Kërko

Papa takohet me funksionarët e Gjykatës së Revizorëve Papa takohet me funksionarët e Gjykatës së Revizorëve 

Papa takohet me Gjykatën e Revizorëve: luftë kundër korrupsionit e kujdes ndaj të varfërve

Në fjalën për juristët e Gjykatës së Revizorëve apo të Auditorëve, Papa Françesku thekson se korrupsioni është plagë, që varfëron të gjithë dhe u kërkon administratorëve publikë të veprojnë me transparencë dhe ndershmëri.

R.SH. - Vatikan

Kultura e ligjshmërisë dhe lufta kundër korrupsionit, kontrolli i shpenzimeve dhe vëmendja ndaj të varfërve: në këto çështje u përqendrua Papa Françesku, në takimin me gjyqtarët dhe personelin administrativ të Gjykatës së Revizorëve apo të Auditorëve, sot paradite, në Vatikan. Ati i Shenjtë vuri në dukje se ky shërbim synon “ta orientojë drejtësinë kah e mira e përbashkët”, në mbrojtje  “të të drejtave të njeriut, njohja e të cilave është kusht për vetë ekzistencën e shtetit të së drejtës”.

Botëkuptimi humanist i profesionit

         Papa thekson se magjistrati e juristi i kësaj Gjykate duhet të ketë një botëkuptim humanist për profesionin e vet:

“Kontrolli rigoroz i shpenzimeve i vë fre tundimit për t’i administruar burimet jo me mençuri, por me klientelizëm e për konsensus zgjedhor, gjë e shpeshtë në ata që kanë detyra politike apo administrative. “Duhet t’i japim më shumë hapësirë politikës së shëndoshë, të aftë të reformojë institucionet, t’i koordinojë dhe t’u sigurojë atyre praktika të mira, që mundësojnë kapërcimin e presioneve dhe të amullive. Megjithatë, duhet të shtojmë se edhe planet më të mira dështojnë, kur mungojnë horizontet e larta, vlerat, perceptimi i pasur humanist, i aftë për t’i dhënë çdo shoqërie një orientim fisnik dhe bujar” (Enciklika “Laudato si’”, 181 ).

Lufta kundër korrupsionit

Në këtë perspektivë, Papa Françesku sheh edhe “luftën e palodhur kundër korrupsionit”:

         “Kjo është një nga plagët e indit shoqëror, që pikon më tepër gjak, sepse e dëmton rëndë atë, si në planin etik, ashtu edhe në atë ekonomik: me iluzionin e fitimeve të shpejta e të lehta, në të vërtetë, varfëron të gjithë, duke cënuar besimin, transparencën dhe besueshmërinë e krejt sistemit. Korrupsioni e nëpërkëmb dinjitetin e individit dhe i bën copë e grimë të gjitha idealet e mira e të bukura. Shoqëria, në tërësinë e saj, është e thirrur të impenjohet konkretisht për ta luftuar kancerin e korrupsionit e format e tij të ndryshme”.

Të veprohet në mbrojtje të të varfërve

         Detyrë e administratorëve publikë është të veprojnë me “transparencë e ndershmëri”, duke favorizuar besimin ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve, “cënimi i të cilit është një nga problemet më të rënda për demokracinë”. Në veçanti, nënvizoi Papa, duhen mbrojtur të varfërit e të ligështit:

“Pasuritë e përbashkëta janë burime, që duhen mbrojtur në favor të të gjithëve, veçanërisht të më të varfërve. Përballë përdorimit të tyre të papërgjegjshëm, shteti duhet të kryejë një funksion mbikëqyrës të domosdoshëm, duke dënuar qëndrimet e paligjshme”.

Të shtohet kultura e ligjshmërisë

Në këtë perspektivë, Ati i Shenjtë uroi që juristët e Gjykatës së Revizorëve, “të frymëzohen gjithnjë nga vetëdija se po shërbejnë, me qëllim që të shtohet kultura e ligjshmërisë në shoqëri”, pa u dorëzuar para “të këqijave brenda nesh”:

“Jezu Krishti na nxit të përballemi hapur me të keqen dhe të shkojmë në rrënjë të problemeve. Na mëson ta paguajmë personalisht çmimin e kësaj lufte, jo për të përfituar nga heroizmi e nga protagonizmi, por për të ngulur këmbë me përvujtërinë e atyre, që bëjnë punën e vet, shpesh fshehtazi, duke u rezistuar presioneve të botës”.

18 mars 2019, 14:55