Vijojnë kërkimet e të mbijetuarve në lumin Tigri, Irak. Vijojnë kërkimet e të mbijetuarve në lumin Tigri, Irak. 

Papa lutet për viktimat e mbytura në lumin Tigri, Irak

Aksidenti ndodhi dje në veri të Irakut, pranë Mosulit, gjatë festimeve të Vitit të Ri kurd, Novruzit, në lumin Tigri. Dhjetra, viktimat.

R.SH. - Vatikan

Sipas të dhënave të fundit të shtetit irakian, numri i viktimave të mbytjes së një trageti, në lumin Tigri, në veri të Irakut, ka arritur në 80 vetë. Aksidenti ndodhi dje, gjatë festimeve të Novruzit, Vitit të Ri kurd. 55 vetë janë nxjerrë gjallë nga lumi, ndërsa veprimtarët e ndihmës së shpejtë vazhdojnë punën për shpëtimin e të tjerëve.

Lutja dhe afërsia e Papës

         “Mbytje tragjike” për të cilën, në një telegram nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa shpreh trishtimin e vet dhe afërsinë me ata, që vajtojnë të dashurit. Ati i Shenjtë “ia beson viktimat mëshirës së Atit të Gjithpushtetshëm dhe lutet për autoritetet vendore dhe për personelin e impenjuar në ndihmën e shpejtë”, duke uruar që kombi irakian të gjejë forcën e duhur për të përballuar këtë çast të vështirë.

Festa e familjeve

         Ndër viktimat e mbytjes së tragetit ka shumë gra e fëmijë, që përfunduan në lumë, për shkak të mbingarkimit të anijes, ku 150 vetë festonin Novruzin. Nëntë anëtarë të ekuipazhit janë arrestuar dhe po kërkohet pronari, ndaj të cilit është lëshuar një mandat arresti.

22 mars 2019, 15:29