Kërko

Vatican News

Papa Françesku prindërve, në Shën Krispino: “Gjithnjë pranë fëmijëve, por në largësinë e duhur”

Vizita e Papës Françesku në bashkësinë e Shën Krispinos nga Viterbo, në rrethinat e Romës, përfundoi me kremtimin e Meshës në kishën famullitare. Në homeli, Papa kujtoi dy ilaçe, që mund të na ndihmojnë për të mos i kritikuar të tjerët: i pari, të lutemi; i dyti, të rrimë larg përgojimeve. E foli shumë për kujdesin ndaj fëmijëve.

R. SH. - Vatikan

“Pagëzimi i fëmijës është hapi i parë i jetës së krishterë, që nis e zhvillohet. Zoti hyn në zemrën e fëmijëve, si vulë, që nuk shlyhet kurrë më. Është vula e Tij, prania e Tij”. Këtë theksoi Papa Françesku mbrëmë, duke u takuar me prindërit dhe fëmijët, që e kanë marrë ose janë duke e marrë Pagëzimin në famullinë e Shën Krispinos nga Viterbo.E, duke theksuar problemet e më të vegjëlve, Ati i Shenjtë u kujtoi  prindërve detyrën e tyre. Ju - u tha - i shoqëroni fëmijët në rrugën e rritjes: të rritjes fizike, plot shëndet; por edhe të rritjes njerëzore, të asaj psikologjike e, sidomos, rritjes shpirtërore. Ky, hapi i parë! I shoqëroni në mituri e duhet t’i shoqëroni gjithë jetën, sepse “kur fëmija ka pranë atin a nënën, ndjehet i sigurt”. Rrini, prandaj, gjithnjë pranë tyre, por pakëz në distancë, që të rriten të lirë. E fëmijët e ndjejnë fort këtë: largësinë, në afërsi! Për ta është siguri. “Fëmijët - shtoi Papa - e dinë se ati e nëna i lënë të rriten të lirë, por pa i humbur kurrë nga sytë, duke i ndjekur kujdesshëm nga larg. Kjo është urtia, që ju e keni të gjithë - pohoi Papa - duke vijuar t’u drejtohet prindërve e t’u rikujtojë se “duhet t’i lënë të rriten, në mënyrë që ta ndjejnë veten njerëz të lirë, por me sigurinë se e kanë pranë dikë, që i mbron”.

04 mars 2019, 12:20