Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot: të veprojmë me urti e dashuri, larg thashethemnajës

Duke kometuar fragmentin e sotëm ungjillor sipas Lukës, Françesku i nxiti të gjithë ata, që kanë përgjegjësi edukative ose drejtuese, t’i shoshisin mirë punët, para fillimit të çdo udhe e të çdo veprimi. Më pas kujtoi: “Mërmëritja shkatërron familjen, shkollën, vendin e punës”.

R. SH. - Vatikan

Ftesë për një shqyrtim të mirë, para çdo pune e veprimi! E theksoi Papa në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke reflektuar për fragmentin ungjillor sipas Lukës, që na paraqet  shëmbëlltyra të shkurtëra, me të cilat Jezusi dëshiron t’u tregojë dishepujve udhën, për të jetuar urtisht.

Udhës së drejtë, për të mos shkaktuar dëme

Duke u nisur nga pyetja “A mund t’i prijë i verbëri të verbërit? A thua s’do të bien të dy në gropë?”. Jezusi - shpjegoi Papa - dëshiron të nënvizojë  se prijësi nuk duhet e as nuk mund të jetë i verbër. Madje, duhet të shikojë  qartë e larg, atje ku nuk arrin syri i të gjithëve! Domethënë, duhet të jetë i urtë e largpamës. “Përndryshe nuk mund të prijë urtisht. E mund t’u shkaktojë dëme të rënda njerëzve, që i janë besuar, duke i rrokullisur pas vetes në greminë”. Jezusi u tërheq, kështu, vëmendjen e atyre, që kanë përgjegjësi edukative, ose që komandojnë: barinjve të shpirtrave, autoriteteve publike, ligjvënësve, mësuesve, prindërve, duke i nxitur të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre tejet delikat e të zgjedhin gjithnjë rrugën e drejtë.

Mësues e prijës

Për të treguar se ishte Ai vetë model, mësues e prijës, që duhet ndjekur, Jezusi nënvizon: “Dishepulli nuk është më i aftë se mësuesi; por kush është i përgatitur mirë, do të jetë si mësuesi”. Është ftesë për të ndjekur shembullin dhe mësimin e Tij, nëse dëshiron të jesh udhëheqës i sigurt e i urtë. E këtë mësim e gjejmë sidomos në Predikimin mbi mal, që Ungjilli na e propozon tri të diela rresht, duke na kujtuar se për të qenë njerëz të sinqertë, të përvuajtur e të drejtë, është e domosdoshme, së pari, të jemi  të butë e të mëshirshëm.

Besueshmëri

Është, pastaj, një frazë domethënëse, në Ungjillin e sotëm - vuri në dukje Papa - që na nxit të mos jemi mendjemëdhenj e hipokritë. Duke na kujtuar: “Pse e shikon lëmishten në syrin e vëllait, e nuk e sheh traun në syrin tënd?”. Shpesh herë - e dimë të gjithë - e kemi shumë më lehtë të dënojmë të metat dhe mëkatet e tjetrit, sesa të shikojmë, me të njëjtin sy, edhe tonat. E  bëjmë çmos të heshtim për të metat tona. Madje arrijmë deri në atë pikë, sa t’ia fshehim edhe vetvetes. Ndërsa nuk ia përtojmë fare t’ia zbulojmë tjetrit, deri në lëmishtën e padukshme të kashtës. Është gjithnjë e nevojshme ta ndihmojmë tjetrin me këshilla të urta, por ndërsa vërejmë e korrigjojmë  të metat e të afërmit,  duhet të jemi të ndërgjegjshëm se edhe ne kemi të metat tona. Nëse besoj se jam pa asnjë të metë, nuk mund t’i dënoj e t’i korrigjoj as të tjerët. S’ka njeri pa të meta: i kemi të gjithë. Duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë. E para se të dënojmë të tjerët,  duhet të shikojmë vetveten deri në thellësi të shpirtit. Kështu mund të veprojmë në mënyrë të besueshme, me përvujtëri, duke dëshmuar dashurinë e krishterë.

Përgojimet shkatërrojnë

Papa na nxit të kuptojmë nëse e kemi syrin të lirë, apo të zënë nga ndonjë tra, që nuk na lë të shikojmë përtej hundës sonë. Prandaj na kujton fjalët e Jezusit: “Nuk ka pemë të mirë, që prodhon fryte të këqia, as pemë të keqe, që  prodhon fryte të mira. Çdo pemë njihet pikërisht nga fryti”.

Fryti janë veprimet tona, por edhe fjalët. Edhe nga fjalët njihet cilësia e pemës. Kush është i mirë, nxjerr nga zemra e nga goja të mirën. E kush është i keq, të keqen, duke praktikuar ushtrimin më shkatrrimtar, mërmëritjen, përgojimin, fjalën e keqe për të tjerët. E kjo rrënon. Rrënon familjen, rrënon shkollën, rrënon vendin e punës, rrënon lagjen. E nga gjuha nisin edhe luftërat!

Përshëndetjet përfundimtare

Françesku ripohoi mësimin e Jezusit dhe uroi që të gjithë ta shqyrtojnë ndërgjegjen, duke e pyetur veten: “A flas keq për të tjerët? A i marr nëpër gojë kot, duke i ndotur me fjalë? Do të bëja mirë t’i korrigjoja sadopak këto të meta”.

Në përshëndetjet përfundimtare, Papa i inkurajoi besimtarët e shumtë të pranishëm, ndërmjet të cilëve, përfaqësues të famullive, seminareve, shumë të rinj të sapokrezmuar e nxënës shkollash, të ecin me gëzim e bujari përpara,  “duke e dëshmuar kudo mirësinë dhe mëshirën e Zotit”.

 

 

03 mars 2019, 14:53