Kërko

Logot e udhëtimit të Papës Françesku në Mozambik, Madagaskar e Mauricius Logot e udhëtimit të Papës Françesku në Mozambik, Madagaskar e Mauricius 

Në shtator, udhëtimi i Papës në Mozambik, Madagaskar e Mauricius

Në një deklaratë, drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, njoftoi se nga data 4 deri më 10 shtator, Papa do të vizitojë Mozambikun, Madagaskarin dhe Mauricius.

“Duke pranuar ftesën e krerëve të shtetit dhe të ipeshkvijve, Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, do të bëjë një udhëtim apostolik në Mozambik, Madagaskar dhe Mauricius, nga 4 deri më 10 shtator 2019, duke vizituar qytetin e Maputos në Mozambik, të Antananarivos në Madagaskar dhe të Port Luisit në Mauricius”. Me këtë deklaratë, drejtori i përkohshëm i Sallës vatikanase të Shtypit, Alessandro Gisotti, njoftoi për udhëtimin e ardhshëm të Papës në Afrikë. Programi do të publikohet më vonë.

Logo dhe moto

         “Shpresë, paqe e pajtim”: kjo, motoja e udhëtimit në Mozambik. Në logo shihet harta e vendit, Papa Françesku dhe një pëllumb, simbol i paqes. Dy duar simbolizojnë mikpritjen e popullsisë për Atin e Shenjtë, shoqëruar me mesazhin e motos. Ngjyrat e logos janë pesë, aq sa ka flamuri i Mozambikut. E zeza e, pastaj, e gjelbra, që përfaqëson shpresën; e kuqja, pajtimin; e bardha, paqen dhe e verdha, ngjyrat e Vatikanit.

         Ndërkaq, motoja e Madagaskarit është: “Bartës i paqes dhe i shpresës”. Natyrisht, i referohet Papës. Në logo, vendi paraqitet përmes palmës së udhëtarit, “Ravinala”, si edhe përmes baobabit. Edhe këtu, pasqyrohet Papa dhe disa shenjtorë, dëshmi e një vendi dishepujsh misionarë e martirësh të fesë. “Papa Françesku, shtegtar i paqes” janë fjalët e motos së zgjedhur nga ishujt Mauricius. Në sfondin e logos, flamuri i vendit, ndërsa në plan të parë, Papa Françesku, që përshëndet besimtarët.

27 mars 2019, 13:51