Kërko

Vatican News
 Papa Françesku: të krishterët nuk duhet të jenë hipokritë, me shpirt të trukuar Papa Françesku: të krishterët nuk duhet të jenë hipokritë, me shpirt të trukuar  (Vatican Media)

Papa Françesku: të krishterët nuk duhet të jenë hipokritë, me shpirt të trukuar

Gjatë Meshës, kremtuar në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, Papa komentoi Leximin e Parë, shkëputur nga Libri i Izaisë Profet (Is 58,1-9a) dhe shpjegoi “ndryshimin ndërmjet reales e formales”, duke dënuar çdo formë hipokrizie

R. SH. - Vatikan

“Formalja është shprehje e reales, por të dyja duhet të ecin ‘së bashku’,  përndryshe katandisemi në njerëz, që jetojnë vetëm për t’u dukur. Me jetë  pa zemër, pa vërtetësi”. Ky, reflektimi i Papës Françesku në homelinë e Meshës, kremtuar në Shën Martë, duke u nisur prej fragmentit të shkëputur nga Libri i Izaisë Profet.

Pendesë, me fytyrë gazmore

Thjeshtësia e dukjes do të ishte mirë të rizbulohej posaçërisht në këtë periudhë Kreshmësh, përmes agjërimit, lëmoshës e lutjes, pa harruar se të krishterët duhet të bëjnë pendesë pa asnjë maskë, gëzueshëm. Duhet  të jenë bujarë me nevojtarin, pa i rënë borisë, kur japin lëmoshë; e t’i drejtohen Atit  gati-gati “fshehurazi”, pa kërkuar admirimin e të tjerëve. Në kohën e Jezusit - shpjegoi Papa Bergoglio - kështu silleshin  farizenjtë e publikanët. E sot ka edhe katolikë, që  mendojnë se janë të drejtë vetëm pse bëjnë pjesë në ndonjë shoqatë, se shkojnë në Meshë çdo të diel e nuk janë “si ata varfanjakët, që nuk kuptojnë gjë prej gjëje”:

“Ata, që kërkojnë të duken, nuk e ndjejnë kurrë veten mëkatarë, e po t’u thuash: - ‘Po edhe ti je mëkatar’- të gjegjen sakaq: ‘E po, në këtë botë s’ka njeri pa mëkate!’. E relativizojnë gjithçka dhe e ndjejnë veten të drejtë. Madje kur shprehen kështu, marrin pamjen e figureve, duken si të ishin shenjtorë allçie. Por gjithçka në ta s’është tjetër, veçse dukje. E kur ndjehet ky ndryshim ndërmjet realitetit e dukjes, Zoti përdor një epitet. ‘Hipokrit!’”.

Hipokrizia e përditshme dhe specialistët e hipokrizisë

Çdo njeri tundohet nga hipokrizitë, e kjo kohë, që na çon drejt Pashkëve, mund të jetë rast i përshtashëm që t’i pranojmë luhatjet tona, t’i dallojmë shtresat e makjazhit, që kemi vënë, për ta fshehur pas tyre fytyrën tonë të vërtetë.

Papa Françesku e kujton gjithnjë hipokrizinë, temë e prekur me forcë edhe në Asamblenë XV të përgjithshme të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, kushtuar “Të rinjve, fesë dhe shqyrtimit i thirrjes”. Të rinjtë - saktësoi -  preken nga ata që kërkojnë të duken, kur nisin e shikojnë sjelljen e tyre, posaçërisht kur e shikojnë hipokrizinë në fytyrën e “profesionistëve të fesë”. Po Zoti nuk do hipokrizi! Çka do Zoti, është koherenca:

“Shumë të krishterë, edhe katolikë, që e mbajnë veten katolikë praktikantë, nuk ngurrojnë t’i shfrytëzojnë njerëzit! T’i shfrytëzojnë punëtorët! T’i nisin në shtëpi në fillim të verës, për t’i bërë të rikthehen në fund, që të mos e kenë të drejtën e pensionit, të mos kenë të drejtën për të jetuar… E shumë prej tyre e mbajnë veten katolikë: shkojnë në meshën e së dielës…. e vijojnë të sillen kështu me të tjerët, pa u luajtur fare qerpiku.  E ky është mëkat mortar! Mëkati i poshtërimit të tjerëve, i shfrytëzimit të të tjerëve”.

Shpirt krejt ujë e sapun

Në këtë kohë Kreshmësh, Papa Françesku i fton të gjithtë ta rizbulojnë bukurinë e thjeshtësisë, të realitetit, që shkon përkrah dukjes:

“Lutju Zotit të të japë forcë e shko përvujtërisht përpara, me çka të mundesh. Po mos e shkarravit shpirtin! Mos! Se atëhere Zoti nuk do të të njohë! T’i kërkojmë, prandaj, të mos jemi mburracakë, të mos dukemi më shumë se jemi. Ta kërkojmë këtë hir, në këto Kreshmë: të kërkojmë koherencën ndërmjet formales e së vërtetës, realitetit e dukjes!”.

 

 

08 mars 2019, 12:20