2018.02.18-Casa-Divin-Maestro-Ariccia 2018.02.18-Casa-Divin-Maestro-Ariccia 

Papa: dita e tretë e ushtrimeve shpirtërore për Kreshmët në Ariccia

Tema që predikatari i ushtrimeve shpirtërore, Abati Bernardo Gianni trajtoi sot, para Papës Françesku e anëtarëve të Kuries Romake, ishte 'Prania e turpit, gjakut, indiferencës'.

R.SH. - Vatikan

Sot dita e tretë e ushtrimeve shpirtërore të Kreshmëve për Papën Françeskun dhe për anëtarët e Kuries Romake në shtëpinë e ‘Mësuesit Hyjnor’ në Ariccia, afër Romës. Meditimet e ushtrimeve shpirtërore, drejtohen nga Abati Bernardo Gianni i Abacisë së Shën Miniato mbi Mal (San  Miniato al Monte), i cili reflekton mbi një poezi të Mario Luzi-t “Për këtë jemi këtu”, kushtuar abacisë së Shën Miniatit, por që ka në qendër humanizmin e krishterë, ashtu siç e shihte Giorgio La Pira, politikan italian, për të cilin është hapur procesi i lumnimit.

Tema e ushtrimeve shpirtërore që frymëzohen nga poezia e Mario Luzi-t është “Qyteti i dëshirave të zjarrta. Vështrime e gjeste Pashkësh në jetën e botës” e sot në ditën e tretë, predikatari i dom Gianni trajtoi temën 'Prania e turpit, gjakut, indiferencës'.

Kujtojmë se poeti venet Mario Luzi, u shua në Firence, më 2005. E poezia e tij “Për këtë jemi këtu”, u krijua në vitin 1997, për ta përqendruar shikimin mbi qytetin e Zëmbakut, Firencën, mbi historinë dhe bukurinë e tij, të zbehur, por jo të shuar. “Vend i gjeografisë së hirit”, e pati quajtur Giorgio La Pira. E “shikimi me sytë e fesë”- nënvizon Abati dom Gianni - mbi një nga qytetet tona, të cilat shpesh ofrojnë veç “pluhur e hi”, pa zjarrin e dikurshëm, që duket si i shuar”, na fton t’i lartojmë sytë drejt qiellit, për të mos rënë në tundimet e djallit, që synon t’i kushtëzojë të gjitha gjërat e kësaj bote, e të nisim kundrimin në dritën dhe fuqinë e fesë në Zotin.

Sipas Abatit, poezia e Luz-it është një kundrim frymëzuar nga Shpirti Shenjt, nga Fjala e Zotit, që na kujton qytetet tona. Zjarr në të shuar. Po që pret t’i fryjmë, për ta ndezur përsëri flakadanin e fesë e për t’i ridhënë qyteteve tona jetë të vërtetë në Krishtin, në Ungjill. Ky, kuptimi i poezisë së Luzi-t “Për këtë jemi këtu” .  Kujtojmë se ushtrimet shpirtërore të Papës dhe Kuries Romake do të vazhdojnë deri në të premten e ardhshme, kur pasdite do të kthehet në Vatikan. 

12 mars 2019, 13:38