Në Engjëllin e Tënzot, thirrja e Papës për Nikaraguan, Nigerinë e Malin

Papa mbështet bisedimet në Nikaragua për t’i dhënë fund krizës dhe kërkon zgjidhje paqësore për të mirën e të gjithëve. Françesku, në Engjëllin e Tënzot, lutet edhe për Nigerinë e Malin, ku vijojnë sulmet e dhunshme terroriste.

R. SH. - Vatikan

Pas lutjes mariane, mendimi i parë i Papës ishte ai për Nikaraguan, në gjendje krize të thellë politike dhe ekonomike, që po e gjunjëzon popullsinë prej më se një viti:

“Të dashur vëllezër e motra, nga 27 shkurti vijojnë, në Nikaragua,  bisedime të rëndësishme për të zgjidhur krizën e rëndë shoqëroro-politike,  në të cilën është zhytur vendi. E shoqëroj me lutje nismën dhe guximin  e palëve për të gjetur sa më shpejt rrugëzgjidhje paqësore, për të mirën e të gjithëve”.

Lutje për Nigerinë dhe Malin

Më pas Papa  kujtoi edhe Afrikën e u lut posaçërisht për Nigerinë e Malin:

“Të lutemi për viktimat e shumta të atentateve të fundit çnjerëzore në Nigeri e në Mali. Zoti i pranoftë viktimat në paqen e Tij, i shëroftë të sëmurët, i ngushëlloftë familjarët e i shndërroftë zemrat mizore. Të lutemi: Të falemi Mari…”.

Në Nigeri, në një raport të Ndihmë për Kishën që Vuan, flitet për 130 viktima vetëm në Shtetin e Kadunës, goditur gjatë shkurtit të kaluar nga furia e tërbuar e Boko Haram-it, shoqëruar me një valë terrorri nga ana e barinjve islamikë të etnisë Fulani.

Ndërsa në Mali, dje u sulmua fshati Ogossagou Peulh, në zonën Mopti,  sulm që la pas 130 të vdekur, ndërmjet të cilëve, gra e fëmijë.

E ndërsa Françesku kërkon kthimin e zemrave mizore, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shpreh indinjatën e tij, duke i nxitur autoritetet maliane “t’i dyfishojnë përpjekjet për paqen e stabilitetin në vend”.

Lirimi i të burgosurve politikë në Nikaragua

Ndërkaq tensioni në Nikaragua arrin kulme të papara, me episode dhune gjakatare. Qytetarët vijojnë të dalin shesheve duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Ortega dhe lirimin e të gjithë të burgosurve politikë brenda 90 ditëve, si kusht për fillimin e dialogut. Është fjala për më se 700 të burgosur, që nga prilli i kaluar, kur nisi revolta kundër Ortegës. Kujtojmë se protestat në vend filluan më 18 prill 2018!

24 mars 2019, 15:41