Kërko

Papa në audiencë: ushqimi nuk është pronë private, të mendojmë për fëmijët në luftë

Në audiencën e përgjithshme Papa kujtoi etërit dhe nënat e shumta, që shkojnë për të fjetur, por nuk i zë gjumi, sepse s’kanë bukë për fëmijët. Kërkoi, më pas, vëmendje për mbrojtjen e ambientit e për nismën e ardhshme “24 orë për Zotin”. Në përfundim, dekoroi një murgeshë të motuar, gjithë jetën misionare në Afrikë.

R. SH. - Vatikan

Ushqimi “nuk është pronë private, por dhuratë për t’u ndarë bashkërisht, me hirin e Zotit”. Kështu u shpreh Papa në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke analizuar pjesën e dytë të “Atynës”, atë, në të cilën i lutemi Zotit për nevojat tona, nësa shqiptojmë fjalën plot me aromën e së përditshmes: “bukë”.  Është Jezusi - shpjegoi Papa duke komentuar fragmentin  ungjillor të Mateut mbi pesë bukët e dy peshqit - që na mëson t’ia kërkojmë Atit bukën tonë të përditshme. E jo vetëm për vete. Por për të gjithë familjen njerëzore. Bëjmë mirë të ndalemi një çast e të mendojmë për fëmijët e uritur në botën e sotme:

“Të mendojmë për fëmijët, që jetojnë në vendet ku luftohet: fëmijët e uritur të Jemenit, fëmijët e uritur të Sirisë, fëmijët e uritur të një mori vendesh, ku nuk ka bukë. Në Sudanin e Jugut, për shembull! Të mendojmë për ata fëmijë! E duke menduar, të themi së bashku, me zë të lartë, lutjen: ‘Atë, bukën tonë të përditshme na e jep sot!’”.

Etër e nëna, që nuk kanë bukë për fëmijët

T’i lutemi Zotit që të mos na mungojë buka e përditshme - shtoi Papa - duke bashkuar zërin me shumë burra e gra, për të cilët kjo lutje shndërrohet në britmë - shpesh e mbytur brenda vetes - që shoqëron ankthin e përditshëm, për bukën e përditshme:

“Sa nëna e sa baballarë, akoma sot, shkojnë të flenë me zemrën e pushtuar nga ankthi, me mendimin e së nesërmes së pabukë, të fëmijëve të tyre të uritur! Përfytyrojeni këtë lutje të thënë jo në mjediset e rehatshme të një apartamenti, por në varfërinë e një skute, ku mungon gjithçka duhet për të jetuar. Fjalët e Jezusit fitojnë një tingull të ri, vajtimtar. Urata e krishterë fillon pikërisht në këtë nivel. Nuk është ushtrim për asketë; niset nga realiteti, nga zemra, nga mishi e gjaku i njerëzve, që jetojnë në skamje, pa shpresë, që vetëm në ëndrrat më të bukura, shikojnë bukë të bollshme”.

Buka jonë

Françesku vuri në dukje thjeshtësinë, me të cilën e kërkojmë bukën e nevojshme për të jetuar. Pa harruar se bukë do të thotë edhe ujë, edhe ilaçe, edhe shtëpi e edhe punë:

“Buka, që i krishteri e kërkon në lutje, nuk është buka ‘ime’ - kini mendjen, kur e thoni këtë: nuk është imja, është buka ‘jonë’. Kështu dëshiron Jezusi. Na mëson ta lypim jo vetëm për vete, por për gjithë vëllazërinë e botës”.

Nëse nuk lutemi në këtë mënyrë, Atyna nuk është më lutje e krishterë. Nëse Zoti është Ati ynë, si mund të paraqitemi para Tij, pa u zënë dorë për dore? Të gjithë ne? E nëse bukën, që na e jep Ai vetë, ia vjedhim njëri-tjetrit, si mund të quhemi bij? Kjo lutje kërkon një sjellje  përzemërsie, solidariteti, dashurie, larg çdo falsiteti. Kërkon që në urinë time, të ndjej urinë e turmave e ta lus Zotin që lutja e tyre e përgjëruar të mos mbetet pa gjegje. Domethënë, pa bukë! Kështu e edukon Jezusi bashkësinë e tij, Kishën e tij, t’i paraqesë para fronit të Zotit nevojat e të gjithëve: “Jemi të gjithë bijtë e tu, o Atë, ki mëshirë për ne!”.

