Kërko

Vatican News

Papa: të krishterë e myslimanë, vëllezër në një botë, që ka nevojë për paqe

Videomesazhi i Papës Françesku, në prag të udhëtimit të 28-të apostolik, që do ta çojë në Marok, të shtunën dhe të dielën e ardhshme. Duke i folur “popullit të dashur” të vendit, që e pati vizituar edhe Gjon Pali II në vitin 1985, Papa mendon edhe për ruajtjen e “shtëpisë së përbashkët”, për inkurajimin e bashkësisë së krishterë dhe për takimin me emigrantët nga perspektiva e një bote “më të drejtë dhe më solidare”.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku përgatitet të shkojë në Marok, të shtunën e të dielën. Sot, vetëm dy ditë para nisjes, Ati i Shenjtë iu drejtua popullit maroken me një videomesazh, siç është bërë tashmë e zakonshme, para udhëtimeve apostolike. Fillon me përshëndetjen e njohur “Al Salamu Aleikum”, mesazhi i Françeskut.

         “Së shpejti – u thotë Papa marokenëve - do të vij në vendin tuaj të dashur për një vizitë dyditore. Falënderoj Zotin për këtë mundësi që më dha. I jam mirënjohës Madhërisë së Tij mbretit Mohammed VI për ftesën e tij bujare, si edhe autoriteteve marokene për bashkëpunimin”.

Udhëtimi i shën Gjon Palit II, në vitin 1985

Papa kujton se vjen si shtegtar i paqes dhe i vëllazërimit, në gjurmët e paraardhësit, të shën Gjon Pali II, i cili e pati vizituar këtë vend më 19 gusht 1985. Në takimin historik në Kazablanka, Papa Woytjla pati folur për fenë e përbashkët në një Zot të vetëm, e pati vënë në dukje të drejtat njeriut, që e kanë bazën në Hyjin: së pari, liria e ndërgjegjes dhe e fesë, e pakushtëzuar nga jashtë, sepse liria, pati thënë Papa i shenjtë, karakterizon “dinjitetin e njeriut”. Kjo liri fetare, pati kërkuar ai, ka nevojë për “reciprocitet”. Po në atë rast, shën Gjon Pali II pati theksuar respektin për çdo njeri, “burrë apo grua” qoftë.

Të krishterë e myslimanë, vëllezër

E sot, Papa Françesku, në videomesazhin e tij për marokenët, e ndjek këtë gjurmë. “Si të krishterë e myslimanë – nënvizon Ati i Shenjtë - ne besojmë në Zotin Krijues dhe Mëshirëplotë, i cili i krijoi njerëzit dhe i vendosi ata në botë që të jetojnë si vëllezër, duke respektuar njëri-tjetrin në larmi dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin në çdo nevojë; Ai u besoi tokën, shtëpinë tonë të përbashkët, për ta mbrojtur me përgjegjësi dhe për ta ruajtur për brezat e ardhshëm”.

Për një botë më të drejtë dhe më solidare

“Do të jetë një gëzim për mua – vijon videomesazhi – t’i ndaj këto bindje drejtpërdrejt me ju, në takimin që do të kemi në Rabat. Për më tepër, ky udhëtim do të më japë mundësinë e çmueshme për të vizituar bashkësinë e krishterë të Marokut dhe për ta inkurajuar udhën e saj. Gjithashtu, do të takohem me emigrantët, të cilët përfaqësojnë thirrjen për të ndërtuar së bashku një botë më të drejtë dhe më solidare”.

“Të dashur miq marokenë, - përfundon videomesazhi i Papës Françesku - ju falënderoj që tani për mikpritjen dhe mbi të gjitha për lutjet tuaja, duke siguruar lutjet e mia për ju dhe për vendin tuaj të dashur”.

28 mars 2019, 15:15