Kërko

Kisha kushtuar shën Gjonit XXIII në Liban (Avvenire) Kisha kushtuar shën Gjonit XXIII në Liban (Avvenire) 

Një kishë në Liban i kushtohet shën Gjonit XXIII. Telegram i Papës

Telegram i Papës Françesku për ordinarin ushtarak italian, imzot Santo Marciano, me rastin e përurimit të kishës kushtuar shën Gjonit XXIII, në bazën e misionit Unifil të Shama-së, në Liban

R.SH. - Vatikan

“Vendi i ri i kultit është thirrje e vazhdueshme për të takuar Zotin në intimitetin e lutjes, për ta dëshmuar Atë në jetën e përditshme, duke u bërë dëshmitarë të paqes dhe të vëllazërimit”. Papa Françesku i dërgon këtë telegram, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kard. Pietro Parolin, Ordinarit ushtarak, imzot Santo Marciano, me rastin e përurimit të kishës kushtuar shën Gjonit XXIII, në Shama të Libanit. Dje pasdite, në bazën e misionit ndërkombëtar Unifil, u bekua kisha - e cila iu kushtua edhe Zojës “Bukuri e Karmelit” -  si edhe anekset, që do të përdoren për shërbimin baritor. Papa shpreh vlerësimin për këtë arritje dhe siguron lutje, duke u dhënë të gjithëve bekimin e tij apostolik.

Kisha u ndërtua nga të krishterë e myslimanë

Kisha u ndërtua me pjesëmarrjen e të krishterëve të të gjitha traditave, së bashku me myslimanët shiitë dhe sunitë. Vetëm 65 vjet më parë, Papa Roncalli (shën Gjoni XXIII), atëherë Legat Papnor, pati shkuar në këtë vend për ta kurorëzuar Zojën si Mbretëreshë të Libanit, në përkujtim edhe të bashkimit e të paqes, arritur ato ditë, në prani të patriarkëve dhe të ipeshkvijve të riteve të ndryshme: maronitë , grekë, sirianë, armenë, kaldeas, koptë, latinë.

Papa Gjoni në Liban për të kuptuar përgjegjësinë e forcave të armatosura për paqen

“Sot Papa Gjoni kthehet në Liban si shenjtor dhe pajtor i ushtrisë italiane. Papa i paqes vjen në shtëpinë e tij dhe dëshiron që ne ta kuptojmë sa përgjegjësi për paqen u është besuar forcave të armatosura”. Kështu tha dje Ordinari Ushtarak, imzot Santo Marciano, në predikimin e meshës së përkushtimit të kishës. Kryeipeshkvi, njofton Agjencia katolike Sir, përmendi “tipet e reja të konfliktit, që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare më të bashkuar dhe më kompetente”, por “gjithnjë e më të kujdesshme në frenimin e logjikave të urrejtjes dhe të hakmarrjes, të pushtetit dhe të shtypjes, të përjashtimit dhe të lëndimit të dinjitetit njerëzor”. Logjika, të cilat, sipas imzot Marciano, janë “në gjendje të ndezin sa luftrat e djeshme botërore, aq edhe konfliktet e brendshme, krimin, terrorizmin fundamentalist, që sot mbjell frikë dhe vdekje”. Duke kujtuar se Shën Gjoni XXIII ishte kapelan ushtarak dhe nunc apostolik në Lindje, kryeipeshkvi përfundoi duke nënvizuar se Papa Gjoni XXIII “vjen edhe sot, për të edukuar zemrat tona dhe tuajat, që, si veprimtarë të paqes, të ndërtoni dhe të tregoni rrugët e pajtimit në bashkëjetesën paqësore ndërmjet kulturave, racave dhe feve”.

19 mars 2019, 13:40