2019-03-25-visita-del-santo-padre-a-loreto-1553506143229.JPG

Papa kremton meshën në Shtëpinë Shenjte dhe nënshkruan Nxitjen Apostolike për të rinjtë

Mesha në Shtëpinë Shenjte të Loretos dhe nënshkrimi i Nxitjes Apostolike pas Sinodit kushtuar të rinjve tetorin e kaluar, ishin çastet e para dhe qendrore të vizitës së Papës Françesku në Loreto.

R.SH. - Vatikan

Përgjigjja e Shën Marisë për kryeengjëllin Gabriel, që lajmëronte mishërimin e Zotit në kraharorin e saj, ajo “më ndodhtë, siç the ti”, jehoi sërish ndër muret e Shtëpisë Shenjte të Loretos, ku Papa Françesku kremtoi meshën sot paradite, gjatë vizitës së tij baritore në qytetin e njohur marian italian. Është papa i parë pas 162 vjetësh, që kremton meshën brenda mureve të shtëpisë së Zojës, transportuar këtu nga Nazareti. Papa i fundit, që e bëri këtë, ishte Piu IX, në vitin 1857.

Maria është arka e besëlidhjes së re e të amshuar

Por kjo nuk do të thotë se papët nuk kanë ardhur më në Loreto. Shën Gjoni XXIII, Shën Gjon Pali II, Benedikti XVI e, më parë, edhe shumë të tjerë, kanë kaluar gjithnjë në këtë qytezë, për të kujtuar atë “po” të Marisë, “po”-në që të krishterët e të gjitha kohëve dhe vendeve janë të thirrur ta përsërisin në jetën e tyre. Së bashku me Papën Françesku, brenda mureve të Shtëpisë së Marisë, ishin edhe kryeipeshkvi i Loretos, imzot Fabio dal Cin; prefekti i Shtëpisë Papnore, imzot Georg Gänswein; zëvendësi i Çështjeve të Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit, imzot Edgar Peña Parra; kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Gualterio Bassetti; kryeipeshkvi i nderit i Ankona-Osimos, kardinali Edoardo Menichelli; disa fretër kapuçinë, të cilëve u është besuar kujdesi baritor për shtegtarët dhe disa të rinj, që po përjetojnë kohën e shoshitjes së thirrjes. Jashtë bazilikës, rreth 10 mijë vetë. Papa nuk shqiptoi homeli, por tha vetëm disa fjalë në hyrje të lutjes së besimtarëve:

“Maria është arka e besëlidhjes së re e të amshuar: në Të përmbushet, për vepër të Shpirtit Shenjt, misteri i Birit të Zotit bërë njeri. Le t’ia drejtojmë Hyjit lutjen tonë, me fe e përvujtëri. Le të themi së bashku: U bëftë në ne fjala jote, o Zot”.

Nënshkrimi i Nxitjes Apostolike kushtuar të rinjve

Menjëherë pas kësaj, gjithnjë në Shtëpinë Shenjte, në altarin ku lartohet fugurja e Zojës së Zeshkët, Papa nënshkroi Nxitjen Apostolike pas-sinodale, në formën e një Letre për të rinjtë, rezultat i Sinodit, mbajtur në Vatikan tetorin e kaluar. “Vive Cristo, esperanza nuestra” është fillimi i saj, në origjinalin spanjisht, por teksti do të botohet më vonë. Ngjarje historike, siç e quajtën shumë vetë. Ka ndodhur vetëm një herë tjetër, që një Nxitje Apostolike të nënshkruhet jashtë Vatikanit. E pati bërë këtë shën Gjon Pali II, në vitin 1995, kur, gjatë një udhëtimi në Afrikë, nënshkroi Nxitjen Apostolike “Ecclesia in Africa”.

Papa Françesku konfirmoi lidhjen ndërmjet të rinjve dhe Loretos

E kësaj radhe, Papa Françesku deshi të konfirmojë lidhjen ndërmjet të rinjve dhe shenjtërores mariane të Loretos, ku edhe papët e mëparshëm, shën Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, janë takuar me rininë. Para meshës, Papa u lut për një kohë të gjatë, në heshtje, përpara fugures së Zojës së Zeshkët, që ruhet në Shtëpinë Shenjte. Jashtë, edhe oqeani i besimtarëve e shoqëroi me heshtje e me lutje. Pas nënshkrimit të Nxitjes Apostolike, Ati i Shenjtë i vuri vulën këtij çasti të veçantë, duke i dhuruar Zojës një trëndafil të artë, që e vendosi në altarin e Shtëpisë Shenjte.

25 mars 2019, 12:20