Kërko

Pasojat e ciklonit në Mozambik Pasojat e ciklonit në Mozambik 

Ndihma e Papës për Mozambikun, Zimbabven dhe Malavin

Në emër të Atit të Shenjtë, fondet e para në ndihmë të popullsive të dëmtuara nga përmbytjet e shkaktuara prej ciklonit Idai.

R.SH. - Vatikan

Bëhet konkrete, ndihma e Papës për popullsitë e Mozambikut, të Zimbabves dhe të Malavit, pas kalimit të cikonit Idai. Që të mërkurën e kaluar, në fund të audiencës së përgjithshme, Françesku shprehu afërsinë e tij me rajonet afrikane, ku përmbytjet kanë shkaktuar të paktën 300 të vdekur, mijëra të plagosur dhe qindra mijëra të zhvendosur, megjithëse bilanci është i destinuar të rritet.

Afërsi e inkurajim

Sot, Dikasteri për Shërbimin e Gjithanshëm të Zhvillimit Njerëzor njofton, me një deklaratë, se Papa ka vendosur të dërgojë një kontribut të parë prej 150.000 eurosh (50.000 për secilin vend) për fazën e parë të emergjencës. Kjo shumë - thuhet në komunikatë - është shprehje e menjëhershme e afërsisë shpirtërore dhe e inkurajimit atëror nga ana e Papës për njerëzit dhe territoret e prekura. Në bashkëpunim me nunciaturat apostolike, ajo do të ndahet ndërmjet zonave më të goditura nga fatkeqësia natyrore dhe do të përdoret në ndihmë të njerëzve dhe të territorit. Kontributi i Dikasterit për popullatat e Mozambikut, Zimbabves dhe Malavit është pjesë e ndihmës së gjithë Kishës Katolike.

I madh, rreziku i epidemive

         Sipas statistikave të Dikasterit, pasojat e ciklonit ndihen nga të paktën 1 milion vetë. Të mëdha, edhe dëmet strukturore: java e shirave të rrëmbyeshëm bëri rrafsh me tokën mijëra shtëpi dhe ndërtesa publike, si edhe shkatërroi arterie të rëndësishme rrugore. Qyteti i Beirës, në Mozambik, është rrafshuar krejtësisht e, shumë qendra qytetesh e fshatrash në të tria vendet, janë shkatërruar sa s’njihen. Problematike, prishja e rrjeteve hidrike dhe elektrike, si edhe kompromentimi i disa strukturave shëndetësore. Ka rrezik që të përhapen epidemi, ndërsa ndihmat mezi arrijnë në zonat e prekura nga cikloni.

22 mars 2019, 16:54