I zbehtë, zakoni për të ndarë së bashku

Pikërisht buka, që ia kërkojmë Zotit në lutje - shpjegoi Papa -  do të na akuzojë një ditë:

“Do të na qortojë, sepse nuk e patëm zakonin ta ndajmë me të afërmin. Ishte bukë e dhuruar për njerëzimin, po e hëngrën vetëm disa: dashuria jonë nuk mund ta durojë këtë! E aq më pak mund ta durojë dashuria e Zotit gjithë këtë egoizëm: ta mbash bukën vetëm për vete, të mos e ndash me tjetrin, me atë, të cilit i mungon”.

Shumëzimi  e ndarja e përbashkët

Françesku kujtoi edhe Ungjillin e Gjonit, në të cilin flitet për një turmë të uritur e për një fëmijë të vetëm, gati për ta ndarë shujtën e vet, pesë bukë e dy peshq. Jezusi e shumëzoi këtë gjest bujar, e  bekoi këtë fëmijë - kujtoi Papa - që  e kishte kuptuar më mirë nga të gjithë mësimin e “Atynës”:

“Mrekullia e vërtetë e kryer nga Jezusi atë ditë, nuk është aq shumëzimi -  gjë e vërtetë, kjo - por ndarja e përbashkët;  jepeni çka keni, e unë do të bëj mrekulli. Ai vetë, duke e shumëzuar këtë bukë të dhuruar, e përshpejtoi dhurimin e vetvetes në Bukën eukaristike. Sepse vetëm Eukaristia është në gjendje ta shuajë urinë për amshim dhe dëshirën për Zotin, që i jep çdo njeriu jetë,  duke i dhënë edhe bukën e përditshme”.

Jeta e njeriut mund të bëhet lutje

Lutja e Jezusit - vërejti Françesku - niset nga një kërkesë e përgjëruar, që i ngjet shumë lutjes së lypësit me dorën e shtrirë, në kërkim të bukës së përditshme: e këtë ne, të ngopurit, shpesh herë e harrojmë. Domethënë, harrojmë se jemi krijesa, që kemi nevojë të ushqehemi çdo ditë. Jezusi nuk kërkon - kujtoi Papa - lutje të rafinuara: e gjithë jeta njerëzore, me problemet e saj konkrete e të përditshme, mund të bëhet lutje!

24 orë për Zotin

Gjatë përshëndetjeve përfundimtare, Papa u kujtoi besimtarëve italianë  se, si çdo vit, edhe sivjet do të organizohet nisma “24 orë për Zotin”: të premten, me Liturgjinë pendestare, në Bazilikën e Vatikanit, në orën 17.00 e edhe të shtunën ardhshme:

“Sa domethënëse do të ishte që edhe kishat tona, me këtë rast të veçantë, të rrinin hapur deri vonë, për të kërkuar mëshirën e Zotit e për ta mirëpritur në Sakramentin e Faljes”.

Mbrojtja e ambientit

Duke përshëndetur shtegtarët polakë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, kujtoi, më pas, se në Kopshtet e Vatikanit do të mbillet një lis nga pyjet polake, “si shenjë e lidhjeve të fuqishme të Selisë së Shenjtë me Poloninë, e cila njëqind vjet më parë fitoi pavarësinë aq të dëshiruar:

“Pikërisht më 30 mars 1919 Selia e Shenjtë njohu Republikën e lirë polake, duke lidhur me të marrëdhënie diplomatike. Kjo pemë është edhe simbol i angazhimit të Polonisë në favor të mbrojtjes së ambientit natyror. Duke falënderuar Zotin për dhuratën e lirisë, lutemi që të përdoret gjithnjë për rritjen shpirtërore e shoqërore të popullit tuaj dhe për zhvillimin e gjithanshëm të  njeriut”.

Ky urimi i fundit i kësaj audience, që na e rikujtoi edhe një herë “bukën e përditshme”, për ta vlerësuar këtë dhuratë të Zotit, pa të cilën nuk ka jetë!

 

27 mars 2019, 14:31