Kërko

2019-03-26-visita-del-santo-padre-a-san-giova-1553589541993.JPG

Papa, në Universitetin e Lateranit: Ungjilli është këndvështrim i lirë mbi realitetin

Vizitë e papritur e Papës Françesku në Universitetin Papnor të Lateranit, në Romë. “Doja të vija – tha Ati i Shenjtë – e doja t’ju flisja pak. Kreshmët qenë rasti për ta bërë këtë”. Të jeni gjithnjë në kërkim të së vërtetës, i këshilloi studentët, me iniciativë e të guximshëm kur planifikoni të ardhmen.

R.SH. - Vatikan

Lajmi i vizitës së Papës, që shkoi në Lateran në orën 9.00, para se të vizitonte bashkinë e Romës, u dha me një tweet nga Universiteti. “Universiteti Papnor Lateranens – lexohet në të – mori një dhuratë të jashtëzakonshme. Sot paradite, Papa Françesku, pa pritur e pa kujtuar, erdhi në Universitet për të kryesuar meditimin e Kreshmëve. Bashkësia akademike është në festë dhe e dëgjon me gëzim e vëmendje të madhe”. Ati i Shenjtë mbajti një Lectio divina, gjatë së cilës komentoi Leximin e parë liturgjik të sotëm, marrë nga Libri i Danielit profet.

Të kujtojmë rrënjët, për të planifikuar të ardhmen

Në këtë pjesë, gjejmë lutjen pendestare të tre të rinjve të Izraelit - Anania, Azaria dhe Misaeli - të cilët, në mes të zjarrit, që i kishte përfshirë, pranojnë gabimet e etërve, kërkojnë falje dhe ndihmë, duke besuar në mëshirën e Zotit, të bindur se “nuk ka është zhgënjim për ata që besojnë në Të”. Në këtë pjesë biblike tregohen histori nga shekulli VI para Krishtit, gjatë kohës së mërgimit në Babiloni dhe persekutimit të mbretit Antiok Epifani. Qëllimi i Librit është të zgjojë guxim: përballë persekutimeve të së tashmes, Izraeli shikon shembullin e personazheve të së kaluarës, dëshmia e të cilëve pati mbizotëruar mbi dhunën e pushtetit të botës . E Papa iu drejtua studentëve, rektorit Vincenzo Buonomo dhe gjithë pedagogëve të Universitetit, duke u thënë:

“Të jesh i përfshirë nga zjarri e të mbetesh gjallë: kjo mund të bëhet me ndihmën e Zotit Jezus, Birit të Hyjit dhe me flladin e dërguar nga Shpirti Shenjt. Ju imagjinoj kështu: megjithëse jetojmë në një kuadër kulturor të karakterizuar nga mendimi unik, që i mbështjell dhe i vë të gjithë të flenë me përqafimin e tij vdekjeprurës, si edhe djeg të gjitha format e krijimtarisë dhe të larmisë së mendimit, ju ecni pa u dëmtuar falë rrënjosjes në Jezusin dhe në Ungjillin e tij, bërë aktual nga fuqia e Shpirtit Shenjt. Në këtë mënyrë, ju e hidhni gjithnjë një vështrim lart, por edhe një tjetër mbi realitetin, vështrim i ndryshëm i krishterë, që sjell risi”.

Të kapërcehet mendimi mbizotërues, që çon drejt individualizmit

         Papa Françesku vuri në dukje se udha universitare në këtë institucion katolik synon të mos i izolojë nga bota, por t’i aftësojë ta shohin atë me sy kritik. Ungjilli, u tha studentëve, nuk e bllokon mendimin, por jep një këndvështrim “të lirë, të vërtetë, besnik ndaj realitetit, madje ‘të shëndoshë’, në këtë kohën tonë”. Ati i Shenjtë dha shembullin e atyre, që nuk duan të bëjnë fëmijë, sepse ideologjia mbizotëruese i shtyn të kërkojnë kënaqësi të tjera, duke rënë kështu, në individualizëm. Është ekzaltimi i vetvetes, ose i grupit, tepër i rrezikshëm për shoqërinë, denoncoi Papa, sepse nuk e lë mendjen t’ia hapë dyert shpresës e të ardhmes.

