Kërko

Vatican News
2019.03.06 Sant Anselmo Processione penitenziale 2019.03.06 Sant Anselmo Processione penitenziale  (Vatican Media)

Papa: gjatё Kreshmёve, lëmosha, lutja dhe agjërimi janë investime pёr thesarin e vёrtetё

Papa Françesku kryesoi sot pasidte ritet liturgjike tё Mёrkurёs sё Pёrhime në Kishat e Aventinit, me ritin e përhimjes. Lutja na lidh përsëri me Zotin! Bamirësia me të afërmin. Agjërimi, me vetveten! Zoti, vëllezërit, jeta ime: ja realitetet, që nuk mbarojnë kurrë.

R. SH. - Vatikan

Kuptimi i Kreshmëve; simboli i hirit mbi kokat tona, thirrja e Zotit: “kthejuni tek unë”. Tre shpjegime, për të ngrohur zemrat, në një kohë si kjo e Kreshmëve. Ua kujtoi Papa Françesku besimtarëve sot pasdite, e Mërkura e Përhime, ditë e fillimit të Kreshmëve, duke kryesuar bashkësinë e lutjes, në formën e “Stacioneve” romake. Sot - shkroi Papa në një tweet - uroj që secili prej jush ta jetojë këtë kohë në frymë të vërtetë pendimi, si kthim tek Ati, i cili e pret me krahë hapur”

Sot pasdite,  në Kishën romake të  Shën Anselmit, në Aventin, Papa  kryesoi një çast lutjeje, pasuar nga procesioni pendestar drejt Bazilikës së Shën Sabinës. Në procesion morën pjesë kardinaj, kryeipeshkvij, ipeshkvij, murgjër benediktinë të Shën Anselmit, etër domenikanë të Shën Sabinës dhe disa besimtarë. Në përfundim të procesionit, në Bazilikën e Shën Sabinës, Papa Françesku kryesoi kremtimin e Eukaristisë, me ritin e bekimit të hirit dhe të përhimjes:

“Bini bririt, shpallni agjërimin solemn!”. Me këtë thirrje të profetit, në leximin e parë, e nisi Papa homelinë e Meshës të së mërkurës së Përhime. Pasuar nga mesazhi i prerë, i ngutshëm i Zotit: “Kthejuni tek unë!”. E nëse duhet të kthehemi - kujtoi Françsku - do të thotë se nuk jemi në rrugën e Zotit. E pikërisht Kreshmët janë koha për të gjetur udhën e jetës, cakun e humbur. Secili nga ne - vijoi Papa - mund dhe duhet ta pyesë veten: “A e kërkoj udhën e drejtë? Apo më mjafton ta jetoj këndshëm ditën, të mendoj vetëm për shëndetin, që sot thuhet se vjen para së gjithash, duke harruar  se heret a vonë do të kalojë?

Nuk jemi në botë vetëm për këtë - vërejti Françesku - na e kujton vetë Zoti, duke na bërë thirrje: “Kthehuni tek unë!”. Tek Unë! Sepse unë jam caku i shtegtimit tuaj në këtë botë!

Simboli i hirit, mbi kokat tona

Hiri mbi kokat tona është shenja, që na tregon udhën. Na tregon çfarë kemi në kokë. Na e thotë me delikatesë të vërtetën, për dikë, tejet të hidhur: “Sado që të lodhesh, nuk do të marrësh me vete asnjë pasuri. Realitetet tokësore zhduken, si pluhuri në erë. Pasuritë janë të përkohshme, pushteti, kalimtar; suksesi perëndon. Kultura e dukjes, sot sunduese, që të nxit të jetosh për gjërat që kalojnë, është mashtrim i madh! Flakë kashte. Që lë pas vetëm hi”.

Kuptimi i Kreshmëve

Kreshmët - vijoi Papa - na ndihmojnë të rizbulojmë se jemi bërë për zjarrin që nuk shuhet kurrë, jo për hirin; për Zotin, jo për botën; për amshimin e qiellit, jo për mashtrimin e tokës; për lirinë e bijve, jo për skllavërinë e sendeve. E sot mund e duhet të pyesim: pse jetoj? Për zjarrin? Apo për hirin?

