Përurohet spitali i Bangui. Papa: kush u shërben të sëmurëve me dashuri, i shërben Krishtit!

Në një videomesazh, Papa Françesku shpreh gëzimin për inaugurimin, sot, të Spitalit pediatrik të Bangui, në Republikën Qendrafrikane. Selia e re u realizua falë mbështetjes së Spitalit pediatrik romak të Krishtit Fëmijë.

R. SH. - Vatikan

“Nuk do t’ju harroj!”. Këto fjalë, shqiptuar nga Papa Françesku pas vizitës së vitit 2015, u bënë realitet sot, ditë festive e përurimit të strukturës së re shëndetësore pediatrike, të rindërtuar e të zgjeruar. Papa nuk i harroi fëmijët e, në videomesazhin e dërguar me këtë rast, thekson se ruan  thellë në zemër kujtimin e syve të mbushur me dhimbje të një mori fëmijësh të kequshqyer, të cilët i takoi  gjatë shtegtimit të tij  apostolik afrikan.

Pse vuajnë fëmijët?

Papa nuk i harron as fjalët e thëna nga mjekja që, më 2015-tën, ishte përkrah tij: “Shumica e tyre do të vdesin, sepse kanë malarje të fortë e sidomos, pse janë të ushqyer shumë keq, për të mos thënë, të uritur”. Kjo – thekson Françesku në videomesazh - nuk duhet të ndodhë kurrë më. Në botë ka gjithfarë vuajtjesh të padurueshme. Por më e padurueshmja, pa dyshim, është ajo e fëmijëve. Shumë herë - pohon Papa - i bëj vetes të njëjtën pyetje: pse vuajnë fëmijët? Ç’faj kanë bërë? E nuk arrij të gjej një përgjigje të pranueshme. S’më mbetet tjetër, veçse t’ia ngul sytë Krishtit të kryqëzuar e t’i lutem dashurisë së mëshirshme të Atit t’ua lehtësojë gjithë këtë vuajtje.

Një shenjë mëshire

Spitali - shpjegon Françesku - është shenjë konkrete mëshire, që e ka zanafillën në Vitin Shenjt, hapur paraprakisht më 29 nëntor 2015. Duke kapërcyer Portën Shenjte të Katedrales së Bangui, Françesku pati pohuar: “Bangui bëhet kryeqytet shpirtëror për mëshirën e Atit. Ne të gjithë kërkojmë paqe, mëshirë, pajtim, falje  dashuri. Më pëlqen të mendoj - thekson Françesku në videomesazh - se kjo Portë Shenjte është akoma e hapur e se lumi i mëshirës i jep limfë jetike Spitalit pediatrik dhe të gjithë atyre, që punojnë e mjekohen në të”.

 

02 mars 2019, 15:02