Kërko

 Papa gjatë vizitës në Tèmara Papa gjatë vizitës në Tèmara 

Papa viziton Qendrën Shoqërore Tèmara, të "motrave të Zotit"

Sot paradite Papa shkoi në Tèmara, në lagjet e jashtme të Rabatit, për një vizitë private në Qendrën Fshatare të Shërbimeve Shoqërore, ngritur nga motrat vinçenciane.

R. SH. - Vatikan

Sot paradite Papa shkoi në Tèmara, në  lagjet e jashtme të Rabatit, për një vizitë private në Qendrën Fshatare të Shërbimeve Shoqërore, ngritur nga motrat vinçenciane për fëmijët e varfër e të sëmurë.

Vizita u bë me kërkesën e veçantë të Françeskut i cili, në të gjitha shtegtimet baritore, dëshiron të shkelë në qendra bamirësie e mikpritjeje, ku nevojtarët gjejnë një dorë të mëshirshme, që merret me korpin e tyre e një zemër të ndjeshme, që ua ngushëllon shpirtrat e trazuar nga mjerimi. Sapo shkeli në Marok, Kisha vendase i foli për këtë institucion bamirës, nga më aktivët në vend, që njihet si Qendra Fshatare e Shërbimeve Shoqërore e Témarës.

Dëshmia e motrave të Témarës

Është qendër, që punon në sektorin shoqëror, falë veprimtarisë së motrave, të cilat qyteti i quan, me shumë dashuri “rhibat”, në arabisht “motrat e Zotit”. Përkrah tyre punojnë një mori vullnetarësh, që i ofrojnë popullsisë vendase shërbime nga më të ndryshmet, duke nisur nga alfabetizimi i të rriturve, mbështetja shkollore e më të rinjve, shërbimi në mensë,  azili për fëmijë, ndihma psikologjike për nevojtarët e mjekimet për të sëmurët, posaçërisht për ata, që janë në gjendje të rëndë.

Gjatë vizitës së tij private, Papa u prit nga motrat, që punojnë në Qendër, përshëndeti fëmijët e sëmurë të familjeve të varfra dhe pjesëtarët e një kori prej 150 fëmijësh, që e shoqëroi vizitën papnore me këngë gazmore.

 

 

31 mars 2019, 12:11