Tri etapat  e Kreshmëve

Më pas Papa kujtoi tri etapat e Kreshmëve, për t’u jetuar ashtu si dëshiron Zoti, pa hipokrizi, pa shtirje: lëmosha, lutja, agjërimi. E Ati i Shenjtë nuk u mjaftua vetëm t’i kujtojë, por shpjegoi edhe pse duhen:

Lutja na lidh përsëri me Zotin! Bamirësia me të afërmin. Agjërimi, me vetveten! Zoti, vëllezërit, jeta ime: ja realitetet, që nuk mbarojnë kurrë. Për këtë na ftojnë Kreshmët: të shikojmë drejt Lartësisë, e pastaj, drejt të afërmit e, së fundi brenda vetes. Lutja, bamirësia agjërimi: tre investimet për të fituar një thesar, që  nuk mbaron!”.

Ku është thesari yt, aty edhe zemra jote!

Jezusi ka thënë “Ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote!” (Mt 6,21). Zemra jonë synon përherë ndonjë drejtim: është si busulla a si magneti: ka nevojë të ngjitet pas ndonjë gjëje. Por nëse ngjitet vetëm pas  pasurive tokësore, heret a vonë do të bëhet skllave: sendet e bëra për të shërbyer, do t’i shndërohen në sende për t’u shërbyer. Paraja, karriera, dëfrimet: në se jetojmë për ta, do të bëhen idhuj, që nuk i shfrytëzojmë, por na shfrytëzojnë; sirena, që na magjepsin e pastaj na flakin në honet pa fund të detit.

Zemra duhet ngjitur pas sendeve, që nuk kalojnë

Zemra duhet ngjitur pas sendeve, që nuk kalojnë. Gjë që na bën të lirë. Kreshmët janë kohë hiri, për ta çliruar zemrën nga kotësitë. Kohë shërimi, nga vartësitë, që na joshin. Kohë për t’i ngulur sytë mbi çka nuk kthehet në baltë e hi!

Ku t’i ngulim sytë gjatë Kreshmëve?

Papa i dha përgjigje - në homelinë e mbajtur këtë të Mëkurë të Përhime - edhe pyetjes: “Ku t’i ngulim sytë gjatë Kreshmëve? Mbi të Kryqëzuarin - ishte përgjigjja. Jezusi në kryq është busulla e jetës, që të drejton  kah Qielli. Të fton për një jetë të thjeshtë! Të çliron nga joshjet e konsumizmit, nga leqet e egoizmit, nga dëshira për të pasur gjithnjë më shumë, nga prirja për të mos u kënaqur kurrë, nga zemra e mbyllur për nevojat e të varfërit.

Jezusi na thërret

Jezusi, i mbërthyer mbi drurin e kryqit, përvëlohet nga dashuria e na thërret për një jetë të ndezur flakë nga dashuria për Të, që nuk humbet ndërmjet hirave të botës; jetë, që digjet nga mëshira e nuk shuhet në mediokritet.

Është e vështirë të jetosh si kërkon Jezusi?

A është e vështirë të jetosh, ashtu siç na kërkon Jezusi? Po, por të çon drejt e tek caku. Na e tregojnë Kreshmët. Që nisin me hi, por të çojnë tek zjarri i Natës së Pashkëve. Tek varri, ku shikojmë se korpi i Krishti nuk bëhet hi, por rilind plot me lavdi! Ia vlen, prandaj, edhe për ne, që jemi hi e pluhur, të ecim në rrugën e Zotit, të rrokim  jetën, që nuk perëndon. E do të jemi gjithnjë plot me gëzim!” - kujtoi Françesku.

E pas këtij shpjegimi, përhirja, duke nisur nga vetë Papa. E vijimi i kremtimit, që i prin 40 ditëve në “shkretëtirë”,  në gjurmët e Krishtit. Me lutje, agjërim, lëmoshë!

06 mars 2019, 16:30