Cerca

Vatican News
 Papa, në përfundim të Ushtrimeve shpirtërore në Ariccia Papa, në përfundim të Ushtrimeve shpirtërore në Ariccia  (Vatican Media)

Papa Françesku. Kujtesë, shpresë e duresë: udha për të ardhmen

Në përfundim të Ushtrimeve shpirtërore, në Ariccia, Papa Françesku mori fjalën për të falënderuar abatin Gianni, që e shoqëroi, bashkë me Kurien Romake, për të kuptuar sesi Zoti bëhet i pranishëm në natyrën njerëzore. Faleminderit që na fole për kujtesën, shpresën, punën dhe durimin.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku: abatit Bernardo Francesco Maria Gianni, "faleminderit që na fole për kujtesën, shpresën, punën dhe durimin". Prandaj “dëshiroj t’ju falënderoj, vëlla Bernard, për ndihmën që na dhatë këto ditë”. Janë fjalë mirënjohjeje, këto të Papës, për ta falënderuar abatin e Shën Miniatit mbi Mal të Firences, Bernardo Françesco Maria Gianni.  Fjalë, që Papa i tha në përfundim të meditimit të fundit të benediktinit, në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor, në Ariccia, duke i mbyllur, kështu, Ushtrimet shpirtërore me temë: “Qyteti i dëshirave të zjarrta. Për vështrime e gjeste Pashkësh në jetën e botës”.  

Udhë e hapur për të ardhmen

“Më preku thellë - tha Papa, duke iu drejtuar dom Giannit - puna jote për të na bërë të hyjmë, siç bëri Fjala hyjnore, në njerëzoren: për të kuptuar sesi Zoti bëhet i pranishëm në natyrën njerëzore. E bëri këtë për herë të parë në Mishërimin e Fjalës, plotësisht! Po Ai është i pranishëm edhe në gjurmët që lë në natyrën njerëzore”. Papa e nxiti, kështu, abatin, ta vijojë rrugën e hapur me këto meditime:

“Ndërsa puna jonë është, ndoshta, të shkojmë përpara. Të falënderojmë shumë për  këto meditime. Të falënderojmë, që na fole për kujtesën: për këtë përmasë deuteronomike, të cilën shpesh e harrojmë; që na fole për shpresën, për punën, durimin, si të doje të na skicoje rrugën, që na ndihmon për ta pasur këtë kujtesë në të ardhmen e për të shkuar, kështu, gjithnjë përpara”.

Me guximin e Etërve Konciliarë

Françesku kujtoi se gjatë Ushtrimeve, mendoi shumë për Kushtetutën baritore mbi Kishën në botën e sotme “Gaudium et Spes”. Dokumenti konciliar - pohoi Papa - që ka ndeshur më shumë rezistencë, edhe vijon kështu edhe sot e kësaj dite.

E në ndonjë çast - vijoi -  m’u duk sikur kishe mbi vete gjithë guximin e Etërve Konciliarë, kur e nënshkruan këtë dokument. Të falënderoj shumë! Lutu për ne, që jemi të gjithë mëkatarë - të gjithë, eh? - por duam të shkojmë përpara  edhe kështu, duke i shërbyer Zotit.

Në fjalët e Papës, edhe përshëndetjet drejtuar murgjërve të Shën Miniatit mbi Mal në Firence, shqiptuar jo pa një ironi të hollë, nësa kujtonte çorientimin që u ndje në sallë, kur u lexuan titujt e meditimeve.

Më merr gazi - tha Papa - kur kujtoj se ndonjëri nesh,  duke lexuar titujt e meditimeve, nuk kuptonte ç’ka duhet të bënte Kuria: ndoshta mori e shfletoi ndonjë doracak turistik, që ta ndihmonte për ta njohur Firencën dhe poetët e saj… Edhe unë, në meditimin e parë, e ndjeva veten paksa të çorientuar. Më pas e kuptova mesazhin - përfundoi Papa - ishte i ngujuar brenda temës:“Qyteti i dëshirave të zjarrta. Për vështrime e gjeste Pashkësh në jetën e botës”.  

15 mars 2019, 13:41