Kërko

Vatican News
2019.03.06 Udienza Generale 2019.03.06 Udienza Generale  (Vatican Media)

Papa Françesku: gratë protagoniste në jetën shoqërore e kishtare

Papa Françesku: Uroj një prani femërore më të madhe, më të fuqishme e më të rëndësishme në Komunitete, në mënyrë që të mund të shohim më shumë gra të përfshira në përgjegjësitë baritore, në përcjelljen e njerëzve, të familjeve e të grupeve, e po kështu edhe në reflektimin teologjik.

R. SH. - Vatikan

Më 8 mars kremtohet Dita Ndërkombëtare e Gruas, me nisma nga më të ndryshmet, në mbarë botën. Gratë protagoniste, “pjesëmarrëse me të drejtë të plotë në fusha të ndryshme të jetës shoqërore e kishtare”. Kështu pati pohuar mes tjerash Papa Françesku, gjatë një audience me pjesëmarrësit e Asamblesë plenare të Këshillit Papnor të Kulturës, mbi temën “Kulturat femërore: barazitë e dallimet” që u mbajt në muajin shkurt të vitit 2015. Në qendër të punimeve ishte roli i gruas: “bëhet fjalë për studimin e kritereve e të modaliteteve të reja në mënyrë që gratë të ndjehen jo mysafire por pjesëmarrëse me të drejtë të plotë në fusha të ndryshme të jetës shoqërore e kishtare. Kjo – vuri në pah Papa Bergoglio – është sfida e cila nuk mund të shtyhet më”. “Kulturat femërore: barazitë e dallimet”, “e kam shumë përzemër këtë çështje”, shtoi Ati i Shenjtë Bergoglio.

Një mesazh. pra. i fortë dhe i qartë që Papa Françesku u drejton: “barinjve të komuniteteve të krishtera, por edhe të komuniteteve laike që në mënyrë të ndryshme janë të angazhuara në kulturë, në edukim, në ekonomi, në politikë, në botën e punës, në familje, në institucione fetare”. “Jam i bindur se duhet t’u ofrojmë urgjentisht hapësirë grave në jetën e Kishës e t’i pranojmë, duke pasur parasysh tiparet dhe sensibilitetin e veçantë të tyre kulturor e shoqëror”, pati thënë Papa Françesku në audiencën plenare të dikasterit papnor të Kulturës të 7 shkurtit 2015. “Uroj, tha mes tjerash, një prani femërore më të madhe, më të fuqishme e më të rëndësishme në Komunitete, në mënyrë që të mund të shohim më shumë gra të përfshira në përgjegjësitë baritore, në përcjelljen e njerëzve, të familjeve e të grupeve, e po kështu edhe në reflektimin teologjik”, shtoi Papa Bergoglio.

Gratë për lulëzimin e shoqërisë e të kishës

Ka kaluar shumë vite nga 8 marsi i vitit 1976, datë kur për herë të parë Kombet e Bashkuara kremtuan Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Pas sa e sa vjetësh kemi shumë arsye për t’u gëzuar. Është arritur një progres i vërtetë në vlerësimin e rolit të gruas në të gjitha fushat e jetës, që nga miratimi i ligjeve më të përshtatshme, tek pjesëmarrja e saj në jetën familjare, shoqërore e politike; nga Konferenca e Kajros “Mbi popullsinë dhe zhvillimin” – tek “Plani i veprimit” i Pekinit; nga pavarësia ekonomike, pa të cilën nuk mund të kuptohen e aq më pak të sigurohen të drejtat e gruas – tek emancipimi kulturor i saj.

Por Dita Ndërkombëtare e Gruas kremtohet çdo vit jo vetëm për të kujtuar sukseset. 8 Marsi na kujton edhe faktin se për mijëra gra, në të katër anët e botës e në veprimtari nga më të ndryshmet, që nga punët e shtëpisë, brenda katër mureve, tek drejtimi i shteteve, jeta e përditshme mbetet e vështirë, ndërsa beteja për barazinë me meshkujt (burrat) nuk është fituar ende plotësisht në të gjitha Vendet e Shtetet e botës; madje dita e fitores është ende e largët!

“Do të vijë koha e koha ka ardhur, në të cilën thirrja e roli i gruas të zhvillohen plotësisht, koha në të cilën gruaja të fitojë në shoqëri ndikimin, rrezatimin, fuqinë që nuk i ka pasur asnjëherë deri më sot”. Kështu shkruhet në “Mesazhin” që i besohet grave nga Koncili II i Vatikanit në ditën e mbylljes së tij më 8 dhjetor 1965.

Festa e gruas një ditë, festa e burrave çdo ditë që vlerësojnë gratë!
"Gruaja doli nga brinja e burrit, jo nga këmbët për të qenë e shtypur, jo nga koka për të qenë superiore, por nga kraharori për të qenë të barabartë, poshtë krahut, për të qenë e mbrojtur, dhe afër zemrës për të qenë e dashur..." (ky një koment me origjinë hebraike që më vonë i atribuohet Shekspirit) 

08 mars 2019, 09:14