Papa: Shndërrimi Krishtit është premtim shëlbimi

Duke e marrë shtytjen nga liturgjia e sotme, e Diela II e Kreshmëve, Papa, para lutjes mariane të Engjëllit, u ndalua tek Shndërrimi i Krishtit, për të shpjeguar domethënien ungjillore e për të kaluar, pastaj, tek jeta e përditshme e të krishterit në periudhën kreshmore.

R. SH. - Vatikan

“Askush nuk arrin në jetën e pasosur, nëse nuk e ndjek Krishtin, duke mbartur kryqin e vet në jetën tokësore”. Prova, vuajtjet e vështirësitë nuk janë forma sadomazokizmi! Janë udhë e nevojshme, kalimtare, drejt një lavdie më të madhe, që na e tregon e Diela e dytë e Kreshmëve. Duke kundruar Krishtin e shndërruar, sot parashijojmë gëzimin e Pashkëve.

Përmes shkandullit të kryqit, arrihet në jetën e pasosur

Gjatë rrugës, që po bëjmë drejt solemnitetit të Pashkëve, pikë kulmore e Vitit liturgjik e edhe e vitit të çdo të krishteri, Papa, në reflektimin e tij para lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, u ndalua tek kuptimin  i etapës, për të cilën na flet sot Ungjilli i Lukës. Jezusi, si mori me vete Pjetrin, Jakun e Gjonin, të vëllain “i çoi mbi një mal të lartë. E u shndërrua para tyre”. E madhe, habia e tre apostujve - kujtoi Papa -  përballë një fytyre që nuk ngjiste më me fytyrën e njeriut. Posaçërisht i mahnitur, Pjetri dëshironte që ky çast hiri të mos mbaronte kurrë. Çast i mahnitshëm për dishepujt, të cilët nuk ishin ende gati t’i pranonin Pashkët e afërme, fijimin më të lartë, që do t’i paraprinte edhe lumnisë më të lartë:

“Jezusi e di se ata nuk e pranojnë këtë realitet - realitetin e kryqit, realitetin e vdekjes së Tij - e atëhere dëshiron t’i përgatisë për ta mbartur shkandullin e mundimeve e të vdekjes së kryqit, që ta dinë se kjo është udha, përmes së cilës Ati qiellor e bën të arrijë në lumni Birin e vet të zgjedhur, duke e ngjallur prej së vdekurish. E kjo do të jetë edhe udha e dishepujve: askush nuk mund të arrijë në jetën e pasosur, nëse nuk e ndjek Jezusin, duke mbartur mbi shpinë kryqin e vet në jetën tokësore. Secili prej nesh e ka kryqin e vet! Sot Zoti na bën të shikojmë fundin e kësaj udhe, që është Ringjallja, bukuria, pasi ta kemi mbartur kryqin tonë”.

Në fytyrën e shndërruar, shikojmë dritën e shëlbimit

Këtë na tregon Shndërrimi i Zotit - sipas Françeskut. - E kjo është edhe perspektiva  e vuajtjes së krishterë. Nuk është sadomazokizëm, por udhë e nevojshme e kalimtare - pohoi Papa - sepse shumë më i ndritur është caku, ku jemi të thirrur, shumë më e ndritshme, pikarritja jonë, ashtu si e ndritshme është edhe fytyra e Krishtit të shndërruar, që ka në vetvete “shëlbimin”, “lumninë”, “dritën”, “dashurinë e pacak”:

“Duke e treguar kështu lumninë e Tij, Jezusi na siguron se kryqi, provat, vështirësitë, me të cilat ndeshemi çdo ditë, nuk janë të pakapërcyeshme. E, si t’i kemi kapërcyer, arrijmë tek Pashkët. Të ngjitemi edhe ne, prandaj, në këto Kreshmë, mbi mal, me lutje; me lutjen e heshtur, lutjen e zemrës, lutjen… Gjithnjë në kërkim të Zotit. Të rrimë ndonjë çast në heshtim, çdo ditë nga pakëz, t’ia ngulim sytë e shpirtit fytyrës së Zotit, ta lëmë dritën e tij të depërtojë në gjithë jetën tonë e ta mbushë me rreze”.

Lutja na bën të ndritshëm

Shndërrimi i natyrës njerëzore në hyjnore ndodh në çastin e bashkimit intim të Jezusit me Atin. Françesku kujtoi sesi në Ungjill, Shën Luka Apostull ngulmon mbi faktin se Jezusi u shndërrua “ndërsa lutej”. Ishte zhytur i tëri në bisedë intime me Atin, në të cilën jehonin edhe Ligji e Profetët - Moisiu dhe Elia - E ndërsa e pranonte me gjithë vetveten vullnetin e shëlbimit të Atit, duke përfshirë edhe kryqin, lumnia e Zotit e mbështolli, e shndërroi, e bëri të ndritshëm! Ja, ky është aspekti tjetër i Shndërrimit: pushteti shndërrues që ka lutja mbi njeriun e, përmes njeriut, mbi botën. Sa herë - pohoi Papa duke folur lirisht - kemi parë njerëz me shikim të shndritshëm. Këtë bën lutja: të bën të ndritshëm. Prej këndej, ftesa e Papës për përgatitjen e Pashkëve:

“Ta vijojmë me gëzim udhën tonë kreshmore. Ta gjejmë kohën e nevojshme për lutjen e për Fjalën e Zotit, që na e propozon begatisht liturgjia e këtyre ditëve. Virgjëra Mari na mësoftë të rrimë me Jezusin edhe kur nuk arrijmë ta kuptojmë. Sepse vetëm duke ndenjur me Të, do ta shohim lavdinë e Tij”.

17 mars 2019, 16:07