2019.03.30 Viaggio Apostolico Marocco 2019 2019.03.30 Viaggio Apostolico Marocco 2019 

Papa: askush nuk duhet të jetë indiferent ndaj migrantëve, plagë e rёndё

Fakti që miliona njerëz janë të detyruar të emigrojnë tregon se ky fenomen ёshtё "një plagë e madhe dhe e rёndё", një "plagë që kёrkon solidaritetin tonё". Kështu tha Papa Françesku në takim me emigrantët në qendrën e Caritasit në Rabat.

R. SH. - Vatikan

Duke u takuar, sot pasdite, në Rabat, me emigrantët, Papa i emocionoi fort jo vetëm duke u shprehur afërsinë, por edhe, e sidomos, dëshirën për ta përballuar këtë plagë të rëndë, që vijon ta trondisë thellë shekullin XXI, së bashku me këta njerëz, që kalojnë çaste jashtëzakonisht të vështira. Kujtoi se të gjithë janë të thirrur për t’iu përgjigjur sfidave të emigracionit, duke u ndaluar posaçërisht tek Konferenca Ndërqeveritare e Marrakeshit, që ratifikoi adoptimin e paktit botëror për një emigracion të sigurt, të renditur e të rregullt. Pakt mbi emigrimet, që përbën një hap të rëndësishëm përpara për bashkësinë ndërkombëtare e cila, në kuadrin e Kombeve të Bashkuara, preku për herë të parë në nivel shumëpalësh temën e një dokumenti kaq të rëndësishëm.

Ky Pakt - nënvizoi Papa, duke iu drejtuar emigrantëve - krijon kushtet për të pranuar e për të fituar vetëdijen se “nuk bëhet fjalë vetëm për emigrantët”, si të ishin realitet i huaj a i dorës së dytë, që nuk ka të bëjë fare me pjesën tjetër të shoqërisë. Çka vihet në lojë është fytyra, që duam t’i japim shoqërisë si dhe vlera e vetë jetës. Pa harruar se progresi i popujve tanë nuk mund të matet vetëm me zhvillimin teknologjik ose ekonomik:

“Ai varet sidomos nga aftësia për të lëvizur e për t’u prekur nga njeriu, që na troket në portë e me shikimin e tij ua nxjerr bojën e i shfuqizon të gjithë idhujt e rremë, që e hipotekojnë dhe e skllavërojnë jetën; idhuj, të cilët premtojnë lumturi iluzore e  kalimtare, të krijuar mbi vuajtjet e tjetrit”.

Këtë theksoi Françesku, duke pikturuar, më pas, portretin e një shoqërie, që nuk e di ç’është mikpritja:

“Sa i shkretë dhe i huaj bëhet një qytet, kur e humbet shpirtmadhësinë! Një shoqëri pa zemër, një nënë shterpë. Ju nuk jeni emigrantë, jeni loçka e zemrës së Kishës”.

Fjalë tejet prekëse, këto të Papës, e tejet të vërteta, që i tronditën emigrantët e pranishëm, në pritje për të dëgjuar pikërisht fjalë atërore, që ua lehtësojnë dhimbjen e plagëve të rënda, hapur nga emigracioni, gjithnjë në lëvizje, por jo gjithnjë të mirëpritur. Përkundrazi. E Papa u ofroi katër folje, që kanë të bëjnë pikërisht me të ardhmen e tyre, atë të ardhme, e cila shpesh u kushton vetë jetën.

Të mirëpresështë mbrosh, të promovosh e të integrosh, në mënyrë që ata, të cilët dëshirojnë të ndihmojnë për ta bërë më konkrete e më reale këtë aleancë, të mund të aktivizohen, jo të heshtin; të mbrojnë, jo të izolohen; të shoqërojnë, jo të braktisin”.

Papa e nënvizoi fort rëndësinë e këtyre katër foljeve që, në mënyra të ndryshme, ndihmojnë për të garantuar një jetë të denjë, të sigurt, solidare. E, duke iu drejtuar emigrantëve, u kujtoi:

“Është e nevojshme që ju, emigrantët të ndjeheni protagonistë e drejtues të gjithë këtij procesi. Këto katër folje mund të ndihmojnë për realizimin e  aleancave, të afta të krijojnë hapësira ‘për t’u mikpritur, për t’u mbrojtur, për t’u promovuar  e për t’u integruar’. Në përfundim, hapësira në të cilat mund të jepet dinjitet”.

Në vijim Papa e shpjegoi vlerën e secilës nga foljet e propozuara, të cilat mbartin në vetvete veprime, që duhen kryer, për të pëballuar situatën e vështirë të emigrantëve të cilët, në pritje të një jete më të mirë, shpesh e e humbasin fare jetën.

Të pranosh, do të thotë t’u ofrosh emigrantëve e refugjatëve mundësinë për hyrje të sigurt e ligjore, në vendet për ku janë nisur.

Të mbrosh, do të thotë  të sigurosh mbrojtjen e të drejtave e të dinjiteit të emigrantëve e refugjatëve, pavarësisht nga statusi i tyre;

Të promovosh do të thotë t’u sigurosh të gjithë emigrantëve mundësinë të gjejnë një ambient të sigurtë, ku të mund të realizohen në mënyrë të gjithanshme:

“Por, të mos harrojmë - theksoi fort Papa - se promovimi njerëzor i emigrantëve dhe i familjeve të tyre niset edhe nga bashkësitë e origjinës, atje ku, së bashku me të drejtën për të emigruar, u duhet garantuar edhe e drejta që të mos detyrohen të emigrojnë, domethënë, e drejta që të kenë në atdhe kushtet e nevojshme për një jetë të denjë njerëzore”

Të integrosh - së fundi - do të thotë të angazhohesh në një proces, të aftë për të vlerësuar njëkohësisht pasurinë kulturore të bashkëssië që mirëpret e edhe atë të emigrantëve, duke ndërtuar, kështu, një shoqëri ndërkulturore e të hapur. E dimë se nuk është aspak e lehtë të hysh në një kulturë krejt të huaj - si për atë që arrin, ashtu edhe për atë, që mikpret. Prandaj duhet theksuar se të integrosh kërkon të mos kushtëzohesh nga frika e nga padija:

“Të dashur miq emigrantë - vijoi Papa - Kisha i njeh vuajtjet tuaja e vuan me ju! Ajo dëshiron të jetë përkrah jush, për të ndërtuar me ju çka është më e mirë për jetën tuaj. Sepse çdo njeri ka të drejtë të jetojë, të ëndërrojë e të gjejë vendin që dëshrion në shtëpinë e përbashkët. Çdo njeri ka të drejtë të ketë të ardhme!”.

Këto, fjalët, drejtuar emigrantëve nga Papa, që përfundoi, duke kujtuar:

“Zoti, i cili gjatë jetës së tij tokësore e provoi në korpin e vet vuajtjen e  mërgimit, e bekoftë secilin nga ju, ju dhëntë forcën e duhur për të mos u çkurajuar e për të qenë për njëri-tjetrin ‘port i sigurt’ mikpritjeje!”.

30 mars 2019, 17:11