Kërko

2019-03-30-viaggio-apostolico-in-marocco-1554024545416.jpg

Përfundoi udhëtimi i 28-të apostolik i Papës Françesku, dy ditë në Marok

Përfundoi me një falenderim e me një urim për bashkëpunim, udhëtimi i 28-të apostolik i Papës Françesku, që kësaj radhe e çoi për dy ditë me radhë në Marok. Të krishterët të jenë gjithnjë në dialog, kundër urrejtjes dhe përçarjes: kjo ide qendrore përshkoi fjalët e takimet e Atit të Shenjtë, dje e sot.

R.SH. - Vatikan

“Dëshiroj të bekoj Zotin – tha Papa në përfundim të meshës, me të cilën u mbyll dita e sotme dhe krejt vizita apostolike – që më dha mundësinë të bëj këtë udhëtim për të qenë para jush e me ju, si shërbëtor i Shpresës”.

Papa Françesku, shërbëtor i Shpresës

         “Shërbëtor i Shpresës”: kjo ishte motoja e këtij udhëtimi, gjatë të cilit Françesku përqafoi popullin maroken, shumica e të cilit është myslimane; vizitoi mauzoleun e sulltanit, që konsiderohet ati i Marokut modern; u takua me mbretin Muhamet VI, me të cilin nënshkroi një thirrje të fuqishme për Jeruzalemin; shkoi në Institutin ku formohen imamët e gratë e burrat predikatarë të Islamit; pati fjalë ngushëlluese për migrantët; vizitoi fëmijët e sëmurë, për të cilët kujdesen murgeshat vinçenciane; u takua me klerin katolik dhe me Këshillin Ekumenik të Kishave e; së fundi, kremtoi meshën në Kompleksin Sportiv “Princi Moulay Abdellah”.

Ati i Shenjtë përforcoi në fe bashkësinë katolike

         Ati i Shenjtë përforcoi në fe bashkësinë katolike, të cilën e falenderoi për impenjimin e saj në shoqërinë marokene dhe e inkurajoi – siç tha në përshendetjen pas meshës – “të vijojë udhën e dialogut me vëllezërit dhe motrat myslimane, si edhe të bashkëpunojë që të bëhet i dukshëm ai vëllazërim universal, i cili e ka burimin në Zotin. Qofshi këtu – uroi Papa – shërbëtorët e shpresës, për të cilët bota ka aq shumë nevojë”.

31 mars 2019, 17:28