Papa Françesku dhe kryetarja e bashkisë së Romës, Virginia Raggi Papa Françesku dhe kryetarja e bashkisë së Romës, Virginia Raggi 

Papa: Roma të jetë në lartësinë e historisë dhe të përballet me sfidën epokale të mikpritjes

Kapitoli pret Papën Françesku, i katërti që shkon për vizitë zyrtare në bashkinë e Romës. Kryebashkiakja Virginia Raggi njofton themelimin e një burse studimi dhe kushtimin e sallës së vogël të protomotekës Enciklikës “Laudato si’”.

R.SH. - Vatikan

Historia mijëvjeçare e “Qytetit të Amshuar”, “arkë e madhe thesaresh shpirtërore, historiko-artistike dhe institucionale”; dialogu, “me respekt të ndërsjellë”, ndërmjet “pushtetit tokësor dhe atij shpirtëror”; çështja e mikpritjes dhe e shërbimit, sidomos, për “të mënjanuarit”, për të hedhurit e të harruarit, për ata “që provojnë vuajtjet e sëmundjes, të braktisjes ose të vetmisë”. Këto ishin temat në qendër të fjalës, që Papa Françesku shqiptoi sot, në sallën e Jul Cezarit, gjatë vizitës së tij në bashkinë e Romës.

Tingujt e borisë së besimtarëve të mbledhur para Kapitolit, shënuan mbërritjen e Atit të Shenjtë, pak para orës së parashikuar. Kryebashkiakja Virginia Raggi e priti mysafirin e shquar, për ta shoqëruar në Pallatin e Senatorit. Biseda private me kryetaren, takimi me zv.kryetarin, me kryetarët e grupeve të këshillit, me drejtuesit, si dhe me këshilltarët dhe me kryetarët e lagjeve, i paraprinë nënshkrimit të Librit të Artë kapitolin.

Roma dhe historia e saj e mikpritjes dhe e integrimit

Papa Bergoglio falënderoi të gjithë për mikpritjen dhe nënvizoi dëshirën e tij për ta vizituar prej kohësh Kapitolin, sidomos për të falënderuar administratën për bashkëpunimin me Selinë e Shenjtë, me rastin e Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës, si edhe gjatë kremtimit të ngjarjeve të tjera kishtare. Me “gati 2.800 vjetët e historisë”, Roma “ka ditur të presë dhe të integrojë popullata dhe njerëz të llojllojshëm nga e gjithë bota, që u përkasin kategorive nga më të ndryshmet shoqërore dhe ekonomike, pa i shlyer dallimet e tyre legjitime, pa poshtëruar e shtypur veçoritë dhe identitetin e veçantë të secilit”. Në “kryeqytetin e Italisë dhe qendrën e katolicizmit", “pol tërheqës dhe hallkë”, ku, ndër të tjera, janë martirizuar apostujt shën Pjetri e shën Pali, kujtoi Papa, u vendos “ky dallim providencial ndërmjet autoriteteve civile dhe fetare, në respektin e ndërsjellë dhe në bashkëpunimin për të mirën e të gjithëve”.

“Prandaj, Roma, në një farë mënyre, e detyron pushtetin tokësor dhe atë shpirtëror të dialogojnë vazhdimisht, të bashkëpunojnë mbi baza të qëndrueshme në respektin e ndërsjellë; gjithashtu, na kërkon të jemi krijues, si në endjen e përditshme të marrëdhënieve të mira, ashtu edhe në përballimin e shumë problemeve, që medoemos bart mbi vete administrimi i një trashëgimie të tillë pa fund”.

Roma të jetë fener qytetërimi dhe mësuese e mikpritjes

Papa Françesku kujtoi marrëveshjen për rishikimin e Konkordatit (Marrëveshjes bazë të Selisë së Shenjtë me shtetin italian) ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë, 35-vjetori i të cilit kremtohet këtë vit dhe pranoi se Roma është një “organizëm delikat, i cili ka nevojë për kujdes dhe guxim plot përvujtëri e zell krijues që t’i ruhet rendi dhe jeta, që shkëlqimi i saj të mos venitet, por që mbi grumbullin e lavdive të kaluara të shtohet kontributi i brezave të rinj”.

