Kërko

Papa Françesku, në një takim me meshtarët e rregulltarët, në Sarajevë, qershor 2015 Papa Françesku, në një takim me meshtarët e rregulltarët, në Sarajevë, qershor 2015 

Norma të reja për jetën rregulltare në bashkësi, në rastin e mungesave të papërligjura

Motu Proprio “Communis Vita” bën disa ndryshime në Kodin e së Drejtës Kanonike për zhveshjen “de facto” të rregulltarëve, që janë larguar nga bashkësia e tyre, pa lënë gjurmë. Nënshkruar nga Papa më 19 mars, do të hyjë në fuqi më 10 prill.

R.SH. - Vatikan

“Jeta në bashkësi është element thelbësor i jetës rregulltare”: kjo është premisa, nga e cila niset Papa në Letrën e tij Apostolike, shpallur në formën e Motu Proprio-s, me të cilën Ati i Shenjtë bën disa ndryshime në procedurat e zhveshjes nga petku rregulltar në rastet e mungesës së papërligjur e të zgjatur. “Rregulltarët - siç thuhet në Kodin e së Drejtës Kanonike - duhet të jetojnë në kuvendet e tyre, duke respektuar jetën e përbashkët dhe nuk mund të mungojnë pa lejen e Eprorit”.

Duhet kërkuar e ndihmuar rregulltari, që nuk kthehet në bashkësi

“Përvoja e viteve të fundit ka treguar - vë në dukje Françesku – se janë krijuar situata të veçanta, lidhur me mungesat e papërligjura nga kuvendi, gjatë të cilave rregulltarët nuk e respektojnë pushtetin e Eprorit të ligjshëm dhe nganjëherë, nuk mund as të kontaktohen”. “Në këto raste, Kodi i së Drejtës Kanonike kërkon që Eprori ta kërkojë rregulltarin, i cili bën mungesë të papërligjur, për ta ndihmuar atë të kthehet dhe të vijojë të ndjekë thirrjen rregulltare. Megjithatë, jo rrallë, - vazhdon Papa - ndodh që Eprori të mos jetë në gjendje ta gjejë rregulltarin”, prandaj, pasi kanë kaluar së paku gjashtë muaj, mund “të fillojë procesin e largimit përfundimtar të tij nga instituti”.

Pas 12 muajsh mungese, largimi nga instituti rregulltar është i detyrueshëm

Nganjëherë, nuk është e mundur as të dihet ku banon i ikuri, prandaj, u pa e nevojshme të ndryshohet neni 1 i kanunit 694 të Kodit të së Drejtës Kanonike, duke shtuar se rregulltari largohet “ipso facto” nga instituti i tij, nëse mungesa zgjat 12 muaj. Natyrisht, në rastet kur nuk i dihet banesa. Kujtojmë se neni 1 parashikon zhveshjen e rregulltarëve, që e kanë braktisur haptas fenë katolike, ose janë martuar apo janë përpjekur të martohen, edhe pse vetëm në nivelin civil. Që largimi nga instituti të ketë vlerë juridike, Eprori, pasi të verifikojë provat, duhet të nënshkruajë një deklaratë zyrtare për këtë, e cila duhet të njihet edhe nga Selia e Shenjtë, thuhet në Motu Proprio. Për institutet e së drejtës dioqezane, ky konfirmim i takon ipeshkvit. Ndryshimi i përcaktuarnga Motu Proprio “Communis Vita”, për rrjedhojë, ndryshon edhe nenin 729 të Kodit të së Drejtës Kanonike, i cili rregullon jetën e Instituteve shekullare (laike), për anëtarët e të cilëve nuk zbatohej largimi nga instituti për mungesë të papërligjur.

26 mars 2019, 16:48