Etërve të Kishës dhe të paraardhësit të tij, Benediktit XVI, dëshmoi pikërisht këtë fakt thelbësor dhe kaq aktual të fesë së krishterë.

12 mars 2019, 15:23