Vatican News

Papa: sekreti sakramentor e mbron Rrëfimin

Duke pritur sot më se 700 pjesëmarrësit e Kursit të 30-të mbi Forin e brendshëm, organizuar nga Pendestaria Apostolike, Françesku nënvizoi vlerën e rrëfimit dhe domethënien që ka Sakramenti në kushtet aktuale.

R. SH. - Vatikan

Duke pritur sot më se 700 pjesëmarrësit në Kursin e 30-të mbi Forin e brendshëm, organizuar nga Pendestaria Apostolike, Françesku vërejti që shumëkush mbështet mendimin se Rrëfimi, e me të, edhe kuptimi i mëkatit”, është në krizë,  duke shtuar se “njeriu i kohëve tona has një farë vështirësie para këtij sakramenti kaq të rëndësishëm”, por edhe të veçantë. Prej këndej i nxiti rrëfyesit, edhe ata “mëkatarë të falur”, ta respektojnë dinjitetin e njeriut, që ia beson të fshehtat më delikate rrëfyesit, e t’i prijnë kah bukuria e Mëshirës Hyjnore.

Gjithnjë me shumë bujari

Dëgjojeni gjithnjë me “bujari të madhe”, me durim, me zemër të hapur, me frymën e atit, rrëfimin e besimtarëve, duke përshkuar me ta udhën e shenjtërimit, që është vetë sakramenti e duke kundruar mrekullitë e kthesës që bëhet në sekretin e rrëfyestores me ndërmjetësinë e hirit hyjnor, mrekulli për të cilat janë dëshmitarë vetëm meshtarët e pendestarët - së bashku me engjëjt – kjo porosia e Papës dhënë rrëfyesve.

Vula, apo sekreti sakramentor

“Pajtimi me Zotin përmes Sakramentit të Rrëfimit - sqaroi akoma Papa - është një e mirë, që urtia e Kishës e ka mbrojtur gjithnjë e me gjithë forcën e saj morale e juridike, me vulën sakramentale”, apo me sekretin. Edhe pse jo gjithnjë i mirëkuptuar nga mendësia moderne, është i domosdoshëm për shenjtërinë e sakramentit dhe lirinë e ndërgjegjes së pendestarit, i cili duhet të jetë i sigurt në çdo çast se bisedimi sakramentor do mbetet sekret në rrëfyestore. Sekreti sakramentor është i domosdoshëm e asnjë pushtet njerëzor nuk ka të drejtë ta kërkojë nga rrëfyesi”.

Këto, fjalët e Papës drejtuar, në Sallën Pali VI, 700 pjesëmarrësve në Kursin e tridhjetë mbi Forin e brendshëm, mbajtur këto ditë në Pallatin e Kancelarisë, në Romë, organizuar nga Pendestaria Apostolike. Pendestaria është gjykata më e lashtë në shërbim të Papës, “gjykatë mëshire” - shpjegoi Françesku, i cili sot pasdite kryesoi, në Bazilikën e Vatikanit, Kremtimin pendestar të hapjes të nismës së lutjes e të reflektimit “24 orë për Zotin”.

Kujtojmë se Fori i Brendshëm ka një mori kompetencash, që mund t’i njohim nga afër përmes leximit të neneve 117-120 të Kushtetutës “Pastor bonus” (28 qershor 1988). Ndërmjet tyre, kompetenca e Pendestarisë Apostolike për ndjesat e hire të tjera, sigurimi i numrit të nevojshëm të rrëfyesve në kishat e Romës e shumë kompetenca të tjera.

29 mars 2019, 16:24