Motër Maria Conçeta Motër Maria Conçeta 

Papa: titull nderi Motër Maria Konçetës: një jetë të tërë në shërbim të Zotit e të Afrikës

Përfundoi gëzueshëm audienca e përgjithshme sot, në tremen e Bazilikës së Vatikanit. Papa i dorëzoi misionares sarde, Motër Maria Konçeta Esu, që i ndihmoi mijëra fëmijë të lindin nën diellin e zjarrtë të Afrikës, një shenjë vlerësimi e falënderimi për gjashtëdhjetë vjet në shërbim të daljes në dritë të vetë jetës.

R. SH. - Vatikan

Figura e saj hollake me shenjat e dukshme të moshës së thyer, fryma e saj misionare, guximi, dëshmia, veprimtaria në emër të Jezusit,  e paten prekur thellë Françeskun katër vjet më parë, kur ishte në Bangui, gjatë shtegtimit  të tij në Republikën Qendrafrikane, ku e pati njohur. E i pati lënë aq shumë mbresa, sa një t’u rikthyer në Romë, e bëri të njohur në mbarë botën, duke u folur për motrën e vogël - të madhe -  besimtarëve, mbledhur rreth tij, në Vatikan.

E sot, në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa e përqafoi përsëri Motër Marinë: e thirri pranë vetes e - duke u folur gjatë për të qindra mijëra shtegtarëve - i shprehu, me një simbol falënderimi, mirënjohjen për gjithë punën e bërë  në mes të motrave e vëllezërve afrikanë, në shërbim të jetës, të fëmijëve, të nënave, të familjeve:

“Me këtë gjest, kushtuar ty, dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen të gjithë misionarëve e misionareve, priftërinjve, rregulltarëve e laikëve, që mbjellin farën e Mbretërisë së Zotit në të katër anët e botës. Puna juaj, të dashur misionarë e misionare, është tejet e madhe. Ju ‘e digjni’ jetën, duke hedhur kudo farën e Fjalës së Zotit me dëshminë tuaj… Pa ju shkuar as nëpër mend që kjo punë të bëhet lajm e ta marrë vesh e gjithë bota. Ju nuk jeni lajm në gazeta. Kardinali Hummes, i ngarkuar me episkopatin brazilian, me gjithë Amazonën, i viziton shpesh qytetet e fshatrat e atyre trojeve të pafundme humbur mes pyjeve tropikale. E sa herë shkon atje - ma ka treguar ai vetë, ndalet në varreza e viziton varret e misionarëve: shumë prej tyre, vdekur të rinj nga sëmundjet, kundër të cilave nuk kanë antikorpe. E ai më ka thënë  edhe: ‘Të gjithë, pa përjashtim, meritojnë të shenjtërohen! Sepse e shkrinë, e dogjën jetën, në shërbim’. Të dashur vëllezër e motra, Motër Maria, pas këtij impenjimi, do të rikthehet në Afrikë. Ta shoqërojmë me lutje. E shembulli i saj na ndihmoftë të gjithëve ta jetojmë Ungjillin aty, ku jemi!”.

27 mars 2019, 14:24