Në Engjëllin e Tënzot, thirrja e Papës për Nikaraguan, Nigerinë e Malin
R. SH. - Vatikan
Pas lutjes mariane, mendimi i parë i Papës ishte ai për Nikaraguan, në gjendje krize të thellë politike dhe ekonomike, që po e gjunjëzon popullsinë prej më se një viti:
“Të dashur vëllezër e motra, nga 27 shkurti vijojnë, në Nikaragua, bisedime të rëndësishme për të zgjidhur krizën e rëndë shoqëroro-politike, në të cilën është zhytur vendi. E shoqëroj me lutje nismën dhe guximin e palëve për të gjetur sa më shpejt rrugëzgjidhje paqësore, për të mirën e të gjithëve”.
Lutje për Nigerinë dhe Malin
Më pas Papa kujtoi edhe Afrikën e u lut posaçërisht për Nigerinë e Malin:
“Të lutemi për viktimat e shumta të atentateve të fundit çnjerëzore në Nigeri e në Mali. Zoti i pranoftë viktimat në paqen e Tij, i shëroftë të sëmurët, i ngushëlloftë familjarët e i shndërroftë zemrat mizore. Të lutemi: Të falemi Mari…”.
Në Nigeri, në një raport të Ndihmë për Kishën që Vuan, flitet për 130 viktima vetëm në Shtetin e Kadunës, goditur gjatë shkurtit të kaluar nga furia e tërbuar e Boko Haram-it, shoqëruar me një valë terrorri nga ana e barinjve islamikë të etnisë Fulani.
Ndërsa në Mali, dje u sulmua fshati Ogossagou Peulh, në zonën Mopti, sulm që la pas 130 të vdekur, ndërmjet të cilëve, gra e fëmijë.
E ndërsa Françesku kërkon kthimin e zemrave mizore, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shpreh indinjatën e tij, duke i nxitur autoritetet maliane “t’i dyfishojnë përpjekjet për paqen e stabilitetin në vend”.
Lirimi i të burgosurve politikë në Nikaragua
Ndërkaq tensioni në Nikaragua arrin kulme të papara, me episode dhune gjakatare. Qytetarët vijojnë të dalin shesheve duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Ortega dhe lirimin e të gjithë të burgosurve politikë brenda 90 ditëve, si kusht për fillimin e dialogut. Është fjala për më se 700 të burgosur, që nga prilli i kaluar, kur nisi revolta kundër Ortegës. Kujtojmë se protestat në vend filluan më 18 prill 2018!