Audieca e përgjithshme e së mërkurës Audieca e përgjithshme e së mërkurës 

Papa Françesku: mbretëria e Zotit nuk vendoset kurrë me dhunë

Në katekizmin kushtuar Atynës, gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, Papa pohoi se Mbretëria e Zotit “duket sikur nuk e ka kurrë mazhorancën absolute” në botë, por edhe se nuk vendoset asnjë herë me dhunë. Është si fara, që “vdes” e kallur në dhe, për të sjellë fryt. Kujtoi, kështu, se “stili i përhapjes së mbretërisë së Jezusit është butësia”.

R. SH. - Vatikan

“Zoti nuk është si ne, Zoti ka shumë durim. Mbretëria e Tij në botë nuk vendoset me dhunë: Zoti sundon me butësi e me butësi e përhap edhe mbretërinë e Tij”(krh Mt 13,24-30). Ky, një nga reflektimet e Papës Françesku në takimin e së mërkurës me besimtarët, mbledhur me shumicë në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme. Duke vijuar katekizmin kushtuar “Atynës”, Papa u ndalua tek thirrja: “Ardhtë Mbretëria jote”. Pas thirrjes “U shenjtëroftë emri yt”, besimtari shpreh dëshirën për ardhjen sa më të shpejtë të mbretërisë së Zotit, që të mund ta shohë, ta jetojë.   

Bota vijon të jetë e njollosur nga mëkati

Biri i Zotit erdhi për shpëtimin e njeriut - shpjegoi Papa Bergoglio në katekizëm - por bota vijon të jetë e njollosur nga mëkati; e populluar nga një mori njerëzish, që vuajnë; nga njerëz, që nuk pajtohen, që nuk falin;  bota është e trazuar nga luftërat e nga një mori formash të shfrytëzimit:

“Gjithë këto fakte janë provë, që na bind se fitorja e Krishtit nuk është realizuar ende plotësisht: shumë e shumë njerëz jetojnë akoma me zemër të mbyllur. Por, posaçërisht në situata të tilla, në buzët e të krishterit lulëzon thirrja e dytë e Atynës: ‘Ardhtë mbretëria jote’. Eshtë njëlloj si të themi ‘Kemi nevojë për Ty, Jezus; kemi nevojë që kudo e përgjithmonë Ti të jesh Zoti mes nesh!’”.

Nganjëherë - kujtoi Papa - pyesim: “Si është e mundur që kjo mbretëri  realizohet kaq ngadalë?”. Për të shpjeguar, në vijim, se “Zoti nuk është si ne, Zoti  nuk e vendos me dhunë mbretërinë e tij. Zoti sundon me butësi, Mbretëria e Zotit është, pa dyshim, një forcë e madhe, më e madhja, por jo sipas kritereve të botës; prandaj duket sikur nuk e ka kurrë mazhorancën absolute. Është si tharmi, që thar brumin; kur përzjehet me miellin, zhduket, e pra është ai që e fermenton. Ose si fara e senapit, e vogël, e vogël, gati e padukshme, por që ka në vetvete forcën shpërthimtare të natyrës e, kur mbin e rritet, bëhet pema më e madhe e kopshtit. Ose akoma, si kokrra e grurit, siç quhet vetë Jezusi, “që vdes në tokë, sepse vetëm kështu mund të sjellë fryt”.

Kur Jezusi, në fillim të predikimit të tij në Galile, kumton: “Koha u përmbush e mbretëria e Zotit është afër: pendohuni e besoni në Ungjill”, nuk kërcënon askënd, përkundrazi, jep një lajm të mirë, një kumt gëzimi - kujtoi Papa Bergoglio - duke vijuar ciklin e katekizmit  kushtuar Atynës:

“Jezusi nuk dëshiron t’i detyrojë njerëzit të pendohen nga frika e gjyqit të afërm të Zotit, ose nga vetëdija e mëkatit për të keqen e bërë. Jezusi nuk bën prozelitizëm, thjesht kumton. Sjell Lajmin e Mirë të shëlbimit e, duke u nisur nga ai, bën thirrje për pendesë, për t’u kthyer në rrugën e Zotit”.

Fjalë shprese

Lutja i paraprin fjalëve të ngarkuara me shpresë, të njëjtat që Shpirti Shenjt i vulosi në të gjitha Shkrimet e Shenjta: “Po, do të vij së shpejti!”. Fara duhet mbjellë:

“Ta mbjellim këtë fjalë në mes të mëkateve e dështimeve tona. T’ua dhurojmë njerëzve të mposhtur e të thyer më dysh nga jeta, atyre që provuan shijen e hidhur të urrejtes, më shumë sesa të dashurisë, që jetuan ditë të kota, pa e kuptuar kurrë pse jetojnë: t’ua dhurojmë atyre,  që luftuan për drejtësinë, gjithë martirëve të historisë!”

E dëgjojmë, atëhere, Atynën që na përgjigjet, për të satën herë, me fjalët e shpresës, që  Shpirti Shenjt i vulosi mbi të gjitha Shkrimet e Shenjta:

“Po, vij së shpejti!”. Kjo është përgjigjja e Zotit: vij shpejt!”.

06 mars 2019, 13:06