Cerca

Vatican News
2019.03.21 Membri Federazione Italiana Medici Pediatrici 2019.03.21 Membri Federazione Italiana Medici Pediatrici  (Vatican Media)

Papa mjekëve të pediatrisë, shëndeti një e drejtë për të gjithë fëmijët

Kujdesi dhe kurat e nevojshme shëndetësore e parandalimi edhe për ata që nuk kanë mundësi t'i përballojnë shpenzimet

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot paradite në audiencë, në Sallën e Papëve, në Vatikan, rreth 20 anëtarët e Federatës italiane të Mjekëve Pediatër, me rastin e 40 vjetorit të themelimit. Ati i Shenjtë Bergoglio në fjalimin e tij i nxiti mjekët të angazhohen për një shëndetësi përfshirëse dhe për një kulturë të vëmendshme ndaj stileve të jetesës që respekton organizmin, në mënyrë që progresi të mos shkojë në dëm të personit.

Në një kohë kur ekziston pabarazia në kurat mjekësore, jini "nxitës" të një sistemi shëndetësor inkluziv të bazuar mbi solidaritetin. Ndaj pacientëve të vegjël lypet një "përkushtim i pakushtëzuar", me atë buzëqeshje të nevojshme për t’u dhënë guxim dhe shpresë në vuajtjet e tyre. Kjo është rruga që Papa Françesku i tregoi Federatës Italiane të Mjekëve të Pediatrisë, në fjalimin gjatë audiencës së sotme mbajtur në Vatikan. Organizatës sindikale, e cila numëron dhe mbështet më shumë se 5 mijë e 550 mjekë pediatër, me një përvojë prej dyzet vjetësh, që tash 20 vjet e akredituar si një "shoqëri a organizatë shkencore" për angazhimin e saj në fushën e formimit dhe të kërkimeve mjekësore, Papa Françesku u kujtoi pediatërve se duke jetuar punën profesionale si mjekë me stilin e "një misioni të vërtetë ",  japin një dëshmi humane dhe të krishterë.

Promovimi i një kulture për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve

Federata është e dalluar për kontributin e dhënë në lindjen e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar Italian dhe deri tani ka realizuar "iniciativa të panumërta" për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët, duke ruajtur në mënyrë “jo partiake” stilin e shërbimit mjekësor me të gjithë. Shtresa me të cilën merret është në fakt pjesa "më evolutive" e jetës njerëzore dhe kërkon njohuri globale të trupit të njeriut. Për këtë nevojitet, gjithashtu, një azhurnim i vazhdueshëm në fushën e mjekësisë: si për këtë e edhe për "promovimin e një kulture më të aftë që ndihmon në mbrojtjen e shëndetit" të çco personi, në veçanti të fëmijëve, synojnë iniciativat që janë ndërmarrë, si takimet dhe debatet që organizohet në këtë drejtim.

Jo pabarazi në shërbimet shëndetësore

"Në kohën tonë, ku shumë komoditete dhe zhvillime teknologjike e sociale paguhen me një ndikim gjithnjë e më invaziv në dinamikën natyrore të trupit njerëzor", Papa nënvizoi - gjithmonë në fjalimin që ua dorëzoi mjekëve- se si sot është "urgjent",  zbatimi i një programi serioz që ndihmon në edukimin shëndetësor dhe në mënyrën e jetesës që respekton organizmin, kështu që progresi të mos dëmtojë edhe më shumë personin.

Veproni gjithmonë me seriozitet dhe përkushtim, duke u bërë promotorë të kulturës së solidaritetit dhe të një sistemi shëndetit gjithëpërfshirës, u tha Papa mjekëve. Në kohën tonë, në të vërtetë, gjithnjë e më shpesh parandalimi dhe trajtimi mjekësor bëhet prerogativë vetëm për ata që gëzojnë një standard të caktuar jetese. Ju inkurajoj, prandaj, që të punoni për të siguruar që pabarazia që sot vërehet në sistemin shëndetësor, të mos i shtohet vuajtjeve që kanë personat, posaçërisht më të dobëtit, të cilët edhe ashtu janë të brengosur nga vuajtjet, por bëni në mënyrë që sistemi shëndetësor jo vetëm t’u sigurohet  të gjithëve për kurimet e nevojshme  dhe parandalim e sëmundjeve, por të jetë edhe një e drejtë njerëzore.

21 mars 2019, 17:41