Besim tek Zoti

         Duke iu kthyer lutjes së tre të rinjve izraelitë, Papa Françesku theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në një popull e në historinë e tij. Pavarësisht se të rinjtë e dinë se etërit e tyre kanë gabuar, ata e ruajnë shpresën në Zotin e në mëshirën e Tij. Ati i Shenjtë u kërkoi studentëve ta kenë gjithnjë parasysh këtë udhë të përvijuar nga Hyji:

“Do të doja ta ruani këtë shpresë,  bazuar në premtimin e Zotit. Do të doja shumë që në planifikimin e së ardhmes ta ruani kujtimin se jeni popull, se e keni një histori me gjithë dritëhijet e saj, se jeni protagonistët e sotëm të atij dialogu dashurie ndërmjet Zotit dhe njerëzve, që ka përshkuar shekujt! Ëndrrat e etërve do të ushqejnë dhe do t’i nxisin vizionet tuaja për të sotmen. Kur ta ndjeni veten pjesë e një populli mëkatarësh, do të merrni antikorpet për të mos bërë të njëjtat gabime: ndaj Zotit, ndaj të tjerëve, ndaj gjithësisë”.

Reflektimi, duke u nisur nga jeta konkrete e popullit të Zotit

         Më tej, Papa u kujtoi të pranishmëve se studimet duhet të shërbejnë për ta interpretuar historinë e njerëzimit në dritën e Fjalës së Zotit, të mendohet e ardhmja, pa u mbyllur në “rrethe akademike pa frymëmarrje, duke luajtur me konceptet, në vend që të interpretohet jeta, duke u kapur pas formulave e duke u shkëputur nga realiteti”.

         “Prandaj, dëshiroj që në studimet kishtare të bëhet ‘një ndryshim rrënjësor i paradigmës’, një ‘revolucion i guximshëm kulturor’, që, dalë nga kontributi i reflektimit dhe i praktikës së popullit të Zotit ‘në terren’, në të gjitha anët e botës, të sjellë ‘një hermeneutikë të vërtetë ungjillore, për ta kuptuar më mirë jetën, botën, njerëzit’”.

         E më pas, pa letër, Papa shtoi: “Akoma nuk e kemi kapërcyer logjikën e iluminizmit. Për ta bërë këtë, nevojitet hermeneutikë e re, ajo e kujtesës, e përkatësisë në një popull, e historisë; hermeneutika e udhës drejt shpresës”, duke harmonizuar mendjen, zemrën e duart, pra, atë që mendojmë, atë që ndiejmë dhe atë që bëjmë. Dashurohuni me “mendimin e papërkryer”, nënvizoi Ati i Shenjtë, sepse kjo është udha jonë, gjithnjë e hapur për “maius”-in e Zotit e të së vërtetës.

Të besojmë në dashurinë e Zotit me “pafytyrësinë” rinore

Reflektimi i fundit i Papës u nis nga zemra e penduar e të rinjve të Izraelit përpara Zotit. Janë pak si “të pafytyrë”, nënvizoi Ati i Shenjtë, si djali plangprishës, që beson në faljen e babait të tij, sepse e di se i ati e do fort. Por, pas gjithë kësaj është besimi në Zotin e Papa uroi që studentët të jenë “me iniciativë dhe guximtarë” kur ëndërrojnë e planifikojnë të ardhmen, sepse “pafytyrësisht” të sigurtë e me besim në Zotin.

Ftesa përfundimtare: mos e humbni ndjenjën e humorit

E duke folur për “pafytyrësinë”, Papa Françesku kërkoi falje që e filloi Lectio divina, pa u thënë as mirëmëngjes, por i përshëndeti në fund, duke i falënderuar që e pritën dhe e dëgjuan. Së fundi, i këshilloi studentët të vijojnë punën, duke pasur parasysh se e tashmja është dhuratë e historisë, që duhet çuar në të ardhmen. “Mos e humbni rininë, mos e humbni ndjenjën e humorit”: kjo, ftesa e fundit e Papës.

26 mars 2019, 16:30