Kërko

Papa në lutjen e Engjëllit: humbet çdo dinjitet, kush korruptohet nga paraja, suksesi, pushteti!

Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, Papa tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur nga tre “tundime”, që të premtojnë “sukses e lumturi, por të çojnë drejt humbjes, sepse janë vepër e djallit”. Kujtoi edhe seminaristët martirë, lumnuar në Oviedo. Që sot pasdite, Papa do të jetë në Ariccia, për Ushtrimet Shpirtërore.

R. SH. - Vatikan

“Lakmia për pasje, lavdia njerëzore, manipulimi i Zotit’. Këto janë tri rrugët, që të premtojnë 'suksese të bujshme', ashtu si paraja e pushteti, por që çojnë në humbjen e shpirtit, i vetmi synim që ka djalli, autor i tyre”.

Këtë nënvizoi Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar Ungjillin e kësaj së dieleje të parë të Kreshmëve. Na çon në shkretëtirë, Ungjilli, në gjurmët e Jezusit që, pasi agjëroi për dyzet ditë, u tundua tri herë nga djalli.

Udha e lakmisë 

Tundimi i parë: ftesa për ta shndërruar gurin në bukë; i dyti: për t’u bërë  mesí i fuqishëm, i mbuluar me lavdi; i treti, për t’u hedhur nga Tempulli i Jeruzalemit, duke e treguar në mënyrë spektakolare pushtetin e tij hyjnor. Kështu e tundon djalli Krishtin, i cili u bën ballë të tre tundimeve e del fitimtar nga të trija provat.

Janë të njëjtat tundime - kujtoi Papa - që ndeshen çdo ditë në udhën e të krishterit, “me ëndrrën se kështu mund të arrijë suksesin e lumturinë”. Tre tundime! Tre premtime të djallit, fare të huaja për Zotin. Të huaja aq, sa  të të ndajnë prej Tij, sepse janë vepër e zezë e shejtanit.

Etja për pasuri

“Udha e lakmisë për pasuri, sidomos. Etja për të pasur, për të pasur, për të pasur. Pa u ngopur kurrë! Kjo është gjithnjë logjika tinzare e djallit - nënvizoi Françesku:

“Shejtani niset gjithnjë nga nevoja e natyrshme, e ligjshme, që ka njeriu për t’u ushqyer, për t’u veshur, për t’u mbathur, për t’u realizuar, për të qenë i lumtur, që të na e mbushë mendjen se gjithë  këto sende mund t’i kemi edhe pa Zotin, madje, kundër Tij. Po Jezusi i kundërvihet, duke pohuar se duhet ta lëshojmë veten plotësisht në duart e provanisë së Atit, që nuk harron kurrë të kujdeset për bijtë e Tij”.

Joshja për lavdi njerëzore

Vjen, pastaj, udha e lavdisë njerëzore”:

“Kujdes! Mund ta humbasësh çdo dinjitet personal, po u korruptove nga idhujt e parasë, të suksesit, të pushtetit, në përpjekjen për të dalë mbi të tjerët, për t’i sunduar. E për të ndjerë, kështu, një gëzim bosh, që shumë shpejt venitet” - vërejti Papa - E kjo na nxit të krekosemi, të fryhemi si pallonjtë, nësa ndjekim kotësitë, tejet jetëshkurtëra.

Manipulimi i Zotit, për leverdi personale

Në vijim Papa tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur edhe nga një tundim i tretë, ai i “manipulimit të Zotit për interesa personale”. Duke cituar Shkrimin Shenjt, kujtoi çastin kur djalli i kërkon Krishtit të bëjë ndonjë mrekulli të bujshme. E edhe përgjigjen e Jezusit, që vendos, pa asnjë luhatje, të mbetet i përvuajtur e plot besim në Atin. Krishti i kundërvihet tundimit ndoshta më dinak, atij që na shtyn ta bëjmë Zotin për vete, për të kërkuar hire që, në të vërtetë, synojnë të kënaqin fodullëkun tonë.

Rrugët, për t’iu kundërvënë  tundimeve

Jezusi tregon edhe rrugët që duhen ndjekur, për t’iu kundërvënë këtyre tundimeve: jeta shpirtërore, besimi në Zotin, bindja në dashurinë e Tij! E na kujton edhe se me djallin nuk duhet dialoguar kurrë. “Atij mund t’i përgjigjesh vetëm me fjalën e Zotit”:

“Të përfitojmë, pra, nga Kreshmët, si kohë e privilegjuar, për t’u pastruar, për ta ndjerë praninë ngushëlluese të Zotit në jetën tonë - nxiti Papa - duke e përfunduar katekizmin me një lutje drejtuar Virgjërës Mari ‘ikonë e besnikërisë ndaj Zotit’, që të na  mbështesë në udhën tonë, duke na ndihmuar ta flakim tutje të keqen e të  radhitemi gjithnjë përkrah së mirës”.

Lumnimi i Martirëve të Oviedos

Pas lujtes së Engjëllit të Tënzot, Françesku kujtoi  lumnimin, në Oviedo të Spanjës, të seminaristëve Angelo Cuartas me tetë shokë, martirë të Asturies, vrarë nga urrejtja për fenë, në kohën e përndjekjes fetare. Këta të rinj, kandidatë për meshtari, e deshën aq shumë Zotin, sa ta ndiqnin pa ngurrim në rrugën e kryqit - kujtoi Françesku:

 “Dëshmia e tyre heroike i ndihmoftë seminaristët, meshtarët e ipeshkvijtë, të jenë gjithnjë të pastër e bujarë, për t’i shërbyer besnikërisht Zotit dhe popullit të tij të shenjtë”.

Pas përshëndetjes drejtuar besimtarëve të shumtë, mbledhur, si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa u uroi  të gjithëve “që udha kreshmore, e saponisur, të jetë e pasur me fryte”.

Kërkoi edhe lutje për vete e bashkëpunëtorët e tij të Kuries Romake,  të cilët që sonte e deri të premten, më 15 mars, do të vijojnë tërheqjen në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor, në Ariccia, për Javën e Ushtrimeve Shpirtërore.

Në përfundim, urimet: “Të dielë të gëzuar! Drekën e mirë! E mirupafshim!”.

10 mars 2019, 14:22