Parlamentarët e Republikës Ceke e Republikës Sllovake takohen me Papën Françesku Parlamentarët e Republikës Ceke e Republikës Sllovake takohen me Papën Françesku 

Papa politikanëve: me dialog, të favorizohen marrëdhëniet ndërmjet popujve

Duke pritur një delegacion të parlamentarëve të Republikës Çeke dhe të Republikës Sllovake, Papa Françesku nxit të rivlerësohen rrënjët e krishtera për të ndërtuar shoqëri mikpritëse dhe solidare.

R.SH. - Vatikan

Të rizbulohet lidhja “e brendshme” ndërmjet Ungjillit dhe identitetit tuaj kulturor, duke rivlerësuar rrënjët e krishtera, “për të ndërtuar një shoqëri në të cilën mund të gjejnë vend mikpritja dhe solidariteti”. Ky, mandati i Papës për delegacionin e parlamentarëve nga Republika Çeke dhe ajo Sllovake, pritur sot, në Vatikan, në 1150-vjetorin e vdekjes së Shën Cirilit në Romë, më 14 shkurt 869.

Popujt të njihen e të jenë të përzemërt me njëri-tjetrin

         Së bashku me të vëllain, Metodin, shën Cirili u deklarua nga shën Gjon Pali II bashkëpajtor i Evropës. Figurë, kujton Françesku, që diti të lidhë “marrëdhënie njohjeje dhe përzemërsie ndërmjet popujve, duke u bërë hallkë bashkimi mes kulturave dhe traditave të ndryshme kishtare”.

“Shpresoj që një trashëgimi e tillë shpirtërore dhe kulturore të nxisë në të gjithë bashkëqytetarët tuaj dëshirën për takim me të tjerët. Duhet të mësojmë si të jetojmë në larmi, përmes dialogut, bashkëndarjes, duke ndërtuar ura dhe duke shembur barrierat e mosbesimit dhe të paragjykimit. Me këto qëndrime bëhemi dëshmitarë të solidaritetit dhe protagonistë të paqes”.

Krishterimi, burim shprese

Nga ana tjetër, nënvizon Ati i Shenjtë, misioni i dy vëllezërve të Selanikut e ka shenjuar në mënyrë të pashlyeshme “historinë, artin dhe gjithë kulturën” e Republikave Çeke dhe Sllovake: nga dy shenjtorët mbërrijnë deri në ditët tona, shumë pasuri shpirtërore dhe kulturore, “trashëgimi morale për t’u ruajtur dhe për t’u shtuar gjithnjë e më shumë”.

“Historia juaj na mëson se Krishtërimi ka qenë gjithmonë burim shprese dhe force për rimëkëmbjen, veçanërisht në periudhat më të errëta dhe më të vështira”.

Kthesa epokale

Nga Greqia, Cirili dhe Metodi ungjillëzuan popullin e Panonisë dhe të Moravisë, duke krijuar “të ashtuquajturin alfabet sllav” dhe duke përkthyer Biblën “në gjuhën e vjetër sllave”. Ata ofruan kështu, një dhuratë të çmuar për jetën dhe zhvillimin kulturor në ato troje.

“Mesazhi bibliko-kristian e ka ndihmuar lindjen e shtetit juridik, si në vendet tuaja, ashtu edhe në shtetet afër jush. Në Krishterimin e shpallur përmes predikimit dhe kremtimit të liturgjisë, është arritur kthesa epokale e shoqërisë suaj”.

E mira, e vërteta dhe e bukura

         Vepra e gjerë ungjillëzuese e “apostujve të sllavëve”, vëren Papa, përbën “model akoma të vlefshëm inkulturimi, në elementet e saj thelbësore”.

         “Përnjimend, Ungjilli nuk e dobëson të vërtetën, që gjen në kulturat e ndryshme lokale, por i ndihmon njerëzit dhe bashkësitë ta njohin e ta realizojnë të mirën, të vërtetën e të bukurën”.

Vëllazërimi dhe e mira e përbashkët

         Urimi përfundimtar i Papës Françesku për politikanët çekë dhe sllovakë është të jenë “çdo ditë”, protagonistë të vëllazërimit dhe promovues të qartë e të paqortueshëm të së mirës së përbashkët, duke u dhënë shpresë popullsive të tyre, për të cilat Ati i Shenjtë kërkon bekime hyjnore.

22 mars 2019, 13:20