Kërko

Santa famiglia, Gesù, Giuseppe e Maria Santa famiglia, Gesù, Giuseppe e Maria 

Papa Françesku: Shën Jozefi na dhashtë aftësinë të ëndërrojmë gjëra të bukura e të mëdha

“Shën Jozefi u dhashtë të rinjve aftësi të ëndërrojnë e të rrezikojnë për t’i realizuar detyrat e vështira, që i panë në ëndrra”. Kështu u shpreh Françesku në Meshën e mëngjesit të 20 marsit 2017, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike kremton  sot më 19 mars festën e Shën Jozefit, fati i së Lumes Mari Virgjër, pajtor i Kishës universale. E sipas traditës, në festën e atit të adoptuar të Jezusit, kremtohet edhe festa e baballarëve. Shën Jozefi rojtar i ligështive dhe i “ëndrrës së Zotit”. Njeri i heshtur, i dëgjueshëm. Kësaj figure, Papa Françesku ia kushtoi homelinë e Meshës së 20 marsit 2017, duke e portretizuar Shën Jozefin si njeri, që mbante mbi supe premtimet e të parëve, të trashëgimisë, të atësisë, të bijësisë, të  qëndrueshmërisë.

Shën Jozefi “babai i ligjshëm i Jezusit”, është shembull i njeriut të drejtë, besnik ndaj ligjit të Zotit, i gatshëm për të plotësuar vullnetin e tij hyjnor”. “Shën Jozefi u dhashtë të rinjve aftësi të ëndërrojnë e të rrezikojnë për t’i realizuar detyrat e vështira, që i shohin në ëndrra”. Kështu u shpreh Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit të 20 marsit 2017, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. 

Në vijim ju propozojmë pjesë nga homelia e kësaj dite, që kishte në qendër figurën e Shën Jozefit, rojtar i ligështive dhe i “ëndrrës së Zotit”, solemniteti i të cilit më 2017 u zhvendos për datën 20 mars, sepse 19 marsi vitit 2017 përkonte me të Dielën e Kreshmëve.

Shën Jozefi i bindet fjalës së engjëllit dërguar nga Zoti, që i duket në ëndërr, e merr me vete Marinë shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt, ashtu siç na e rrëfen Ungjilli i Mateut. Njeri i heshtur, i dëgjueshëm. Shën Jozefi, pohoi Papa Françesku ishte “ burrë, ëndërrimtar, i aftë ta pranojë detyrën që ia caktoi Zotit, i aftë ta mbajë këtë barrë të rëndë, prandaj, ka shumë për të na thënë në këtë kohë, kur ndjehemi kaq jetimë. E kështu, ky njeri – shën Jozefi e merr premtimin e Zotit dhe e çon përpara në heshtje, burrërisht, e çon përpara, sepse Zoti vetë dëshiron që të përmbushet.

Shën Jozefi është njeri, që mund të na thotë shumë gjëra, por që nuk flet! Është njeri i fshehur, njeri i heshtjes, që fiton edhe më shumë autoritet pikërisht në atë çast, kur nuk duket. E Papa nënvizoi se punët, që Zoti ia beson zemrës së Jozefit, janë gjëra të ligshta, janë premtime, e premtimi është gjithnjë i ligshtë. E pastaj edhe lindja e fëmijës, ikja në Egjipt, situata ligështie edhe këto. Jozefi i merr në zemër e i çon përpara të gjitha këto ligështi, me shumë, shumë dashuri, ashtu si merret ferishtja në krahë, me dashuri e dhembshuri të madhe:

“Është njeri, që nuk flet, por bindet, njeri i dhembshur e i aftë për t’i çuar përpara premtimet, që të bëhen të qëndrueshme, të sigurta; njeri që garanton qëndrueshmërinë e Mbretërisë së Zotit, atësinë e Zotit, bijësimin tonë me Birin e Zotit. Jozefin më pëlqen ta përfytyroj si rojtar të ligështive, edhe ligështive tona, si njeri të aftë për të bërë të lindin shumë gjëra të bukura nga ligështitë tona, nga mëkatet tona”.

E Jozefi është rojtar i ligështive, që të bëhen të qëndrueshme në fe. Por nuk duhet harruar se këtë detyrë e mori gjatë një ëndrre: është njeri i aftë për të ëndërruar - vërejti Françesku. – E, prej këndej, ëndrra e Zotit për t’i shpëtuar të gjithë, për t’i shpërblyer të gjithë, i besohet pikërisht atij:

“I madh, ky zdrukthëtar!” - brohoriti Papa - hesht, punon, ruan, çon përpara ligështitë e është i aftë edhe për të ëndërruar. Figurë, që e ka një mesazh për të gjithë:

“Unë sot dëshiroj t’i kërkoj të na japë të gjithëve aftësinë për të ëndërruar, sepse kur ëndërrojmë gjëra të mëdha, gjëra të bukura, i afrohemi ëndrrës që ëndërron Zoti për ne! Të rinjve u dhashtë - sepse ishte i ri - aftësinë për të ëndërruar, për të rrezikuar e për të marrë mbi vete detyrat e vështira, që i panë në ëndërr. E ne të gjithëve na dhashtë besnikërinë, që rritet përmes sjelljeve të drejta, e ai ishte i drejtë, rritej në heshtje - fjalëpaktë - e rritej përmes dhembshurisë së njeriut, që është i aftë t’i ruajë ligështitë e veta e edhe ato të të tjerëve”

19 mars 2019, 12:18