Cerca

Vatican News

Papa: ekonomia e frymëzuar nga Ungjilli e mund vetminë dhe dëshpërimin

Papa Françesku priti sot, në Sallën Pali VI, anëtarët e Konfederatës së Kooperativave Italiane, njëqind vjet pas themelimit. I nxiti të gjejnë udhë të reja bashkëpunimi e formimi, edhe për ata që jetojnë në skajet e shoqërisë, duke vlerësuar posaçërisht rolin e grave në fushën e kooperativave.

R. SH. - Vatikan

Papa i ftoi anëtarët e Konfederatës së Kooperativave Italiane të kërkojnë mënyra  të reja, të ndryshme nga ata që zgjidhen sot, për të krijuar një shoqëri, ku nuk sundon zoti para, idhull, që krijon shpresa të kota në shoqëri, duke e lënë pastaj edhe më çnjerëzore e më të padrejtë sesa ishte. Plot me kuptim, konceptet “individualizëm”, “skuadër interesash”, “mirëqenie për të gjithë”, “jo interes vetëm për pak” – që Papa i vuri në dukje në audiencën me Konfederatën e Kooperativave Italiane, themeluar më 14 maj 1919. Kjo konfederatë, e lindur nën shtytjen e Enciklikës shoqërore Rerum novarum të Papës Leoni XIII, në vitin 1891, përfaqëson rreth 19 mijë sipërmarrje, që u sigurojnë punë më se 528 mijë vetëve.

Sipërmarrës  të bamirësisë

Françesku, në fjalimin e tij, vuri në dukje rëndësinë e njëqindvjetorit të Konfederatës, një pikarritje që nuk mund të kalohet në heshtje e që na kujton - nënvizoi -  nevojën e shoqërisë për burra e gra, që e shndërrojnë  në pasuri konkrete, çka predikojnë barinjtë e mësojnë teologët. Eshtë shenjë e madhe shprese - theksoi më pas - kur doktrina shoqërore e Kishës nuk mbetet fjalë e vdekur a fjalim abstrakt, por bëhet jetë, falë burrave e grave vullnetmira, që i japin korp e konkretësi, duke e shndërruar në gjeste personale e shoqërore konkrete, të dukshme e të nevojshme.

Marrëdhëniet, kyç për të shndërruar botën

Papa vijoi ta vlerësonte kooperativën, duke e quajtur model i drejtë, foli për marrëdhëniet që krijohen nga puna në kooperativa, si kyç për ta ndryshuar botën. E kjo - theksoi - “sepse kooperativa shkon kundër rrymës, në krahasim me mendësinë e botës, e kështu të nxit të mbetesh njeri, të zbulosh pasurinë e vërtetë, që janë marrëdhëniet e jo të mirat materiale”. Gjinden kështu, mënyra alternative për të jetuar në një shoqëri, e cila nuk qeveriset nga zoti para, idhull, që e mbush me shpresa të kota, për ta lënë pastaj, më çnjerëzore e më të padrejtë se ishte”.

Nuk mund të rrish indiferent përballë dramës së njeriut, që vetëvritet

Ati i Shenjtë u bëri thirrje përfaqësuesve të Konfederatës së Kooperativave Italiane të mos i shikojnë me indiferencë njerëzit, që i japin fund jetës, sepse të dëshpëruar, pa asnjë rrugë të hapur përpara. Duhet vënë në lojë vetvetja - nënvizoi - për t’i shpëtuar me impenjim, dashuri, kompetencë, afërsi e dhembshuri njerëzore. Kryesisht, duke u impenjuar për të siguruar punë e pagë të drejtë për të gjithë.

Bëri thirrje, pastaj, për ta mundur padrejtësinë shoqërore, me frymë krijuese, duke theksuar “mrekullinë e bashkëpunimit”, të kooperimit, strategji skuadre, që hap një plasë në murin e indiferencës, e cila e përjashton më të ligshtin”.

Ati i Shenjtë preku edhe temën e gruas, parë si përparësi në projektet e së ardhmes, për ta bërë kooperimin jo vetëm strategjik, por edhe njerëzor”. Pa harruar periferitë ekzistenciale, që i ka aq për zemër, sepse “askush nuk mund të jetë i lumtur vetëm me vetveten”.

16 mars 2019, 14:32