Kërko

 Mesha në Shën Martë Mesha në Shën Martë 

Papa në Shën Martë: të mos e harrojmë atë, që bëri Zoti në jetën tonë

Ta ruajmë kujtesën e historisë së shëlbimit. Kur kthehesh mbrapa, “mund të humbasësh busullën e zemrës”. Kështu u shpreh sot paradite Papa, gjatë Meshës kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës

R. SH. - Vatikan

Reflektimi i Papës Françesku sot paradite, në Meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, u nis nga Leximi i Parë, shkëputur nga Libri i Ligjit të Përtrirë (Lp 30,15-20). Është një fragment i fjalimit, mbajtur nga Mosiu para popullit, që përgatitet të hyjë në Tokën e premtuar, duke e vënë para një sfide të rëndë: para jetës a vdekjes! Thirrje e zjarrtë për liri, fjala e Profetit të Madh - nënvizoi Papa - duke u ndaluar posaçërisht tek tri shprehje-kyçe, që shqipton Moisiu para popullit: “Nëse zemra jote kthehet mbrapsht”, “nëse ti nuk dëgjon” dhe “nëse ti përkulesh para zotave të tjerë”:

“Kur zemra jote kthehet mbrapa, kur merr rrugën, që nuk është e drejta, e humbet orientimin, humbet busullën, pa të cilën nuk mund të ecësh përpara. E zemra pa busull është e rrezikshme për të zotin e për të tjerët. Eshtë zemër që merr rrugën e gabuar, që hiqet zvarrë nga idhujt, kur bëhet idhujtare. Që shurdhohet në shpirt”.

Po ne nuk jemi të aftë t’i dëgjojmë  të shurdhërit në shpirt. Madje  edhe ne vetë  kur e kur  bëhemi të shurdhër në shpirt, nuk e dëgjojmë zërin e Zotit - kujtoi Papa - duke tërhequr, më pas vëmendjen për t’u ruajtur nga “fishekzjarret” që na joshin, që quhen “zota të rremë” e që na bëjnë me njëmijë zëra, thirrje për të ecur drejt idhujtarisë.  Ky është rreziku. Ky na zë pritë gjatë udhës, asaj udhe, e cila na çon drejt Tokës, që na u premtua të gjithëve: “tokës së takimit me Krishtin e ngjallur”.

E Kreshmët na ndihmojnë të ecim në këtë rrugë - pohoi Papa - duke kujtuar se të mos e dëgjosh Zotin dhe premtimet e Tij, do të thotë të humbasësh kujtesën: e kur e humbet kujtesën e punëve të mëdha, që bëri Zoti në jetën tonë, që bëri Kisha  e Tij për popullin e vet, nis të ecësh duke u mbështetur vetëm mbi forcat tua, duke e mbivlerësuar vetveten. Derisa vetvetja të të tradhtojë! Prej këndej, Françesku ftoi t’i fillojmë Kreshmët duke kërkuar “hirin e kujtesës”. Për t’u rikthyer, më pas, përsëri tek fjalimi i Moisiut drejtuar popullit, të cilin e porosit që, kur të ketë arritur në atë Tokë, të cilën nuk e  fitoi; kur të ketë ngrënë grurin, të cilin nuk e mbolli, të kujtojë gjithë udhën, ku i priu vetë Zoti. Të mos harrojë! Sepse kur ndjehemi fare mirë, kur kemi gjithçka në rregull, kur na prehet shpirti, rrezikohemi ta humbasim kujtesën e rrugës së bërë. E kur harrojmë, na zë pritë rreziku i kthimit mbrapa:

“Mirëqenia, edhe ajo shpirtërore, e ka gjithnjë këtë rrezik: rrezikun  e rënies në një farë harrese, rrezikun e zbehjes a të humbjes së plotë të kujtesës: jam fare mirë kështu si jam e e harroj çka bëri Zoti për mua, për jetën time. I harroj të gjitha hiret, që më dhuroi e besoj se janë fryt i meritës sime. E dalëngadalë nis kthimi mbrapsht, sepse nuk dëgjohet më zëri i zemrës: kujtesa. Humbet hiri i kujtesës!”.

Më pas Papa u ndalua tek një fragment nga Letra drejtuar Hebrenjve, që duket se ndjek të njëjtën skemë, bën të njëjtën thirrje,  për të kujtuar “ditët e para”.

Humbja e kujtesës është shumë e rëndomtë - nënvizoi Françesku - edhe populli i Izraelit e pati humbur, sepse është zakon “të kujtosh çka të pëlqen e të harrosh çka të rrezikon”. Për shembull, populli që ravgonte në shkretëtirë, e kujtonte se ishte vetë Zoti, ai që e shpëtoi. Nuk mund ta harronte këtë! Por kjo nuk e pengoi fare të ankohej për mungesën e ujit e të mishit e të kujtonte qepët e hudhrat, që hante në Egjipt. Në sofrën e skllavërisë. E, me këto mendime, do të ishte endur për jetë në shkretëtirë, po të mos ishte busulla, kujtesa, Zoti! Prej këndej Papa nënvizoi përsëri se nuk mund të shkohet para, pa kujtesë. Duhet rikujtuar, për të shkuar përpara; nuk duhet humbur historia, “historia e shëlbimit, historia e jetës sime, historia e Krishtit me mua”. E nuk duhet të ndalemi kurrë, nuk duhet të kthehemi kurrë mbrapa, të hiqemi zvarrë nga idhujt. E të mos harrojmë se idhujtari nuk do të thotë vetëm të shkosh në ndonjë tempull pagan e të adhurosh një shtatore:

“Idhujtaria është sjellje e zemrës, kur ty të pëlqen diçka, ngaqë të shkon për shtat më shumë sesa Zoti, sepse e harrove Zotin. Në fillim të Kreshmëve na bën mirë të gjithëve të lutemi për ta ruajtur kujtesën e hirit të Zotit mbi jetën time. Hirin për të kujtuar sa më deshi e si më deshi Zoti.   E do të na bënte mirë edhe të përsërisim vazhdimisht këshillën që i jepte Pali dishepullit të tij të dashur, Timoteut: ‘Kujtoje Jezu Krishtin e ngjallur prej së vdekurish’. Po e përsëris: ‘Kujtoje Jezusin e ngjallur, mos harro se Jezusi të shoqëroi deri më sot e do të të shoqërojë deri në çastin kur do të të duhet të paraqitesh para Krishtit të lumnuar. Zoti na e dhashtë këtë hir, ta ruajmë kujtesën”.

07 mars 2019, 13:19