Kërko

Papa Françesku: jo, të rinj divani, jeta luhet me pasion

Në Sallën Pali VI, Françesku u takua sot me studentët e Institutit Ipeshkvnor Gregorio Barbarigo të Padovës dhe iu përgjigj pyetjeve të tre të rinjve. Gjatë një dialogu të hapur, Papa Bergoglio i ftoi të gjithë të mos dorëzohen para kompromiseve e mediokritetit, por të vihen në shërbim të të tjerëve, me pasion e guxim.

R. SH. - Vatikan

Në jetë rrezikoni, mos jini “të rinj divani”: “rinia nuk është pasivitet, por përpjekje guximtare për të arritur në majat më të larta!”. Kjo, nxitja e Papës Françesku, drejtuar studentëve të Institutit Ipeshkvnor Gregorio Barbarigo, duke i pritur sot në Sallën Pali VI. Në një atmosferë gëzimi e spontaneiteti, Papa iu përgjigj lirisht tri pyetjeve: të një vajze e të dy djemve.

Rinia nuk është pasive

E para, që i drejtoi pyetje Papës, ishte Sofia, nxënëse e klasës së tretë të shkollës së mesme. Pyetjes së saj: “Kujt mund t’i besosh vërtet në çaste hutimi?”, Papa iu përgjigj duke kujtuar se duhet t’i besosh kryesisht “entuziazmit rinor”, aftësisë për ta shikuar me gëzim të ardhmen, duke e ditur mirë se mund të rrezikosh edhe jetën:

“Në rini mësohet se në jetë asgjë nuk është falas. Ti duhet t’i fitosh majet, të arrish në majë! Vetëm një gjë është falas: Dashuria e Zotit, hiri i Zotit. Kjo, po, është falas, sepse Ai na do gjithnjë. Por për të ecur përpara duhen përpjekje. Çdo ditë!”.

Të rinjtë - sipas  Papës - nuk duhet ta kalojnë jetën duke dremitur në divan, domethënë, duke dalë tepër heret “në pension”. Për ta, pasiviteti e mediokriteti duhet të jenë krejt të huaja. Përpara, pra, pa harruar se jeta  është dialog i vazhdueshëm, me familjen, me miqtë, me edukatorët. E një rol të veçantë, duhet të kenë gjyshat, mbartës të pasurive me vlera të mëdha, pasurisë së përvojës e të traditës.

Jo, kulturës së vdekjes, të heshtjes e të hedhurinës

Aldo, nxënës i klasës së dytë të liceut, foli për përvojën e Kolegjit Barbarigo, që sivjet kremton 100-vjetorin e veprimtarisë. Kujtoi se ka fatin të mësojë në një shkollë, ku  mund të gjesh përgjigjen e duhur  për pyetjet e mëdha të jetës, edhe duke u vënë në shërbim të të tjerëve.

E Papa iu përgjigj:

“Është mundësi e madhe të mësosh në një shkollë, ku  mund të marrësh përgjigje për kuptimin e jetës, sepse në këtë çast, në gjirin e njerëzimit, ku ka shumë luftëra, ne jetojmë kulturën e vdekjes ose kulturën e heshtjes, që do të thotë t’i injorosh gjërat, që kalojnë. E kjo është vdekje, jo jetë, është kulturë indiference! Të shtyn të mos interesohesh për tjetër, veç  problemeve tuaja, të mos shikosh tjetër, veç xhepave, e asgjë më!”.

Profetë e dëshmitarë shprese

 Vitet e fundit të liceut janë kohë, kur i riu nuk mund të mos pyesë ç’ëndërr ka Zoti për të. E pikërisht këtë pyetje i drejtoi Papës Gjoni, nxënës i vitit të fundit.

"Përgjigjen -  i kujtoi Papa -  mund ta marrësh përmes lutjes. Një lutjeje, që nuk bëhet si papagal, por që del nga thelbi i zemrës!".

Të gjithëve Françesku u kërkoi të mos bëjnë “zgjedhje laboratori”, të nxitur kryesisht nga interesat ekonomike, por të vihen në shërbim të të tjerëve, në kërkim të horizonteve të hapura, me pasion e guxim, “pa u fishkur në lule të rinisë, pikërisht atëhere kur është koha e lulëzimit!”:

“Të rinj të fishkur janë ata, që e kërkojnë gëzimin në sendet sipërfaqësore të jetës, e nuk arrijnë të shkojnë në thellësi, tek pyetjet më të pasionuara. Jeta luhet me pasion”- ishte përgjigjja e fundit e Papës.

Liceu Barbarigo i Padovës

Vëmendje për çdo nxënës; bashkëpunim i ngushtë me familjet, lidhje me territorin, pa humbur projektimin ndërkombëtar dhe edukimin muzikor: këto, pikat e forta të Institutit Barbarigo të dioqezës së Padovës, themeluar nga ipeshkvi Luigi Pellizzo, në vitin 1919. Aktualisht instituti përfshin  shkollën gjysëm të mesme, liceun klasik dhe shkencor si dhe Institutin teknik ekonomik. Të gjithave u njihet barazia shkollore.

23 mars 2019, 16:50