“Por, është edhe më e rëndësishme që Roma të mbetet në lartësinë e detyrave dhe të historisë së saj, të dijë, edhe në rrethanat e ndryshme të sotme, të jetë fener qytetërimi dhe mësuese e mikpritjes, që të mos e humbë urtinë, e cila dëshmohet në aftësinë për t’i integruar dhe për ta bërë këdo të ndihet pjesëmarrës, me të gjitha të drejtat, në fatin e përbashkët”.

Nuk duhet pasur frikë nga mirësia dhe bamirësia!

         Papa Françesku foli në 45-vjetorin e Kuvendit “Përgjegjësitë e të krishterëve para pritshmërisë për bamirësi e drejtësi në dioqezën e Romës”. Prandaj, nënvizoi se Kisha, që vepron në kryeqytetin italian, “dëshiron t’i ndihmojë romanët të rigjejnë ndjenjën e përkatësisë në një bashkësi kaq të veçantë”, si edhe të bashkëpunojë me “pushtetin civil e me gjithë qytetarët për t’i ruajtur qytetit fytyrën e tij më fisnike, ndjenjat e tij të dashurisë së krishterë dhe të qytetërimit”.

“Roma, ky qytet mikpritës, është i thirrur të përballet me këtë sfidë epokale, në vazhdën e historisë së saj fisnike; të përdorë energjitë e saj për të mirëpritur dhe integruar, për të shndërruar tensionet dhe problemet në mundësi për takim dhe zhvillim. Roma, e fekonduar nga gjaku i martirëve, të dijë të nxjerrë nga kultura e saj, e plazmuar nga besimi në Krishtin, krijimtarinë dhe bamirësinë e nevojshme për ta kapërcyer frikën, që ka rrezik të bllokojë nismat dhe udhët e mundshme”.

Roma duhet të jetë “qyteti i urave, jo i mureve”

Prandaj, Roma duhet të jetë “qyteti i urave, jo i mureve”, vijoi Papa Françesku, sidomos kur është fjala për t’u dhënë dorën “shumë emigrantëve, që kanë ikur nga luftërat dhe mjerimi, që kërkojnë ta rindërtojnë jetën në kushte sigurie dhe dinjiteti”. Ati i Shenjtë ftoi për të mos pasur frikë nga “mirësia dhe bamirësia”, sepse ato janë mjete për të ndërtuar një “shoqëri paqësore, të aftë t’i shumëfishojë forcat, t’i përballojë problemet me seriozitet dhe pa ankth, me dinjitet dhe respekt më të madh për secilin dhe të hapë mundësi të reja për zhvillim”. Së fundi, Papa Françesku i bekoi të gjithë dhe u bëri ftesën e përhershme:

“Mbi secilin prej jush i lutem Zotit të dikojë bekime hyjnore e të gjithë i siguroj se do t’i kujtoj në lutje. Lutuni edhe ju për mua e, nëse ndonjëri prej jush nuk lutet, të paktën, le të mendojë mirë për mua! Faleminderit shumë!”

Përshëndetja e kryetares së bashkisë

Në fjalën e saj, kryetarja e bashkisë së Romës, Virginia Raggi, theksoi se “pamja e shtyllave të Berninit në Sheshin e Shën Pjetrit përfaqëson vokacionin e Romës: krahët janë gjithmonë të hapura për botën. Roma është qytet i hapur, qytet i shumëanshëm dhe me shumë kultura”. Duke falënderuar Papën për “të premtet e Mëshirës”, me të cilat ai tregon vëmendje për periferitë, kryebashkiakja njoftoi për themelimin e një burse studimi dhe për kushtimin e sallës së vogël të protomotekës enciklikës “Laudato si’”.

26 mars 2019, 13:14