Kërko

Papa Françesku në bashkinë e Romës Papa Françesku në bashkinë e Romës 

Papa, në bashkinë e Romës, falënderon punonjësit e kërkon bashkim

Përshëndetja për qytetarët e Romës nga lozha e Pallatit të Senatorit dhe ajo për një përfaqësi të punonjësve të bashkisë, në sallën Protomoteca, janë fjalimet e fundit të vizitës së Papës Françesku në Kapitol.

R.SH. - Vatikan

Qytetarët të kujdesen për njëri-tjetrin. Ata që punojnë në shërbim të qytetit, të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre. Këto ishin fjalët e Papës Françesku për qytetarët e Romës dhe për punonjësit e bashkisë së kryeqytetit italian, para përfundimit të vizitës së tij të sotme në Kapitol.

Përshëndetja e Papës për qytetarët

Duke përshëndetur qytetarët e Romës, Papa kujtoi se është detyrë e tij, por edhe e të gjithë të krishterëve, “të punojnë konkretisht për ta mbajtur gjithnjë të ndritshme fytyrën e Kishës, duke pasqyruar dritën e Krishtit që përtërin zemrat”. Ati i Shenjtë theksoi se në zemrën e tij gjejnë vend edhe ata, që nuk kanë të njëjtin besim me të krishterët:

“Për të gjithë, afërsia ime shpirtërore dhe inkurajimi për të qenë ‘artizanë’ të vëllazërimit dhe të solidaritetit, çdo ditë. Kjo është detyra e çdo qytetari: të jetë zejtar i vëllazërimit dhe i solidaritetit. Ashtu si shumë njerëz në mbarë botën, edhe ju, qytetarë të Romës, shqetësoheni për mirëqenien dhe edukimin e fëmijëve; e keni për zemër të ardhmen e planetit dhe botën, që do t’u lëmë brezave të ardhshëm. Por sot dhe çdo ditë, dëshiroj t’i kërkoj secilit prej jush që, sipas aftësive, të kujdeset për tjetrin, t’i qëndrojë pranë tjetrit, ta respektojë tjetrin. Kështu, ju mishëroni vlerat më të bukura të këtij qyteti: pra, një komunitet të bashkuar, që jeton në harmoni, që vepron jo vetëm për drejtësi, por me frymën e drejtësisë”.

Përshëndetja për punonjësit e bashkisë së Romës

Pak para përfundimit të vizitës së tij në Kapitol, Papa Françesku përshëndeti një përfaqësi të punonjësve të bashkisë së Romës. Bergoglio vuri në dukje se pjesa më e madhe e punës së tyre “nuk përbën lajm”. Ati i Shenjtë i inkurajoi punonjësit të vazhdojnë, me bujari dhe besim, “veprimtarinë e tyre në shërbim të qytetit të Romës, të banorëve të tij, të turistëve dhe të shtegtarëve”. “Në hije e pa zë - tha Françesku - angazhimi juaj i përditshëm bën të mundur veprimtarinë e zakonshme të komunës në favor të qytetarëve dhe të vizitorëve të shumtë, që vijnë çdo ditë në Romë”.

“Me punën tuaj, ju përpiqeni të përmbushni nevojat legjitime të familjeve romake, të cilat, në mënyra të ndryshme, varen nga kujdesi juaj: të jeni të vetëdijshëm për këtë përgjegjësi të madhe! Jeni punëtorë në terren, zyrtarë, punonjës në zyrat dhe sektorët e shumtë të administratës publike, pastrues, mirëmbajtës dhe personel sigurie. Faleminderit për gjithçka bëni! Puna juaj e heshtur dhe besnike kontribuon jo vetëm në përmirësimin e qytetit, por ka rëndësi të madhe edhe për ju personalisht, sepse mënyra si punojmë shpreh dinjitetin tonë dhe tregon ç’njerëz jemi”.

Pas përshëndetjeve të rastit, Papa Françesku u kthye në Vatikan.

26 mars 2019, 14:21