Kërko

Papa Françesku: nuk duhet ta shpërdorojmë mëshirën e Zotit, me përtaci shpirtërore

Në të Dielën III të Kreshmëve, para lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, Papa komentoi Ungjillin e sotëm sipas Lukës (Lk 13,1-9). U ndalua posaçërisht tek mëshira e Zotit dhe urgjenca e kthimit të njeriut në rrugën e Tij.

R. SH. - Vatikan

Mëshira e Zotit është e pafundme, por nuk duhet “abuzuar” me “përtacinë tonë shpirtërore”: posaçërisht në këtë Kohë Kreshmësh, secili prej nesh është i ftuar t’i përgjigjet me sinqeritetin e zemrës, ftesës për të bërë pendesë e kthesë. Ky, reflektimi i Papës me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Engjëllit të Tënzot. Para lutjes mariane, Françesku u ndalua tek shëmbëlltyra e fikut të pafryte e tek tek lutja, që i bën vreshtari të zotit, për të mos e prerë pemën shterpë.

Durimi i Zotit

Kjo histori simbolike mund të lidhet menjëherë me ditët tona: “pronari i vreshtit” është vetë Zoti Atë; “vreshtari”, Jezusi, ndërsa fiku, simbol i njerëzimit indiferent, të thatë, të pafryte.

Fiku, që pronari i shëmbëlltyrës mendon ta shkulë me gjithë rrënjë, simbolizon njeriun e shterpët, të paaftë për të dhuruar, për të bërë mirë. Është simbol i atij, që jeton vetëm për vetveten. I ngopur e i qetë, i zhytur në rehati, pa dëshirë për t’i hedhur një sy atyre, që i ka pranë, që vuajnë, që mundohen, që qajnë, që vdesin në rrugë të madhe, zhduket një ditë prej ditësh pa lënë kurrnjë gjurmë:

“Kësaj sjelljeje egoizmi e shterpësie shpirtërore - vijoi Papa - i kundërvihet  dashuria e jashtëzakonshme e vreshtarit, i cili premton se do të kujdeset me durim të madh  për ‘këtë pemë të pafat’”.

Koha e kthesës nuk ka përfunduar

Mund ta krahasojmë lehtë sjelljen  e vreshtarit me “mëshirën e Zotit. Ai na lë ne gjithë kohën e duhur për të bërë kthesë”. Pavarësisht nga shterpësia, që na e pushton nganjëherë jetën - saktësoi Papa - “Zoti vijon të ketë durim e na jep kohë për të ndryshuar, për të përparuar në rrugën e së mirës”; por  afati i kërkuar e i dhënë në tekst, tregon edhe “urgjencën e pendimit, të kthesës”. Papa i ftoi të gjithë ta jetojnë të sotmen, pa e gënjyer veten se kanë kohë të pafundme për ta përqafuar fenë, pa i shtyrë ditë në tjetrën vendimet themelore.

Mund të mendojmë në këto Kreshmë: çfarë duhet të bëj për t’iu afruar sa më shumë Zotit, për t’u kthyer në rrugën e Tij,  për “t’i prerë”, sjelljet, që nuk shkojnë? “Jo, jo, po pres Kreshmët e tjera…”. Po, a do të jesh ende gjallë, kur të vijnë rishtas Kreshmët? Duhet të mendojmë, pra, secili prej nesh: “Ç’duhet të bëj para gjithë kësaj mëshire të Zotit, i cili vijon të më presë e të më falë? Ç’duhet të bëj?". Mund t’i besojmë plotësisht mëshirës së Zotit, por pa abuzuar. Pa e përligjur përtacinë tonë shpirtërore, përkundrazi, duke e thelluar angazhimin për të përkuar plotësisht me këtë mëshirë, me çiltërsinë e plotë të zemrës sonë:

“Në këtë Kohë Kreshmësh, çdo besimtar  duhet ta ndjejë thirrjen për të bërë kthesë, duke korrigjuar diçka në jetën e tij, në mënyrën si mendon, si vepron e si i jeton lidhjet me të afërmin”.

E njëkohësisht - përfundoi Papa Françesku - duhet të imitojmë durimin e Zotit, që ka besim në aftësitë e të gjithëve për t’u ngritur përsëri në këmbë e për të rifilluar ecjen! Domethënë, për të mos mbetur kurrë shterpë, pa asnjë fryt! Në pritje të shkuljes!

24 mars 2019, 16:40