Cerca

Vatican News
Besimtarë rumunë në katedralen e shën Jozefit, në Bukuresht, që do ta vizitojë Papa Besimtarë rumunë në katedralen e shën Jozefit, në Bukuresht, që do ta vizitojë Papa 

Papa në Rumani: programi i udhëtimit

U bë i njohur sot nga Salla e Shtypit e Vatikanit, programi zyrtar i udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Rumani, që do të fillojë më 31 maj për të përfunduar më 2 qershor.

R.SH. - Vatikan

“Të ecim së bashku!”: kjo është motoja e udhëtimit të ardhshëm apostolik treditor, që Papa Françesku do të bëjë në Rumani, duke iu përgjigjur ftesës së presidentit të Republikës, autoriteteve shtetërore dhe Kishës Katolike. Katër, etapat e parashikuara: Bukureshti, Iashi, Shumuleu-Çiuk dhe Blazh.

Në Bukuresht, Papa Françesku parashikohet të mbërrijë më 31 maj, në orën 11.30, në aeroportin ndërkombëtar Henri Coandă -Otopeni, ku do t’i urohet mirëseardhja, para se të shkojë për ceremoninë zyrtare dhe vizitën e kortezisë tek presidenti e tek kryeministri i Rumanisë, në Pallatin Cotroceni. Këtu, Papa do të mbajë fjalimin e tij të parë, drejtuar autoriteteve, shoqërisë civile dhe Trupit diplomatik.

Pasditja do t’u kushtohet takimeve fetare. I pari dhe më kryesori është ai privat me Patriarkun ortodoks Daniel, në pallatin e Patriarkanës e, pastaj, ai me Sinodin e përhershëm të Kishës Ortodokse rumune, ku pritet që Papa të mbajë fjalimin e dytë. Më pas, lutja “Ati ynë” në katedralen e re ortodokse dhe kremtimi i meshës në gjirin e katolikëve, në katedralen e shën Jozefit.

Etapa e dytë e udhëtimit të Françeskut, më 1 qershor, do të jetë Bakau, nga ku do të shkojë në shenjtëroren e Shumuleu-Çiuk për meshën. Më pas, gjithnjë me helikopter, zhvendosja në katedralen e Zojës Mbretëreshë në Iashi. Këtu, do të mbahet takimi marian i Atit të Shenjtë me të rinjtë dhe familjet, në sheshin përpara Pallatit të Kulturës. Në mbrëmje, kthimi në Bukuresht.

Në ditën e fundit të udhëtimit në Rumani, të diel, më 2 qershor, Papa Françesku do të jetë në Blazh për Liturgjinë Hyjnore me lumnimin  e 7 ipeshkvijve greko-katolikë, martirë të lirisë, gjatë komunizmit. Në përfundim, lutja e Mbretëreshës Qiellore. Pas drekës, Ati i Shenjtë do të përshëndesë bashkësinë e romëve të Blazhit e më pas, do të shkojë në aeroportin e Sibiut për t’u kthyer në Romë.

Pra, një vizitë kryesisht baritore, kjo e Rumanisë, që nuk do të mungojë të prekë rajonet historike të vendit dhe do të ketë kulmin e saj shpirtëror dhe kulturor në lumnimin e martirëve të komunizmit, ditën e diel. Në konferencën për shtyp të Komisionit të Kishës, që u mbajt sot pasdite në Bukuresht, u paraqitën edhe nismat e ndryshme baritore dhe organizative, në pritje të Papës.

25 mars 2019, 19:19