2019.03.04 Gruppo Pontificia Commissione America Latina 2019.03.04 Gruppo Pontificia Commissione America Latina 

Papa: Grupit Amerikës Latine, "gratë, të rinjtë e të varfrit, provë e një angazhimi të vërtetë në politikë"

Papa një grupi të Komisionit Papnor për Amerikën Latine (Cal): "politika nuk është thjesht arti i administrimit të pushtetit, por mision shërbimi, posaçërisht në mbështetjen e të varfërve, të rinjve e grave".

R.SH. - Vatikan

"Në Amerikën Latine dhe në mbarë botën jemi duke jetuar sot ‘një ndryshim epokal’ të vërtetë - siç u tha në Aparecida – që, kërkon rinovimin e gjuhëve tona, të simboleve tona dhe të metodave tona. Nëse vazhdojmë të bëjmë siç bëhej disa dekada më parë, do të ktheheshim sërish te problemet që na duhej t’i kapërcenim në fushën sociale dhe politike". Kështu pohoi sot, Papa Françesku, gjatë audiencës, në Sallën e Koncistorit në Vatikan, me një grup të Komisionit Papnor për Amerikën Latine, në përfundim të seminarit të formimit që u mbajt në Vatikan nga data 24 shkurt deri më 4 mars, mbi temën "Doktrina Sociale e Kishës dhe angazhimi politik në Amerikën Latine - për një gjeneratë të re të katolikëve të Amerikës Latine në politikë".

"Ju të rinjtë katolikët që angazhoheni në aktivitete të ndryshme politike do të jeni pararojë në atë masë që do të dini t’i pranoni gjuhët dhe shenjat, shqetësimet dhe shpresat e fushave më emblematike të ndryshimit në Amerikën Latine - nënvizoi Papa -. Dhe do t’u takojë ju t’i kërkoni rrugët e procesit më të përshtatshëm politik për të ecur përpara".

Papa Françesku, prandaj, përmendi tri fusha më emblematike për të realizuar ndryshimin vërtetë epokal në Amerikën Latine: gratë, të rinjtë dhe të varfrit, të cilët janë, për arsye të ndryshme, “vende të privilegjuara takimi ku duhet punuar me një ndjeshmëri të re kulturore që frymëzohet edhe nga takimi ynë me Jezu Krishtin".

Pikërisht gratë, të rinjtë dhe të varfrit, vazhdoi Papa, "janë protagonistët e ndryshimit të epokës dhe personat që ofrojnë një shpresë të vërtetë për shoqërinë tonë bashkëkohore. Prania e tyre, gëzimi i tyre dhe, mbi të gjitha, vuajtja e tyre janë një thirrje e fortë e vëmendjes që duhet të kenë ata që janë përgjegjës për jetën publike. Në përgjigjen ndaj nevojave dhe kërkesave të tyre, luhet në masë të madhe, ndërtimi i vërtetë i së mirës së përbashkët.  Këto kategori përbëjnë vendin e verifikimit të autenticitetit të angazhimit katolik në politikë". Prandaj ftesa: "Nëse nuk duam të humbim veten në një det me fjalë boshe,  t’i shikojmë gjithmonë fytyrat e grave, të të rinjve dhe të të varfërve. Le t'i vështrojmë si persona të ndryshimit dhe jo thjesht si njerëz që duhen ndihmuar".

04 mars 2019, 16:37