Kryqi e Ungjilli Kryqi e Ungjilli 

Papa: Kalvari i të persekutuarve dhe të vrarëve për fenë, nxitje për të gjithë

Pas Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi Ditën e sotme, kushtuar misionarëve martirë dhe lumnimit, dje, në Spanjë, të Mariano Mullerat I Soldevila. Më pas u kërkoi të gjithëve të luten për shtegtimin e tij, nesër, në Loreto.

R. SH. - Vatikan

Ata, që persekutohen ose vriten për shkak të besimit të tyre në Jezu Krishtin, na nxisin të gjithë për ta dëshmuar me guxim “Atë që, mbi kryq,  ngadhënjeu përgjithmonë mbi urrejtjen e mbi dhunën, me dashurinë e Tij të pakufishme për njeriun”. Kështu u shpreh Papa, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar Ditën e sotme kushtuar kujtimit të misionarëve martirë. “Gjatë 2018-tës - saktësoi - në mbarë botën, shumë ipeshkvij, meshtarë, murgesha e besimtarë pësuan dhunë të të gjitha natyrave, ndërsa u vranë 40 misionarë, pothuajse dyfishi, në krahasim me vitin e mëparshëm”. “Kalvar” e quajti Papa, rrugën e mundimshme të misionarëve - që duhet t’i nxisë të gjithë t’i bëjnë vetes pyetjen ‘Ç’do të thotë të jesh i krishterë?’”.

Lumnimi i Marian Mullerat I Soldevilla

Ndërmjet mendimeve të Papës, edhe lumnimi i djeshëm, në Terragonë të Spanjës, i Mariano Mullerat I Soldevila “babë familjeje e mjek, që u kujdes gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër për të lehtësuar vuajtjet fizike e morale të vëllezërve, duke dëshmuar, me jetën e me martirizimin e vet, rëndësinë e  faljes në jetën e krishterë. “Shembull - theksoi Françesku - për të gjithë ne, që e kemi aq vështirë të falim”. Na ndihmoftë të ecim në udhët e dashurisë e të vëllazërimit, pavarësisht nga vështirësitë e trazirat, që nuk mungojnë kurrë!

Shtegtimi në Loreto

Së fundi, shtegtimi në Loreto, në festën e Lajmërimit të Zojës. Papa u kërkoi besimtarëve të luten për vizitën e nesërme, gjatë së cilës do të nënshkruajë Nxitjen Apostolike kushtuar të rinjve, duke uruar që pohimi i Marisë të ndiqet nga shumë prej tyre!

 

 

24 mars 2019, 14:57