Kërko

2019.03.06 La Quaresima - Gesù Cristo 2019.03.06 La Quaresima - Gesù Cristo 

Papa Françesku: Kreshmët na kujtojnë se jemi të Zotit

Në një tweet Papa Françesku pohon: "#Kreshmët janë për të rizbuluar se jemi krijuar për zjarrin që nuk shuhet kurrë, për Zotin, për përjetësinë e Qiellit, jo për botën". Kështu pohon Papa Françesku, nё njё tweet botuar sot, 20 mars 2019, në faqen e internetit @Pontifex.

R.SH. - Vatikan

"#Kreshmët janë për të rizbuluar se jemi krijuar për zjarrin që nuk shuhet kurrë, për Zotin, për përjetësinë e Qiellit, jo për botën". Kështu pohon Papa Françesku, nё njё tweet botuar sot, 20 mars 2019, në faqen e internetit @Pontifex.

 Në një tweet tё 16 marsit 2018, botuar sgjithnjё në faqen papnore të internetit @Pontifex, Papa Françesku  shkruante: “Kreshmët janë udha që çon nga skllavëria, në liri; nga vuajtja, në gëzim; nga vdekja, në jetë”.

 “Kreshmët janë udhë pendese e lufte kundër së keqes, duhet të kemi guximin ta hedhim poshtë gjithçka na çon jashtë rruge, vlerat e rreme, që na mashtrojnë duke na tërhequr në mënyrë djallëzore, egoizmin tonë”. Ky, pohimi i Françesku në lutjen të Engjëllit të Tënzot tё 18 shkurtit 2018.

Kreshmët janë koha e kujtesës

Kreshmët janë koha e kujtesës: kohë për të menduar e për të pyetur: ç’do të ndodhte me ne, nëse Zoti do të na i kishte mbyllur portat? Kreshmët janë kohë për të marrë përsëri frymë lirisht: kohë për t’ia hapur zemrën frymës së të Vetmit, që është i aftë ta shndërrojë pluhurin, në njeri! Është kohë mëshire, për të kënduar, së bashku me Psalmistin: “Na e kthe gëzimin e shpëtimit tënd, dhe na forco me shpirtin fisnik, që me jetën tonë të shpallim lavdinë tënde (krh Ps 51-14) e pluhuri ynë - përmes frymës sate të jetës - të shndërrohet në ‘pluhur të dashuruar’.

Mesazhin për Kreshmët 2019 me temë “Edhe vetë krijesa me afsh e pret dëftimin e bijve të Hyjit” (Rom 8, 19), Papa Françesku mes tjerash pohon:.. çdo vit, përmes Kishës Nënë, Zoti “u bën dhuratë besimtarëve të vet të përgatiten me gëzim, të pastruar në shpirt, për kremtimin e Pashkëve, që […] të nxjerrin nga misteret e shëlbimit plotësinë e jetës së re në Krishtin” (Prefazioni i Kreshmëve 1).

Në këtë mënyrë, mund të ecim, nga njëra Pashkë në tjetrën, drejt përmbushjes së atij shpëtimi, që e kemi fituar tashmë, në sajë të misterit të Pashkëve të Krishtit: “Me të vërtetë, në shpresë jemi shëlbuar” (Rom 8, 24). Ky mister shëlbimi, tashmë veprues brenda nesh gjatë jetës sonë tokësore, është një proces dinamik, që përfshin edhe historinë e gjithë krijimit. Shën Pali arrin të thotë: “Edhe vetë krijesa me afsh e pret dëftimin e bijve të Hyjit” (Rom 8, 19). Në këtë perspektivë, dëshiroj të jap ndonjë sugjerim për reflektim, që ta shoqërojë udhën tonë të kthimit kah Zoti gjatë Kreshmëve të ardhshme....

 Shëlbimi i gjithësisë

Të dashur vëllezër e motra, “Kreshmët” e Birit të Zotit kanë qenë hyrje në shkretëtirën e gjithësisë për ta kthyer sërish në atë kopsht të bashkimit me Hyjin, që ishte para mëkatit të rrjedhshëm (khs. Mk 1, 12-13; Is 51, 3). Kreshmët tona të jenë ripërshkim i së njëjtës rrugë, për ta çuar shpresën e Krishtit tek çdo krijesë, e cila “do të lirohet nga skllavëria e korrupsionit për të marrë pjesë në lirinë e lavdisë së bijve të Hyjit” (Rom 8, 21). Mos e lemë të shkojë kot kjo kohë e favorshme!

T’i lutemi Zotit të na ndihmojë të bëjmë një udhëtim kthimi të vërtetë. Të heqim dorë nga egoizmi, nga vështrimi i ngulur mbi vetveten dhe të kthehemi kah Pashkët e Jezusit; të bëhemi të afërt me vëllezërit dhe motrat në vështirësi, duke ndarë me ta të mirat shpirtërore dhe materiale. Kështu, duke e pranuar konkretisht në jetën tonë fitoren e Krishtit mbi mëkatin dhe mbi vdekjen, do ta tërheqim edhe mbi gjithësinë forcën e Tij shndërruese.... (Në Vatikan, më 4 tetor 2018). 

Kremtimi i Treditëshit të Pashkëve, të mundimeve, vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit, kulm i vitit liturgjik, na fton çdo herë të përjetojmë një udhë përgatitjeje, të vetëdijshëm se të bëhemi të ngjashëm me Krishtin (khs. Rom 8, 29) është dhuratë e paçmuar e mëshirës së Zotit.

20 mars 2019, 16:12