Kërko

Audienca e Papës Françesku për anëtarët e Qendrës Turistike Rinore Audienca e Papës Françesku për anëtarët e Qendrës Turistike Rinore 

Papa, Qendrës Turistike Rinore: të favorizohet takimi dhe respekti ndërmjet njerëzve

Audiencë në Vatikan për anëtarët e Qendrës Turistike Rinore, 70 vjet pas themelimit. Papa: botëkuptimi i plotë mbi njeriun nuk gjendet në ndonjë doracak, por në ata, që jetojnë syhapur në botë, me zemër të ndieshme për brishtësinë e vëllezërve.

R.SH. - Vatikan

Me rastin e 70-vjetorit të Qendrës Turistike Rinore, themeluar nga Don Carlo Carretto së bashku me të rinjtë e Veprimit Katolik Italian, Papa priti në Sallën Pali VI, mbi 1000 drejtues dhe anëtarë, duke vënë menjëherë në dukje entuziazmin dhe fantazinë e nismave të promovuara nga ky institucion. 70 vjet më parë, vërejti Françeku, u vu në zbatim ideja e shndërrimit të ambientit shoqëror, pëmes veprimtarive krijuese e kulturore, përmes lidhjeve shoqërore të frymëzuara nga pjesëmarrja dhe botëkuptimi i gjithanshëm mbi njeriun. Sot, ky vizion duhet të përtërihet më shumë se kurrë, nuk duhet kufizuar në teori, por duhet të jetë shprehje e mënyrës së veprimit e të qëndrimit afër njerëzve, zbatuar në kuadrin përkatës historik dhe kulturor.

“Ky botëkuptim nuk gjendet në ndonjë doracak, por në njerëz, që jetojnë me këtë stil: syhapur mbi botën, me duar që shtrëngojnë duar të tjera, me zemra të ndieshme për brishtësitë e vëllezërve. Mund të themi edhe se “gjithanshmëria”, për të cilën përpiqeni, nuk aludon përsosmërinë, por papërsosmërinë; nuk kujton plotësinë e individit, por paplotësinë e tij, si edhe nevojën për të shikuar përreth e për ta kuptuar njëri-tjetrin më thellë; kjo nuk çon në palëvizshmëri mendjemadhe, por në kërkimin plot përvujtëri të njohurive të reja, të kontaktit me njerëzit, me kulturat e me problemet e kohës sonë”.

Turizmi të mos frymëzohet nga konsumizmi

Papa Françesku u ndal edhe në llojin e turizmit të promovuar nga shoqata: ai nuk frymëzohet nga konsumizmi dhe etja për fitim, por favorizon takimin ndërmjet njerëzve dhe territorit, duke ushqyer dijen dhe respektin reciprok. Është i ashtuquajturi “turizëm i ngadalshëm”, i kundërt me atë masiv, në gjendje të promovojë solidaritetin, cilësinë dhe qëndrueshmërinë. I ngjashëm me breshkën, që ecën ngadalë, por me vendosmëri. Me këtë lloj qetësie, nënvizoi Ati i Shenjtë, breshka na mëson se ngadalësia, nëse nuk është rezultat i përtacisë, ngjall vëmendje ndaj vendeve e njerëzve dhe besnikëri ndaj tokës.

Ndihmojini të rinjtë të fluturojnë lart

Të rinjve të Qendrës Turistike, Papa u kërkoi të jenë shokë udhëtimi për shumë bashkëmoshatarë, që nuk shpresojnë më dhe nuk janë në gjendje të ëndërrojnë, që janë të zhgënjyer dhe të pamotivuar përballë së ardhmes, që nuk guxojnë të fluturojnë lart, por kënaqen me pak. Është tepër e shëmtuar, vuri në dukje Ati i Shenjtë, të shohësh një të ri, që bën sikur jeton. Të jep përshtypjen se tashmë, ka dalë në pension!

“Pikërisht në dritën e përshpirtërisë suaj, në kuadrin e Qendrës Turistike Rinore, mund të bëheni shokë udhe me shumë nga bashkëmoshatarët; mund t'i ndihmoni ta ringjallin entuziazmin, nëse nuk e ndiejnë më, pasi e kanë varrosur nën rrënojat e zhgënjimit, ose nën pluhurin e dendur të shembujve të këqij. Ndarja e kohës së lirë me të tjerët, duke e konceptuar si kohë cilësore, mund të bëhet çelës i mirë për të hapur dyert e zemrave të shumë të rinjve, duke krijuar lidhje miqësie, të afta të përçojnë vlera të vërteta e madje, edhe vetë fenë”.

Kremtojeni thirrjen

Së fundi, Papa i inkurajoi të rinjtë të impenjohen gjithnjë e më me bujari dhe i ftoi ta dëshmojnë me krenari katolicizmin, të bindur se të jesh katolik nuk do të thotë të mbyllesh brenda një gardhi, por t’ia hapësh portën botës dhe të jetosh për të mirën e të gjithëve. Festimi i këtij përvjetori, përfundoi Françesku, do të thotë kremtim i thirrjes, që keni marrë prej Zotit, prandaj ai është edhe pranim i misionit, që u është besuar në Kishë e në familjen njerëzore.

22 mars 2019, 15:08